Kulturë

Si po përdoret Inteligjenca Artificiale për të luftuar Covid19 - Nga Shyqyri Dekavelli

  • Published in Kulturë

Inteligjenca Artificiale ka një përdorim të gjerë në shumë fusha, si në ekonomi, mjekësi, edukim, siguri, kërkime shkencore të çdo lloji, etj.

Tani ajo po përdoret shumë në luftën kunder Covid19 në shumë vende e sidomos në Kinë e SHBA. Në Spitalin e Përgjithshëm të Masaçusets, studiuesit dhe mjekësia po hulumtojnë përdorimin e mundshëm të robotëve inteligjentë të krijuar në Boston Dynamics për t’u vendosur në klinikat e ngritura për Covid 19 dhe repartet spitalore për të kryer detyra të personelit shendetësor, për të penguar transmetimin e sëmundjes.

Disa qeveri dhe sisteme spitalore në të gjithë botën kanë nxitur përdorimin e sensorëve të mundësuar nga Inteligjenca Artificiale për të përcaktuar të sëmurët me mënyra të sofistikuara.

Një kompani kineze e teknologjisë zhvilloi një sistem sensori me rreze infra të kuqe pa kontakt me njerëzit për të veçuar shpejt individët e infektuar, madje edhe në turmë. Një stacion hekurudhor i Pekinit është i pajisur me këtë sistem për të identifikuar individë potencialisht infektues, duke zëvendësuar një proces të vështirë kontrollimi manual.

Në mënyrë të ngjashme, Spitali i Përgjithshëm Tampa i Florida-s vendosi një sistem te Inteligjences Artificiale në hyrjet e tij për të përcaktuar individët me simptoma të mundshme Covid19, nga pacientët e ndryshëm që shkonin për vizita në spital. Nëpërmjet kamerave të pozicionuara në hyrje, teknologjia kryen një skanim termik të fytyrës për të percaktuar e ndaluar vizitorët me simptoma të Covid19.

Spitali Wuhan Wuchang i Kinës krijoi një pavion inteligjent në terren, i asistuar kryesisht nga robotët. Shenjat vitale të pacientit u monitoruan duke përdorur termometra të lidhur dhe pajisje të ngjashme me byzylykët. Robotët inteligjentë u jepnin ilaçe dhe ushqim pacientëve, duke lehtësuar ekspozimin e personelit shëndetësor ndaj virusit dhe duke lehtësuar ngarkesën e punës të punonjësve të kujdesit shëndetësor që patën një lodhje të madhe.

Koreja e Jugut gjithashtu po përdor me sukses aplikacione e pajisje të Inteligjencës Artificiale në luftën kundër Covid19.
Pandemia e shkaktuar nga Covid19 përveç problemeve të mëdha në sistemin e shëndetësisë, po krijon probleme të shumta ekonomike në të gjitha vendet e botës.

Shtetet e Bashkuara kanë aktualisht një borxh disa herë më të madh se Kina dhe ky zhbalancim përbën një shqetësim të vazhdueshëm për Uashingtonin.

Rivaliteti është po aq i ashpër në fushën e Inteligjencës Artificiale, ku të dyja vendet kanë hedhur hapa galopantë krahasuar me vendet e tjera.

Dihet se kush do të dominojë këtë sektor, do të dominojë edhe tregjet në të ardhmen, pasi Inteligjenca Artificiale do të gjejë një përdorim gjithnjë e më të gjerë në jetën e të gjithëve. Kjo përplasje merr tani dimensione të reja, në kontekstin e një krize të rëndë globale si pasojë e pandemisë Covid19.