Kulturë

Populli dhe intelektualët. Kush e ka fajin? - Nga Tajar Zavalani

  • Published in Kulturë
Nga: Tajar Zavalani

Kurkujt s’i pëlqen të pranojë se u gabua. Sa më i pazoti dhe më kapadai të jetë njeriu, aq më tepër e urren autokritikën. Kur një njeriu të frymëzuar me egoizmë të cekët puna nuk i del ashtu siç e priste, fajin e ka moti, kriza, dreqi, i biri, ypsiloni, bota e tërë, po kurrë jo ai vetë. 

Kësisoj pas parimit të strategjisë që thotë se forma më e mirë e mbrojtjes është ofensiva, njerëzit që s’durojnë dot autokritikën se e ndjejnë veten të dobët akuzojnë të tjerët për të larë veten nga çdo gabim ku ata mund të jenë të implikuar. Këtë mentalitet shumë të përhapur këtu ndër ne urtësia popullore e ka cilësuar me fjalën e njohur: “Kush e bëri kulaçin të shtrembër?... Nusja“

Përgjithësisht autokritika është privilegji i njerëzve të zgjuar me kulturë dhe që i dalin gjithmonë për zot punës që marrin përsipër. Këta njerëz të veprimit, energjik dhe me vullnet të çeliktë, janë të parët që e njohin se u gabuan, kur një punë nuk del ashtu siç e kishim parashikuar. Ata udhëhiqen prej parimit nuk gabohet ai që s’bën kurrgjë. E dinë se jeta është aq e komplikuar dhe dinake sa kurrë njeriu, në fillim të një pune, nuk mund të parashikojë të gjitha eventualitetet që mund t’i dalin përpara. Edhe do të ishte gabimi më i madh për një njeri të veprimit sikur të shkonte kohën duke menduar ngjarjet më të vogla që mund të influencojnë çdo xhest të tij se atëherë do të humbte rastin për të vepruar.

Njeriu i veprimit që di se ku do të arrijë, kujdeset që rruga që ka nisur të mos jetë kryekëput e gabuar dhe kur e sheh se faktet nuk vërtetojnë parashikimet e tij, ndërron taktikë pa u ndalur nga fjalët e botës që do të thotë se u gabua. Ai shikon qëllimin dhe respekton faktet, të cilëve u jep të drejtë sa herë që nuk janë dakord me projektet ose dëshirat e tij.

Mjerisht shumë intelektualë të rinj shqiptarë hyjnë në kategorinë e parë. Ata mbasi nxijnë letra tërë ditën nëpër zyrat për të gjetur ndonjë shkresë o ndonjë pllug të arratisur në labirintin burokratik, mblidhen nëpër kafenetë dhe flasin mbi situatën. Që të gjithë e pranojnë se punët venë keq, keq sa s’ka ku të vejë më. Pa e lënë të mbarojë fjalën gjithë të tjerët ngrejnë duart në qiell dhe psherëtijnë: Ah! S’bëhet gjë me këtë popull! Fillon pastaj numërimi i të metave të ‘këtij populli’ që ndalon intelektualët të realizojnë idealin e tyre. Po ky ideal ç’është vallë? A mos është zgjimi i popullit, dalja e tij nga errësira ku gjendet sot? Jo, aspak! Ideali i shumë intelektualëve të rinj shqiptarë është një jetë e rehatshme, pa andralla as mundime, me para boll, komfort e dëfrime moderne.

Dhe në është se ata nuk e gëzojnë këtë jetë të ëndërruar fajin e ka populli, i cili nuk kupton shpirtin e intelektualëve dhe nuk vepron siç dëshirojnë ata.

*Botuar më 13 Maj 1934 tek Gazeta “Illyria”, Tiranë.