Kulturë

Kur vandalizohet historia - Nga Albana Lifschin

  • Published in Kulturë

Një mbrëmje Shkurti, mësova nga TV se si pikërisht tani që po bëhen përgatitje për të festuar 400-vjetorin e mbërritjes së Pilgrimëve në Amerikë, dikush (apo disa) ka dëmtuar monumentin historik dhe ambientin përreth tij. Nuk po zgjatem më shumë këtu (se irritohem) por po marr shkas t'u tregoj historinë e ardhjes së Pilgrimëve, banorëve të parë të këtij vendi që hodhën farën e gjeneratës së parë amerikane.

Në Shtator të vitit 1620, pothuaj 14 vjet pas formimit të kolonisë së parë, Xhejmstaunit, një anije e vogël me emrin "Mayflower" la Plimuthin e Anglisë dhe mori rrugën drejt kontinentit Amerikan. Anija kishte në bordin e saj 102 pasagjerë burra, gra dhe fëmijë që u quajtën “pilgrimë”. Pilgrimët kishin ngarkuar në të mjete jetese të ndryshme, madje edhe kafshë shtëpiake. Midis tyre ishte edhe i riu

Uilliam Bredford, udhëheqësi i tyre. Pas tre muaj udhëtimi të vështirë, detarët panë brigjet e Masaçusets. Destinimi i anijes qe kolonia e Virxhinias por njerëzit ishin të lodhur e shumë prej tyre të sëmurë, ndaj kapiteni i anijes vendosi të hidhte spirancën aty.
Para se të zbrisnin në breg, udhëtarët u mblodhën e bënë një kontratë sipas të cilës ata do të rregullonin jetën e tyre në këtë vendbanim të ri. Kjo kontratë mori emrin e anijes që i solli ata në kontinent "Mayflower Compact." Marrëveshjen e firmosën 41 burra. Ky ishte një moment shumë i rëndësishëm për ta. Ishte hera e parë që banorët e rinj të Amerikës firmosnin një kontratë të tillë pas "ligjeve" të së cilës ata ishin lidhur. "Mayflower compact" qe në vetvete një marrëveshje për vetëqeverisje. Por ajo qe diçka më shumë se kaq: Ishte bërthama e parë e demokracisë e lindur në vendbanimin e tyre të ri në Amerikë. Ata sëbashku votuan dhe firmosën ligjet që do të rregullonin jetën e tyre të ardhme.
Pasagjerët e anijes "Mayflower" zbritën në breg. Ai rrip toke u quajt kolonia "Plimuth" në kujtim të qytetit anglez prej nga ata erdhën. Kështu filloi jetën e saj kolonia e dytë angleze në territorin e Amerikës të quajtur Masaçusets.

Po cilët ishin pilgrimët dhe ç'i kishte shtyrë këta njerëz të linin vendin e tyre të lindjes, për të marrë një udhëtim të gjatë e të rrezikshëm me kaq të panjohura?

Pilgrimët ishin njerëz besimtarë që kërkonin të shkëputeshin nga kisha e Anglisë. Atë kohë anglikanizmi ishte bërë fe zyrtare në Angli. Mirëpo kishte njerëz që besonin se kisha e tyre ishte ende shumë e ngjashme me kishën katolike dhe nuk ishin dakord me këtë. Për pikpamjet e tyre ata u panë me sy të keq nga pjesa tjetër e popullsisë e u quajtën "separatistë ". Persekutimi i bëri “separatistët” të lënë Anglinë dhe të vendoseshin fillimisht në Leiden, Hollandë. Mirëpo në Hollandë fëmijët që u lindën mësuan të flasin gjuhën hollandeze, të ndjekin mënyrën hollandeze të jetesës, etj, gjë që i bëri prindërit të kërkonin një rrugë tjetër për të ruajtur të pacënuar besimin e mënyrën e tyre të jetesës, duke i kthyer sytë këtë radhë nga "Bota e re". Ata ishin të parët që erdhën në “Botën e re” për arsye fetare.

Por një udhëtim aq i largët do ishte i kushtueshëm për ta. Për të përballuar shpenzimet e tij, ata gjetën një rrugëdalje. Vendosën të bënin marrëveshje me një shoqëri londineze detare. Sipas marrëveshjes për 7 vjet me radhë produktet e punës së tyre do të shkonin për kompaninë e udhëtimit që do t'i sillte në kontinent.
Dimri i parë për banorët e rinj erdhi i vështirë. Pilgrimët patën fatin e kolonistëve të parë të Xhejmstaunit. Nga të ftohtit e ashpër gjysma e banorëve të kolonisë vdiqën. Pikërisht në këtë kohë kaq të vështirë tek ata erdhi Skuanto.

Kush ishte Skuanto? Sipas Bredfordit, kryetarit të kolonisë së Plimuthit, Skuanto ishte një “instrument” që Zoti ua dërgoi për të mirën e tyre. Pa ndihmën e Skuantos dhe indianëve të tjerë pilgrimët nuk do kishin mundur të mbijetonin.
Skuanto ishte blerë si skllav që në fëmijërinë e tij por kishte mundur të fitonte lirinë duke u arratisur nga pronari tij. Gjatë kohës së qëndrimit në Evropë, Skuanto kishte mësuar anglisht gjë që e ndihmoi të hynte në komunikim me pilgrimët. Skuanto u mësoi pilgrimve si të mbillnin misër. Me ndihmën e Skuantos indianët e pilgrimët bënë një marrëveshje në të cilin ata premtonin që do ta ndihmonin njëri tjetrin në rast sulmi nga ndonjë tribu tjetër.

Me ardhjen e pranverës jeta u përmirësua. Në muajin prill kur anija përgatitej për udhëtimin e saj drejt Evropës, asnjë nga banorët e kolonisë nuk hipi në të. Ata mbollën tokën dhe gjatë verës të korrat ishin të bollshme. Madje nga mesi i tetorit, guvernatori Bredford dhe banorët e kolonisë së re u mblodhën për të festuar bollëkun dhe të falëndëronin Zotin që u dha mbijetesën. Skuanto dhe indianët ishin të ftuarit e tyre. Kjo festë u quajt "Thanksgiving", e u trashëgua deri në ditët tona si një nga festat më popullore në SHBA.

Kuriozitet 

Para se anija "Mayflower" të mbërrinte në brigjet e Amerikës, pilgrimët i përshëndeti e qara e një foshnjeje të porsalindur. Foshnja ishte djalë dhe u quajt Peregrine Uajt. Ai qe foshnja e parë e lindur në koloninë e re të Plimuthit. Familja e përgatitur për lindjen e fëmijës kishte sjellë me vete edhe djepin e tij. Ai djep u bë model për djepet e foshnjeve që lindën më pas në koloni.

E përse vandalizohen monumentet që na flasin për historinë?