Kulturë

Rruga e Bob Dylan drejt Çmimit Nobel në Letërsi - Nga Flurans Ilia

  • Published in Kulturë

Flurans Ilia - Montréal

Sa rrugë duhet të përshkojmë, përpara se ta quash atë fitues të Çmimit Nobel, si autor këngësh? Kjo pyetje e përsëritur herë pas here ka filluar të shtrohet në qarqet letrare, madje edhe në rutinën vjetore të diskutimeve se kush duhet të fitoj Çmimin Nobel në letërsi. Kandidati surprizë i radhës, këtë vit sërish: Bob Dilan. Për një kohë të gjatë shumë kritikë muzike e kanë pohuar faktin se Dilani është autori më i thellë i këngëve në muzikën e kohëve tona. Ripërtëritja e kandidaturës së tij për Çmimin Nobel këtë vit është ngritur si një pyetje që ka shkaktuar debat mes autoriteteve të letërsisë: A duhet që autorët e këngëve të kualifikohen për çmimet më të spikatura në letërsi?

Përsëri Prof. Riksi, që për një kohë të gjatë studion dukurinë e autorëve të këngëve dhe lirikat e tyre, përgjigjet se pikëpyetja ka ngelur një çështje kërshërie në rrethet letrare. Ai thekson: “Askush tjetër nuk ka përdorim të ngjashëm të fjalëve, si Dilani, por mendoj se është një lloj arti i përzier. Them se pyetja nuk duhet shtruar në lidhje me çmimin që ai meriton, si nderim për artin e tij. Pyetja duhet shtruar nëse arti, në një kontekst më të gjerë, duhet përshkruar si letërsi.”

Prof. Gordon Boll (Gordon Ball) përgjigjet: “Padyshim që po: poezia dhe muzika janë të lidhura me njëra-tjetrën, dhe besoj se Bob Dilani ka ndihmuar drejtpërdrejt në ngjizjen e kësaj lidhjeje, njësoj si trubadurët e hershëm.” Prof. Boll thotë se e ka rekomanduar Dilanin për Çmimin Nobel menjëherë pas letrës rekomanduese dhe urgjente të poetit të njohur të “Brezit Grushtdhënës” (“Beat Generation”), Alen Ginsberg (Allen Ginsberg) më 1996, ku shkruhet: “Dilani është një nga poetët më të mëdhenj amerikanë të shekullit XX, një mëndje e kthjellët dhe universale”.

Në tekstet antologjike të shkollave të mesme dhe të universiteteve të Amerikës lirika e “Zotni Harmonika” (“Mr. Tambourin Man”), shkruar nga Dilan, është e përfshirë në studimin e detyruar. Shumë prej vargjeve të tij janë botuar, si vëllime të mirëfillta poetike.

Ndërsa Prof. Alisona Buth (Alison Booth), hartuese dhe bashkëpunëtore e antologjive shkollore, shprehet: “Nuk kam aspak vështirësi dhe pengesë për t’i quajtur lirikat e Bob Dilanit, si krijime të mirëfillta letrare.” Vëzhgues të Çmimit Nobel shpesh e kanë ngritur problemin e shqyrtimit me mospërfillje dhe me përbuzje të autorëve të këngëve, të përfshirë si kandidatë nga ana e Akademisë.

Njëri syresh thotë: “Nëse ndodh që një autor këngësh të fitojë Çmimin Nobel, kjo do të ishte një mrekulli e rënë nga qielli, shumë pranë mendjeve të lira. Por kjo besoj se është një ide skeptike për çastin, ngaqë me termin letërsi nënkuptohen dhe merren parasysh vetëm fjalët.” Autorët e këngëve nuk duhet të përjashtohen nga e drejta për të marrë Çmimin Nobel, sepse përmbajtja dhe forma e lirikave të tyre, në kuptimin letrar të fjalës, mundet të jenë poezi të shkëlqyera.

A shkruan Bob Dilani këngë me lirika të paharrueshme, apo poezia krejt natyrshëm futet në muzikë? Dilani, i cilësuar si këngëtari më i madh folk i shekullit XX, me një karrierë më se 45 vjeçare në publik, me më tepër se 40 albume muzikore, mijëra këngë të shkruara dhe disa libra poetikë, poet me një vizion të jashtëzakonshëm, shpesh i është shmangur kësaj pyetje.

Antikonformist i njohur në raport me materializmin industrialist të pop-kulturës amerikane, në vitin 1965 është përgjigjur shkarazi: “Mendoj se jam më tepër këngëtar se sa valltar”. Për gati 20 vjet nuk ka dhënë asnjë intervistë. Argumentet janë rihapur edhe njëherë së fundi me daljen e librit “Vision of Sin” (“Pamësia e mëkatit”) nga profesori i Universitetit të Oksfordit (Oxford University), z. Kristofor Riks (Christopher Ricks), i cili thotë:

“Lirikat e shkruara nga Dilani kanë hyrë në paktin e jetëgjatësisë. Termi letërsi thjesht nënkupton një lëndë të përbërë prej sintezave të ngjeshura të fjalëve. Pra, tërheqja e vëmendjes prej këtyre fjalëve, jo në kuptimin e funksionit të fjalës si njësi e vetme, sepse, natyrisht, kadenca muzikore, zëri, stili, kanë rolin e vet, por nga pikëpamja e fjalës që shpërthen aty për aty dhe në mënyrë krejt të pavarur nga të gjitha këto përbërës, është argumenti i ngritur tashmë për dekada në pyetjen nëse Bob Dilani është zëri i përveçëm i “Brezit Bëmëmadh” (“Boom Generation”), i cili, pa të, do të mbetej fare i padëgjuar!”

“Nuk besoj se Bob Dilani ka tendenca për t’u shfaqur si poet i madh; ai thjesht ngelet këngëtar popullor, - thotë Pol Gambaçini (Paul Gambaccini), studiues muzike, - idhujt e tij janë këngëtarë folk, si Udi Gathri (Woody Guthrie), dhe jo poetë, si Robert Frosti (Robert Frost). Por roli i poetit e ka ndihmuar të jetë vetvetja, krejt unik; mënyra e tij se si vjen tek ne është kryekëput poetike. Natyrisht, e kam pyetur veten nëse krejt brezi im e ka quajtur Dilanin poet të madh, ngaqë, për hir të talentit që shfaqi, nuk kishim poet tjetër më të arrirë. Por jo, thjesht u gjendëm të kaptuar nga periudha më frutdhënëse artistike e tij në vitet 1960. Më e jashtëzakonshmja, mendoj.”

Prof. Riksi thotë: “Dilani është në të njëjtin nivel me poetët Millton (Milton), Kits (Keats), Tenison (Tennyson). Ai bën pjesë në kategorinë e poetëve, që meriton thellësisht vëmendje dhe respekt. Poezia e tij, patjetër, duhet të lexohet mirë, në kundërshtim me mendimin e disave, të cilët e quajnë kundërvënës të traditës, i formave të mbledhura lart e poshtë . Nuk besoj se është kështu. Në shumë prej këngëve të tij, të shkruara tradicionalisht dhe në mënyrë inteligjente, vërehet ndikimi i poetëve francezë Pol Verlen (Paul Verlaine) dhe Artur Rembo (Arthur Rimbaud). Madje edhe i vetë Shekspirit (Shakespeare), si edhe i poetëve modernë amerikanë, si Ezra Pound (Ezra Pound) dhe T. S. Eliot (T. S. Eliot). Fjala letërsi është e keqkuptuar në të shumtën e kohës, sepse e përdorim për të kuptuar gjëra, të cilat përbëhen vetëm nga fjalë. Shekspiri bën pjesë në të ashtuquajturën letërsi e shkëlqyer me përmasa botërore, me gjuhë dhe fjalë që kanë një vlerë domethënëse të jashtëzakonshme, vetëm si rrjedhojë e interpretimit të tyre në skenën e teatrit. Tek Dilani ka këngë shumë të mira, të cilat i japin një logjikë të plotë idesë së besueshmërisë në një letërsi të mirëfilltë. Në art duhet të besohet. Nëse je duke pritur prova nga dikush që e meriton dashurinë tënde, atëherë është më se e qartë se do të vdesësh i dashuruar. Në të kundërt, nëse ke dyshime, do të vdesësh me mëdyshje. Prandaj, besoj në faktin bindës se Dilani i përdor fjalët në këngë tejet për së mbari dhe në mënyrë profesionale.”

Kur njëherë e pyetën Dilanin nëse fjalët në këngët e tij kanë më tepër rëndësi se sa muzika, ai u përgjigj: “Fjalët janë njëlloj të rëndësishme sa edhe muzika; kënga mbetet këngë pikërisht për shkak të fjalëve.” Riksi e krahason Dilanin me Pikason (Picasso), si pjesë të grupit të artistëve që asnjëherë nuk e dinë se çfarë ndodh pas procesit krijues, duke thënë: “Lidhur me këtë grup artistësh, besoj se është i gabuar krahasimi i një faze të mëvonshme me një tjetër më të hershme, dhe anasjelltas. Cili është thelbi i një blloku tërësor kryeveprash? Cila është vepra më themelore e Shekspirit?”

Ndërkohë, studiuesi Gambaçini thotë: “Nuk mund të quhesh gjeni në moshën 20 vjeçare. Nga këndvështrimi vetjak, e di se do të duhet të vazhdosh punën, edhe pse je përcaktuar si i tillë shumë kohë më parë. Fatmirësisht, Bob Dilani gjithmonë, edhe pse i përcaktuar si talent i spikatur, që kur ishte 20 vjeç, është shfaqur para publikut në mënyrën mbresëlënëse më të papritur, përmes veprash të shkëlqyera. Pas Robert Frostit, Dilani është poeti më i madh që ka nxjerrë Amerika gjer më sot, por, njëherësh, edhe si muzikant dhe këngëtar folk.”

Statusi i një ikone në botën e sotme kulturore, të cilin e gëzon Bob Dilani dëshmohet në disa vlerësime, për shembull, diploma e nderit “Doktor në Muzikë”, dhënë nga Universiteti Shën Andrea i Skocisë më 2004 [(St. Andrews University of Scotland, themeluar më 1413, në veri-lindje të Edinburgut (Edinburgh), i treti universitet më i vjetër në Britaninë e Madhe dhe një ndër më të shquarit në botë)], me motivacionin “Figurë jashtëzakonisht e rëndësishme dhe me ndikim në kulturën e epokës sonë”.

(Tiranë, 2007)

©Flurans Ilia

*Bob Dylan fiton Çmimin Nobel në Letërsi në vitin 2016 (Shënim i botuesit)