Kulturë

Kina dhe Shqipëria në librin ‘Dritëhijet e një miqësie që çuditi botën’ - Nga Hajdar Muneka

  • Published in Kulturë

Këto ditë doli nga shtypi libri im “Dritëhijet e një miqësie që çuditi botën”. Prezantimi i tij u bë në datën 11 tetor në Akademinë e Shkencave organizuar në bashkëpunim me Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit.

Për të gjithë ata që janë të interesuar të dinë diçka më tepër rreth këtij libri, po bëj një paraqitje të shkurtër të tij:

Titulli i librit lindi vetvetiu: sepse unë mendoj se e tillë ka qenë miqësia midis dy vendeve tona. E veçantë, krejt e rrallë, madje pa asnjë precedent tjetër. Dy vende e dy popuj, mijëra kilometra larg njëri tjetrit, pa asnjë histori, kulturë, gjuhë apo traditë të përbashkët, deri në atë kohë ndoshta as e dinin ekzistencën e njëri tjetrit, papritmas lidhen aq ngushtë, si “buka e një brumi”. I japin dorën njëri tjetrit në ditët më të vështira. Vendosin mes tyre një urë të gjatë e të qëndrueshme komunikimi, e cila, për sa kohë funksionoi, habiti çdokënd tjetër. Këtë e kam dëgjuar të shprehet nga shumë kolegë të mi të huaj gjatë karrierës sime diplomatike, por edhe e kam lexuar të shkruar nga analistë të ndryshëm të marrëdhënieve ndërkombëtare. Dhe në fakt ashtu ishte. Për sa kohë zgjati ajo miqësi e pazakontë ishte vërtet për t’u admiruar. Natyrisht që ashtu si çdo gjë tjetër e rrallë, edhe kjo lidhje e ngushtë nuk mund të vazhdonte të ishte e atillë përjetësisht.

Pse Dritëhije? Si çdo marrëdhënie tjetër, edhe ajo kishte anën e ndritëshme, por edhe pjesën e padukshme të saj. Një pjesë të saj jam përpjekur ta zbuloj në librin tim.

Aty kam sjellë mendimin tim të konsoliduar në 46 vitet që më kanë lidhur me Kinën e kinezët. Kam dhënë opinionin pse udhëheqja shqiptare e asaj kohe zgjodhi Kinën, çfarë dhanë e morën dy vendet tona nga njëri tjetri. A mund ta ndiqte Enver Hoxha rrugën e Kinës, nëse po, pse nuk e ndoqi. Po qëndrimi i Ramiz Alisë cili ka qenë? Lexuesi mund të gjejë fakte e të dhëna të tjera si pse Mao Ce Duni e lavdëroi ish-ambasadorin kinez në Tiranë, Geng Biao, vetëm se guxoi të thotë disa të vërteta të hidhura për Shqipërinë, për xhelozinë shqiptare ndaj marrëdhënieve kino-sovjetike, si e përdori Hoxha në favorin e tij vizitën e Niksonit në Pekin apo lidhjet e Kinës me Perëndimin, cilat ishin përpjekjet e udhëheqjes shqiptare për ta shtyrë prishjen e saj me Kinën etj.

Si një person që kam jetuar në Kinë në atë periudhë, nuk mund të shkëputesha nga përshkrimi i jetës në Kinë, kulturës, artit, kulinarisë e shumë virtyteve që shqiptarët nuk i kanë njohur sa duhet. Kam shpjeguar me hollësi si lindi socializmi me ngjyra kineze dhe si e priti e përjetoi shoqëria kalimin nga ekonomia e centralizuar socialiste në atë të tregut.

Revolucioni Kulturor ka qenë pjesa më e errët e historisë së Kinës së re. Pasi kam dhënë disa detaje të domosdoshme lidhur me të, kam shpjeguar se më e fituara nga ai revolucion ka dalë Shqipëria. Kam treguar me fakte se edhe investimi shqiptar për atë revolucion ka qenë në vlera maksimale. Natyrisht që edhe udhëheqja kineze e asaj kohe e ka vlerësuar atë investim, të cilin e ka konvertuar në të mira materiale për vendin tonë.

Për marrëdhëniet tona deri në vitin 1973 kam shkruar në vetë të tretë, duke iu përmbajtur më shumë arkivave. Pas atij viti, kur edhe unë u bëra pjesë e atyre marrëdhënieve, kam filluar të shkruaj në vetë të parë. Natyrisht, në këtë pjesë ka shumë histori, por edhe emocione, çfarë është krejt e pashmangshme. Jam munduar të ketë sa më pak subjektivizma në vlerësimet e ngjarjeve dhe personazheve. Kam jetuar në Pekin kohën e largimit nga kjo botë të figurave kryesore të Kinës së pas vitit 1949, si Mao Ce Duni, Çu En Lai, Ten Hsiao Pini, figura që në librin tim zënë vend të veçantë. Pa këta persona jo vetëm Kina që nuk do të ishte e tillë, por edhe marrëdhëniet shqiptaro-kineze nuk do të kishin ekzistuar. Nëqoftë se mund të themi se ato marrëdhënie i kanë kaluar të gjitha stinët e një viti, pra nga pranvera, kanë kaluar në verë, në vjeshtë e, më së fundi, në dimër, unë i kam përjetuar të gjitha këto stinë, në fillim si student e deri si ambasador i vendit tim. Natyrisht, kur unë e mora këtë post, dy vendet tona kishin hyrë në stinën e normalitetit, por pasojat ishin aty. Bashkë me to edhe shumë ndjenja e emocione.

Ndjehem jo vetëm me fat, por edhe i privilegjuar që gjatë luftës së Kosovës kam qenë ambasador i Shqipërisë në Pekin. Kjo pjesë zë vendin e saj në librin tim. Dua të theksoj se lidhur me këtë çështje, të cilën në libër e kam titulluar “Kosova-faktor bashkues e jo ndarës”, kemi pasur një bashkëpunim të mirë me autoritetet kineze dhe kam gjetur mirëkuptimin e tyre në të gjitha nivelet, që nga punonjësi më i thjeshtë i MPJ deri tek autoriteti më i lartë i saj. Kam theksuar se Kina asnjëherë nuk është bërë pengesë për çështjen e Kosovës. Edhe pse, për arsye që nuk lidhen fare me Kosovën, ajo nuk e ka njohur akoma atë si shtet të pavarur, Kina jo vetëm që nuk ka penguar asnjë rezolutë të OKB, por qysh prej fillimit ka hapur një zyrë në Prishtinë. Në libër kam theksuar se përgjegjësi mbajnë edhe autoritetet kosovare, madje edhe ato të Tiranës, lobimi i të cilave drejt Kinës ka qenë dhe mbetet në nivelet më të ulëta. Krejt e kundërta ndodh me politikën serbe, e cila nuk e ka hequr asnjëherë vëmendjen nga kjo çështje.

Në libër ka edhe një kapitull që trajton diplomacinë kineze. Kjo është një temë mjaft e preferuar për mua edhe për faktin se karrierën time diplomatike e fillova në atë vend. Kina në vetvete është një shkollë diplomacie. Të gjithë ata diplomatë që kanë fatin ta kalojnë atë ndjehen më të kompletuar e më të aftë. Gjatë 70 viteve të historisë së saj të re Kina ka ndryshuar në mënyre të paimagjinueshme. Por ajo që ka mbetur e njëjtë është baza e diplomacisë kineze e ndërtuar mbi pesë parimet e bashkekzistencës paqësore, të shpikura po nga kinezët, më saktë nga babai i diplomacisë së saj, ish kryeministri Çu En Lai.

Uroj që libri “Dritëhijet e një miqësie që çuditi botën” t’i shërbejë brezit tim për të kujtuar vitet e arta të marrëdhënieve shqiptaro-kineze e të jetë një pikë referimi për brezat e mëvonshëm. Ata duhet ta dinë se kinezët për ta janë miq të provuar dhe se miqësia dhe respekti janë në ADN e një kombi.

Falenderoj të gjithë ata që mundësuan daljen e këtij libri. Falenderimi kryesor është për familjen time, Donikën dhe dy fëmijët, Dritanin e Lindën, të cilët më kanë inkurajuar për të shkruar. Falenderoj Profesor Rami Memushaj që bëri redaktimin e librit si dhe Profesor Marko Bello që ka shkruar një parathënie të shkëlqyeshme. Nuk mund të lë pa falenderuar edhe Institutin për Bashkpunim dhe Zhvillim, i cili mbështeti financiarisht botimin, por edhe shtypshkronjën Albpaper, e cila ka dhënë një libër të një cilësie bashkëkohore.

*Autori, diplomuar në Pekin për gjuhë dhe kulturë kineze, për vite me radhë gazetar në Radio Tirana, pas vitit 1991 nisi karrierën e suksessshme diplomatike duke ushtruar funksionin e ambasadorit të Shqipërisë në disa vende, përfshirë dhe Republikën Popullore të Kinës. Aktualisht ai është edhe anëtar i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë.