Kulturë

Si shpjegohet Vatikani nga CGP Grey

  • Published in Kulturë
Nga: Shqipëroi Arben Kallamata

Qyteti i Vatikanit, kryeqytet i Kishës Katolike, banesa e Papës dhe zotëruesi i një koleksioni të pamasë arti dhe historie, përmblidhet brenda kufijve të shtetit më të vogël në botë, të cilit mund t’i biesh rrotull duke ecur në këmbë në më pak se 40 minuta.

Kush ia bëri botës peshqesh këtë shtet kaq të vogël?

Po t’i biesh shkurt, përgjigja është Musolini. Po t’i biesh gjatë është më e ndërlikuar.

Që nga Mesjeta e hershme për më shumë se 100 vjet papët kanë sunduar një vend të quajtur Shtetet Papale që përfshinte pjesën qëndrore të Italisë. Në një nga kodrat e Romës të quajtur Vatikan ata ndërtuan Bazilikën e Shën Pjetrit, kishën më të madhe të botës, dhe pastaj e rrethuan edhe kishën edhe kodrën me mur.

Pasi krijuan shtetin dhe mbretërinë e tyre, italianët menduan se Roma duhet të ishte kryeqyteti i këtij shteti, prandaj i ranë dhe pushtuan Shtetet Papale. Kur pa që iu shkatërrua shteti, Papa u struk brenda mureve të Vatikanit dhe filloi të ankohej se po e mbante aty të burgosur shteti i Italisë, të cilin ai nuk e njihte si shtet.

Duke mos dashur të acaronte marrëdhëniet me besimtarët, Mbretëria e Italisë vendosi të mos e sulmonte, por ta presë që Papa të dilte vetë nga rrethimi. Por Papa, që pretendonte se po mbahej i burgosur nga një shtet që për të nuk ekzistonte, vendosi të qëndrojë. Jo vetëm kaq, por ai u pasua edhe nga 5 papë të tjerë me të njëjtën mendje, që nuk hoqën dorë për gjashtëdhjetë vjet rresht nga ngujimi dhe nga akuzat për shtetin që nuk e njihnin.

Kështu vijmë në kohën e Musolinit i cili, kur u bë Kryeministër i Italisë mendoi se mund të nxirrte ndonjë përfitim po të binte në ujdi me Papën. Ja dhe pikat kryesore të marrëveshjes midis tyre:

1.Italia i jepte Papës tokën e Vatikanit.

2.Italia i jepte Papës edhe një shuk paresh si për t’i kërkuar falje që i kishte marrë shtetin.

Si këmbim:

3.Papa pranonte ekzistencën e Italisë.

4.Papa premtonte të mos i fuste hundët në politikë dhe në luftë.

Kjo pika e fundit, kuptohet, paraqiste interes të veçantë për planet e Musolinit.

Marrëveshja u nënshkrua nga të dy palët dhe kështu u krijua shteti i Vatikanit.

Sot, ai shteti mikroskopik majë kodrës i gëzon të gjitha të drejtat që mund të ketë një shtet: ka qeverinë e vet, bën ligjet e veta që vihen në zbatim nga policia e vet, ka edhe burgun e vet. Gjithashtu ka edhe bankën e vet, nxjerr pullat e veta dhe lëshon targa për makinat. Nuk i mungon as adresa shtetërore në internet: .VA.

Megjithatë, Vatikani nuk është si gjithë shetetet e tjerë. Ja disa nga ndryshimet:

Për të kuptuar Vatikanin duhet të keni njohuri për dy njerëz dhe për dy sende: Papa, që e njohin të gjithë, dhe Karrigia e Sheshtë (që i ngatërron të gjithë, veçanërisht shqiptarët të cilët e përkthejnë Selia e Shenjtë, kur në latinisht është Sanctae Sedis, në italisht Santa Sede, në Anglisht Holy See, dhe frëngjisht Sant Siege - më së shumti mund t’i thuhej Ndenjësja e Shenjtë); shteti i Qytetit të Vatikanit dhe, ai që është thuajse i panjohur për të gjithë, Mbreti i Qytetit të Vatikanit.

Pra, së pari është Papa, që ka të drejtë të rrijë te karrigia dhe që luan rolin e Peshkopit për të gjithë katolikët e Romës. Në fakt, të gjithë peshkopët e Kishës Katolike e kanë nga një karrige ku ulen, por meqënëse karrigia e Papës është e veçantë, ajo ka edhe emrin e vet: Karrigia e Shenjtë.

Kur vdes ose del në pension Papa, fillon loja e karrigeve për të parë se cili nga kardinalët do të ulet në Karrigen e Shenjtë. Që do të thotë se papët shkojnë e vijnë, por karrigia është e përjetshme. Prandaj Karrigia e Shenjtë nuk simbolizon vetëm Papën, por edhe gjithë rregullat që e bëjnë Kishën Katolike të jetë ajo që është.

Kur u nënshkrua marrëveshja për të cilën folëm më lart, Musolini ia dha teknikisht tokën e qytetit (kodrës) së Vatikanit Karriges së Shenjtë që është në fakt, nga ana ligjore, një person juridik, një korporatë ligjore. Pra, sa herë dëgjoni fjalët Karrigia e Shenjtë (ose Selia e Shenjtë, siç jeni mësuar ta dëgjoni në shqip), kujtohuni që emri i plotë është Karrigia e Shenjtë Inc që ka për Oficer Ekzekutiv Kryesor Papën.

Tani le t’i kthehemi Mbretit. Mbreti i Qytetit të Vatikanit ka fuqi absolute, të pakufizuar, brenda mureve të shtetit të vet. Pra Qyteti i Vatikanit është një ndër shtatë monarkitë absolute të botës (gjashtë të tjerat janë Brunei, Omani, Katari, Arabia Saudite dhe Svazilandi). Pushteti absolut i Mbretit është pengesa kryesore që e nuk e lë Qytetin e Vatikanit të pranohet si anëtar i Bashkimit Europian, ngaqë ky i fundit pranon vetëm vende demokratike.

Formalisht Qyteti i Vatikanit ka një degë ligjëvënëse të qeverisë, ku shërbejnë kardinalët që emërohen nga Papa, por Mbreti i Vatikanit mund t’i hedhë poshtë dhe t’i ndërrojë vendimet e tyre kur të dojë dhe pa qënë nevoja të japë shpjegime.

Pyetja është: Përse nuk dini ju asgjë për Mbretin e Qytetit të Vatikanit? Sepse Mbreti i Vatikanit dhe Papa janë i njëjti person dhe kjo e bën gjendjen edhe më qesharake, pasi Papa është person i zgjedhur, ndërsa Mbreti është person i gjithëpushtetshëm dhe me ata të dy Qyeteti i Vatikanit është e vetmja monarki absolute, jo e trashëgueshme dhe e zgjedhur me vota në botë. Kjo e vështirëson shumë situatën, pasi, në vartësi të problemit, ose sipas leverdisë, Papa mund të veprojë ose si Mbret i Qyetit të Vatikanit ose si Papa i Karriges së Shenjtë.

E kuptuat?

….

Përkthyer nga CGP Gray’s “Vatican City Explained”.

Mund të ndiqni videon për më shumë.

https://www.youtube.com/watch?v=OPHRIjI3hXs