Kulturë

Pse-në nuk e ka gjetur as Sterjo Spasse - Nga Sadik Bejko

  • Published in Kulturë

Sot është 107 vjetori i lindjes së Sterjo Spasses (1914-1989). Sterjo Spasse është një nga autorët më në zë në letrat shqipe pas viteve 30, me kontribute të spikatura. Romani “Pse?”, i shkruar prej tij në vitin 1935, mbahet si romani i parë filozofik i shkruar në Shqipëri, duke u larguar nga tematika e zakonshme romanore e kohës për të shenjuar një tipologji të re të rrëfimit në historinë e romanit shqip, duke e shpënë llojin letrar drejt modernizmit.

Spasse mbeti një prozator emblematik, tipi i autorëve që me ndërrimet politike iu përshtatën kërkesave estetike të Realizmit Socialist, por pa humbur cilësinë dhe forcën e artit.

Në kujtimet e I. Kadaresë (“Mëngjese në kafe Rostand”) ai mbetet shkrimtari tipik i viteve '30, krijuesi i një lloji me shkrimtarët e brezit të humbur, në librat e të cilëve jepen personazhe të pashpresë, që vdesin a vetëvriten pa gjetur rrugëdalje në jetë, përshkruhen gjendje me psikologji të rënduar e me frymë pesimiste.

Ky shkrimtar shqiptar, ky “dekadent” me vepra, do të ishte një kuriozitet ekzotik, një paradoks, midis kolegëve të tij, që studionin si të bëheshin shkrimtarë komunistë në Institutin e Shkrimtarëve Maksim Gorki, në Moskën e viteve '60.

Spasse mbahet mend edhe si njeri shumë miqësor. Shtëpia e tij te Rruga e Kavajës, pas Kishës Katolike, ishte vendi ku gjeje shkrimtarë nga të gjitha moshat, drejtimet dhe brezat. Mikpritja, stili i thjeshtë pa distancë i Spasseve afronte dhe shkrimtarë si Mitrush Kuteli, Mustafa Greblleshi, Nonda Bulkën e Petro Markon, gjuhëtarë si prof. Mahir Domi... që vinin nga vitet '30.

Me nje kafe, raki a gotë verë Prespe gjeje aty Fatmir Gjatën, Llazar Siliqin, Nasho Jorgaqin, Dhimitër Xhuvanin, I. Kadarenë, prof.  Ziaudin Kodrën, por dhe të tjerë të moshës së fëmijëve të tij.

Me korpusin e romaneve të tij me temë nga historia e Rilindjes shqiptare Sterjo Spasse e përtëriu poetikën e prozës së tij, duke mbetur një prozator me kreativitet të spikatur.

Shënim:

Në Tiranën e viteve '50-'60, atij që mundohej të gjente “Pse-në”, e jetës, atij që pyeste “pse e pse më ndodhi kështu?”, ia kthenin me një batutë:

- Pse-në nuk e ka gjetur as Sterjo Spassja!

©Sadik Bejko

(Foto lart: Në ditën e inagurimit të bustit të Sterjo Spasses, 14 gusht 2014, me rastin e 100 vjetorit të lindjes, në fshatin e lindjes Gollomboç, në breg të liqenit të Prespës)