Kontributi i ri i Dr. Paulin Markut për historinë tonë kombëtare - Nga Rafaela Prifti
- Published in Kulturë
Me anë të dokumenteve të paraqitura në librin e tij të ri, Dr. Paulin Marku sjell tablonë dramatike të viseve shqiptare në fillimet e shekullit XX, kur “Perandorisë Otomane po i vinte fundi, Fuqitë e Mëdha ishin të interesuara të mbronin interesat e tyre, Austro-Hungaria dhe Italia donin të ruanin status-quo-në, ndërsa krerëve shqiptarë si: Ismail Qemal Beu, Hasan Prishtina, Preng Bibë Doda, etj. iu duhej të lobonin me kancelaritë e huaja prej nga kërkonin ndihma e armatime për kryengritjen antiosmane,” por, duke treguar shume kujdes dhe duke qenë të vetëdijshëm për raportet delikate me aktorët e fuqishëm politikë të kohës. Dr. Marku e konsideron librin Dokumente Diplomatike Italiane për Historinë e Shqiptarëve gjatë Vitit 1912 “kontributin e tij për historinë tonë kombëtare.”
Ky projekt me rëndësi i Institutit të Historisë në Akademinë e Studimeve Albanologjike (ASA) nënvizon nevojën e plotësimit të studimeve historike shqiptare me dokumente italiane, thotë autori. Relacionet dhe shifrat e telegrameve dërguar për konsullatat dhe legatat italiane evidentojnë se Roma zyrtare jo vetëm kishte informacione të detajuara në terren por edhe interes primar për ngjarjet në Ballkan, organizimin e shqiptarëve, gjendjen e brendshme të Perandorisë Osmane, dhe qëndrimin e shteteve ballkanike dhe Fuqive të Mëdha ndaj çështjes shqiptare. Dokumentet pasqyrojnë situatën politike-ekonomike dhe shoqërore të shqiptarëve duke dhënë informacione për shkencat historike, politike, ekonomike e shoqërore-kulturore.

Dr. Marku vazhdon të shkruajë studime, monografi e publikime shkencore në Shtetet e Bashkuara. Ai vëren se hulumtimi në arkivat shqiptare dhe të huaja ka qenë dhe mbetet një detyrë e rëndësishme për çdo studiues. Për punën e tij hulumtuese, ai thotë se është e vështirë të ndalesh kur merresh me kërkime shkencore dhe me studime “në lamin e dokumentacionit historik e diplomatik.” Pasioni i tij për historinë nis qysh në vitet shkollore në vendlindjen e tij në Lezhë. I dhënë pas përkushtimit të tij për studimet historike politike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, ai ndoqi studimet në shkencat humane në Universitetin La Sapienza, Romë, Itali. Në të njëjtin universitet, Marku mbrojti disertacionin me temën “Ahmet Zogu, themelimi i Shtetit shqiptar dhe konsolidimi i tij në arenën ddërkombëtare”, dhe aty mori titullin Doktor i Shkencave. Ai është autor i disa studimeve shkencore të publikuara në botime e revista brenda dhe jashtë vendit, si edhe pjesëmarrës në disa konferenca e seminare shkencore.
Dr. Marku sjell tek lexuesi shqiptar librin e parë të botuar në Tiranë nga ASA me dokumentacione italiane lidhur me periudhën e pavarësisë shqiptare. Për përgatitjen e vëllimit, studiuesi ka hulumtuar më shumë se 16,000 dokumente në gjuhën italiane, të cilat i ka seleksionuar dhe përkthyer me standarde shkencore. Libri në tërësinë e tij është dëshmi e dokumentuar e lëvizjeve të kujdesshme të elitës politike shqiptare në kohën kur dobësimi i sundimit pesëshekullor dhe shthurja e Perandorisë paralajmëronin rreziqe të copëtimit të trojeve shqiptare nga fqinjët, kombinuar me premisa politike të rrezikshme dhe interesa rivale të kancelarive të huaja. Për nga roli dhe rëndësia historike, spikatin dy momente: mbledhja e elitës politike në lagjen Tasim në Stamboll në Janar 1912 parashtron platformën që do të ndiqnin udhëheqësit politikë shqiptarë ndaj Portës së Lartë në të ardhmen; dhe qëndrimi i përfaqësuesve të zgjedhur nga populli shqiptar në Parlamentin e Stambollit, i cili nisi punimet për herë të parë në fund të vitit 1908, edhe pse de juro ishte miratuar qysh prej vitit 1876.
Për pyetjen time në lidhje me përpjekjet diplomatike të periudhës së pavarësisë dhe rolit të diplomacisë shqiptare të kohës sonë, Dr. Marku vëren se “patjetër që diplomacia është shkollë më vete dhe aty ka vend për mësim gjithmonë, sidomos nga e shkuara dhe rrethanat e ndërlikuara historike e politike që patën shqiptarët në gjysmën e parë të shekullit XX.” Në harkun mbi një shekullor nga fillimi i viteve 1900 deri në 2020 janë parashtruar, komentuar dhe analizuar teza, pseudo-teza e kundërteza të natyrave shkencore, politike, diplomatike etj. që shpesh kanë polarizuar opinionet dhe turbulluar të vërtetën historike. “Për periudhën që flasim libri është i plotë dhe gjenden të dhëna dhe informacione të ndryshme për çdo person që është i interesuar të di të shkuarën historike të shqiptarëve dhe të katër vilajeteve, të Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës që gjenden në dokumentet diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë,” pohon akademiku Marku.
Dr. Paulin Marku falenderon veçanërisht “Vatrën” e vatranët per promovimin e librit. Ai shpreh mirënjohje për Drejtorin e Institutit të Historisë në Tiranë, akademik prof. Dr. Beqir Meta për recensionimin e këtij vëllimi. Ai gjithashtu falenderon kolegët e Departamentit të Pavarësisë dhe Konsolidimit të Shtetit Shqiptar dhe të Institutit të Historisë si edhe miq e dashamirës të tjerë jashtë institutit.
©Rafaela Prifti











