Kulturë

Për Ali Podrimjen, në këtë përvjetor trishtimi - Nga Mehmet Kraja

  • Published in Kulturë

Mehmet Kraja

…Edhe kur mos të jetë më, kur mos të dijë gjë për asgjë, Ali Podrimja do të vazhdojë të ecë rrugëve të Prishtinës, do të shfaqet papritur, do të mbijë nga hiçi, shpatullgjerë, truplidhur dhe energjik, tek çapitet me hapa disi të ngatërruar, sikur ngutet mos të arrijë askund.

Kësaj radhe, kur e pashë, ai mbante një kasketë vere dhe syza dielli, ngjante i shpërqendruar, sikur ikte me ngut nga ndonjë ëndërr që e ndiqte pas. Edhe të folurit e kishte disi gungor, me ca zanore të zemëruara, që merrnin në thua herë në një fjalë dhe herë në një tjetër. Bablok, gjithë natën kam folë me të vdekur, për krye t’Lumit, nuk di çka ka me u ba me ne, kanë me e nda Mitrovicën, ke me e pa, a e ke pa çka ka thanë Çomski, jam tue shkru nji poezi, kanë me e pa! Hoqi kasketën verore dhe e rrotulloi nëpër duar, hoqi edhe syzat e zeza. Sytë e vegjël, nën vetullat e ulëta, ishin pa shprehje, disi të shpenzuar, të kurthuar në mes të një memorie të mjegullt.

Pimë kafe në oborrin e Radios, nën ca bredha të mëdhenj, me hije halore, që të cimbisnin nëpër trup. Një kohë nuk folëm, pastaj thamë diçka pa rëndësi, pastaj sërish nuk folëm. Ali Podrimja u ngrit dy herë, i shkoi dikujt te tavolina, foli me të dhe u kthye duke turfulluar. Pastaj u ul përballë meje, shikoi qiellin dhe, i pakënaqur me pamjen e tij, iu kthye dritareve të epërme të godinës së Radios. Një grua hollake u ngrit nga tavolina pranë, u kthye nga ne dhe na buzëqeshi. Për mua ishte buzëqeshja e vetme e shumë ditëve të shkuara. Ali Podrimjes nuk i bëri përshtypje. Dukej i përqendruar në inatin e vet, të cilin sikur e kishte pikasur diku matanë dhe ia kishte ngulur sytë me një urrejtje të ligështuar.

Bablok, mbramë e kam pa andërr Azem Shkrelin, kish lanë mjekër, për kokë t’Lumit, nuk e njohta, m’tha se i kish botue edhe dy përmbledhje me poezi atje, n’botën tjetër, m’u duk mirë, ma i lumtur se kur ka qenë këtu. Ali Podrimja qeshi, por pastaj u duk sikur u pendua për diçka dhe një pjesë të buzëqeshjes e la pezull. Në aneksin e Radios, andej ku kishte qenë dikur salla e koncerteve, u hap një derë xhami dhe për pak çaste u dëgjua një muzikë e prajshme. Pas pak dera u mbyll, tingujt u shpërbënë dhe ca hije drithëruese e të trazuara u dynden mbi gjelbërimin e nëpërdukshëm, duke kërkuar një peizazh ëndrre ku të preheshin.

(Nga romani “Prishtina”)

©Mehmet Kraja