Kulturë

Mitrush Kuteli dhe dashuria e tij për atdheun - Nga Ndue Ukaj

  • Published in Kulturë

Sot është ditëlindja e kolosit të letërsisë shqipe, Mitrush Kutelit.

Kuteli, ky mjeshtër i madh i shkrimit, historisë së kulturës shqiptare i dha dashuri pafund dhe një vepër monumentale estetike. Ndaj, para punës dhe veprës së tij duhet të përulemi, me mirënjohje dhe respekt. Veprën e tij duhet ta lexojmë dhe ta bejmë shujtë shpirtërore, sepse, duke u ushqyer me të jemi të pasur, më fisnikë dhe më humanë.

Një popull që di t’i vlerësojë heronjtë e vet të kulturës- të sërës së Kutelit- ai vështirë mbërthehet nga plogështia, nuk bëhet pré e gjithfarë ideologjish e të vërtetash të shpifura politike; nuk ndjek udhën e batakçinjve, por të heronjve të vërtetë të dijes dhe të kulturës.

Veprat madhore, siç është ajo e Mitrush Kutelit, janë pasuri kombëtare dhe ndihmojnë shëndetin e shoqërisë.

E një popull që di t’i nderojë heronjtë e vërtetë të kulturës, ai qëndron stoik përballë të këqijave që e godasin dhe ka imunitet të mbrohet nga murtaja e gjuhës. Ai nuk lejon që para syve të tij të krijohen profetë të rremë, ashtu siç ngjet me ne.

Mitrush Kuteli hyn në rrethin e personaliteteve të rralla, e me merita të jashtëzakonshme në formimin e ndërgjegjes sonë kombëtare dhe kulturore.

Jeta dhe vepra e tij, janë një rrëfim që fisnikërojnë ndërgjegjen e njeriut.

Në momentet dridhmuese të jetës së tij, në testament drejtuar gruas Efterpit, ai shkroi: "Profesionizmi në letërsi, në vëndin tonë, është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur, them, për atë që s'di marifete dhe hipokrizira. Tereni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarprinjtë. Të vrasin shokët, se ju bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi."

E pas kaq vitesh, ky profetizim i tij tingëllon tmerrues. Sepse, letërsia shqipe vazhdon të jetë po kjo që na e përshkruan Kuteli.

Kuteli, ky mjeshtër i madh i rrëfimit, e gjeti rrugën e madhe të letërsisë dhe i dha kulturës shqiptare një vepër të pasur letrare për jetë e mote. Një monument dije e arti, një vepër që na bën nder dhe na lartëson. Po, ai la një vepër që nuk mund ta trandin kohët, politika e ideologjitë, sepse ajo ka fituar pakohësinë.

Kuteli, si pakkush, tregoi një dashuri krejtësisht të veçantë për atdheun. Testamenti i tij për fëmijët e tij është testament për secilin shqiptar që e do vendin e vet. Ai i porosit fëmijët që “ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje. Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile edhe atëhere kur të vret. Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje.”

Kuteli, shkroi në mënyrë të veçantë edhe për Kosovën, për të cilën tregoi një dashuri të pashoqe poetike.

E Kosova është e mbushur me gjithfarë përmendoresh e monumentesh, me vlerë e pa vlerë, me heronj të gjithfarshëm, por jo me heronj të kulturës. Kosova, deri sot nuk i bëri një vend këtij kolosi, ashtu siç nuk u bëri vend dy personaliteteve shumë meritore, Ernest Koliqit dhe Martin Camajt.

Duke e nderuar dhe lartësuar Kutelin, ne e nderojmë dhe lartësojmë vetveten.