Kulturë

Shkrimtar apo Çmimëtar? - Nga Artan Gjyzel Hasani

  • Published in Kulturë

Sapo mësova që libri im “Imoralisti” është shpallur nga Bukinist.al si vëllimi më i mirë poetik i vitit 2020. Një konkurim i librave më të lexuar ku fituesin nuk e shpall një juri, por votat e lexuesve.

Falenderoj me mirenjohje botuesin tim Bujar Karoshi, organizatorët e Festivalit poetik “Bukinist 2020” dhe lexuesit që përzgjodhën “Imoralisti” si librin më të mirë në zhanrin poezi. Aktivitete të tilla letrare janë një format i vlefshëm për të vënë në vëmëndje të lexuesve sa më shumë libra dhe autorë. Një promovim online titujsh në epokën e virtualitetit është padyshim një gjë shumë e mirë. Falë internetit çdo autor mund ta shpalosë dhe ta çojë krijimtarinë e vet te lexuesi në kohë reale, pa pasur nevojë për ndërmjetës të dyshimtë qokash me pagesë apo favore.

Përtej kësaj, dua të përsëris mendimin tim të kahershëm në lidhje me kotësinë dhe absurditetin e çmimeve letrare. Përsëris që trajtimi i letërsisë si një garë dhe sport është gjëja më antiletrare e mundshme.

Çdo njeri që ulet të shkruajë letërsi, si ata që janë afirmuar, ashtu edhe dikush që është në hapat e veta të para të krijimtarisë, ka një grup admiruesish e adhuruesish për të cilët ai është “gjeni”, “unikal”, “më i miri”, dhe krijimet e tij natyrisht janë “perla”, “mjeshtërore”, “mahnitëse”, “të pakrahasueshme” e një radhë e gjatë superlativash të tjera.

Po ashtu, një çmim i dhënë nga një juri “profesionistësh” dëshmon vetëm faktin që 4 vetë kanë rënë dakort që X libër është më i miri. Nëse do ishin 4 anëtarë të tjerë jurie do dilte fitues libri Y, e me këtë arsyetim kuptohet lehtësisht subjektivizmi i çmimit letrar dhe i vetë konkurimit të autorëve apo titujve.

Nga ana tjetër, edhe një çmim i dhënë nga vota lexuesish, edhe pse në pamje të parë mund të duket objektiv, përsëri mbart të njëjtin subjektivizëm. Kush ka më shumë admirues online fiton. Por jo të gjithë autorët kanë krijimtarinë e tyre online, në Facebook apo portale të ndryshme letrare.

Unë nuk e di pse libri im qënka “më i mirë” se librat konkurues të Luljeta Lleshanakut, Ervin Hatibit, Bardhyl Londos, Petrit Rukës apo Rudolf Markut.

Për ta shtyrë edhe më tutje arsyetimin tim, unë nuk mendoj se ekziston libri “i mirë” apo libri “i keq”, e për pasojë, as autori “i mirë” apo “i keq”.

Nuk ka libra dhe autorë të mirë apo të këqinj, por ka vetëm libra dhe autorë që na pëlqejnë ne, të cilët jo detyrimisht i pëlqejnë dikujt tjetër.

Mund të tingëlloj arrogant me këtë shënim, por i çliruar tashme nga kompleksi hipotetik i “dhelprës dhe rrushëve” që mund të aludonte ndokush që është njohur prej shumë vitesh me mendimin tim në lidhje me çmimet letrare të shprehur në intervista të ndryshme ndër vite, pas mbi 30 vjet krijimtarie të botuar dua t’u drejtohem shkrimtarëve të rinj, atyre që sapo kanë hyrë në botën e letërsisë.

Shkruani dhe veç shkruani dhe mos rendni pas çmimeve, medaljeve dhe kupave sado të arta të jenë ato. Mos e shisni shpirtin tuaj artistik për asnje çmim.

Shkruani dhe veç shkruani dhe mos e shkëmbeni dinjitetin tuaj me favoret e “atyre që i kanë në dorë” promovimet vanitoze të librit tuaj. Nëse mundni shumëzojini me zero! Pas pak kohe do të bindeni që ata nuk kanë asnjë vlerë përpara librit tuaj.

Kujt do t’i mburesh me çmimin që ëndërron? Sa ditë do të zgjasë kjo mburrje për diçka për të cilën ti mbase ke shitur edhe shpirt dhe dinjitet? Ne lexojmë dhe shijojmë autorët që kanë lënë gjurmë në epoka dhe shekuj, por nuk dimë asgjë për çmimet e tyre letrare.

Ashtu siç dimë që ajka e autorëve më të lexuar të planetit nuk kanë fituar kurrë ndonjë çmim letrar.

Nuk janë njerëzit që e japin verdiktin për veprën tënde. Është KOHA ajo që e jep.

Lëre KOHEN të dëshmoje sa vlen libri yt, lexuesin e nesërm, te pasnesërm, kur ti nuk jeton më dhe askush nuk di asgjë për ty, përveç asaj që ke lënë të shkruar - testamenti yt i vetem letrar.

Përndryshe lërë letërsinë dhe merru me sport. Vetëm atje do kesh mundësi të jesh më i miri apo më i keqi dhe askush nuk do e dyshojë këtë.

Ndaje mendjen pra, do të bëhesh shkrimtar apo çmimëtar?

Janë dy rrugë të ndryshme.

©Artan Gjyzel Hasani