Kulturë

Nga Hirushja e përrallës, tek ato të filmave të kohës - Nga Vangjush Saro

  • Published in Kulturë

Vangjush Saro - Vancouver

Fjalë për ngjashmëri e skema, por edhe… përjashtime në artin e shtatë

Në këtë temë, qasja shkon pothuaj krah një sfide. Por fundja, është thjesht një bisedë për ta shkuar disi ndryshe kohën e lirë… Bie fjala, çfarë është e njëjtë, më mirë e ngjashme në krijime të ndryshme? Çfarë është mirëfilli gjetje dhe çfarë zhvendoset, kopjohet, denigrohet? Cilat janë ‘skemat’ e mërzitshme dhe ku mund të shikojmë ‘përjashtime’?

Si fillim, e vlen t’i hedhim një sy përrallës së njohur “Hirushja”; (Vëllezërit Grim, shek. 18-19). Duke qenë ndër më të hershmet histori romantike, ajo kapërceu shekuj e zhanre dhe u bë njëlloj ëndrre, inspirim, për të gjithë njerëzit; përfshi ata të krijimtarisë. Në një formë apo në një tjetër, në gjetje e subjekte që në sy të parë nuk përkojnë, historitë me ‘Hirushe’ i kanë dhënë shumë ngrohtësi e shpresë jetës, prurje pa fund letrave dhe artit. Figura e vajzës së varfër e të urtë apo të braktisur, që ëndërron, që është në kërkim të jetës së vet, të princit të vet, u pa në një sërë vepra.

Në fakt, rimarrja e motivit, më e pakta ardhja në një rreth të caktuar tematik, është e natyrshme. Në filma që inspirohen nga novela të publikuara më parë, gjithashtu rimerren motivet, edhe ai që po shqyrtojmë në këto radhë. Një nga shembujt më të njohur është “Pretty Woman”/“Gruaja e bukur”. (Garry Marshall/Julia Roberts, Richard Gere).

Gjithë në atë ‘histori’ vjen “You’ve Got Mail”/“Ka letër për ty” (Nora Ephron/Meg Ryan, Tom Hanks) ku vajza e ngratë, që ka një librari të vogël, shkon dhe e gjen lumturinë te milioneri e konkurenti që ia kishte mbyllur biznesin, por që e adhuronte për karakterin dhe kurajon e saj.

Film tjetër që ‘vizaton’ po ashtu njëlloj Hirusheje është “While you were sleeping”/ “Ndërsa ti flije” (Jon Turteltau/Sandra Bullock, Bill Pullman) film nga ata që përcjellin sadopak mirësi dhe, nga pikëpamja e etikës, mund të shikohen në mënyrë komode në familje: Një jetime, por vajzë me virtyte, gjen lumturinë në një familje të madhe. Pasi i kishte shpëtuar jetën njërit prej djemve të kësaj familjeje, të cilin, në fakt, e donte nga larg, rrethanat dhe dashuria e vërtetë e çuan te vëllai i tij.

Edhe “A maid in Manhatan”/“Një shërbyese në Manhatan” (Wayne Wang/Jennifer Lopez, Ralph Fiennes) është po në ato ‘ujëra’; një punonjëse hoteli, krejt rastësisht, flirton dhe pastaj lidh jetën me… një senator.

Është e njohur thënia për 7 notat e muzikës; pak a shumë, kjo ndodh edhe në letërsi e arte. Kur shkrimtarët dhe kineastët arrijnë të ndërtojnë një ‘histori’ më vete, në ngjyra e përmasa të tjera, sado ngjashëm me ‘përrallën’, krijimi i mbetet botës si një prurje e re, si një interpretim i ri, krejt tjetër, pra edhe arritje dhe përvojë e re. ‘Valenca’ e veçanësisë ndan veprën nga imitimi apo kopja**.

&

*Emrat janë pozuar siç shkruhen, për shkak të shoqërimit me titujt e tyre (edhe) në anglisht. (Emri i parë është i regjisorit ose regjisores.) Faleminderit për mirëkuptimin.

**Në foto: Sandra Bullock në filmin “Ndërsa ti flije” dhe Julia Roberts e Richard Gere në filmin “Gruaja e bukur”.

©Vangjush Saro