Kulturë

Ciganët sipas Shahnamesë - Nga Artan Gjyzel Hasani

  • Published in Kulturë

Artan Gjyzel Hasani - Toronto

Ndonjëherë burimet poetike të ngjarjeve janë më të besueshëm se burimet historike. E në ndonje rast të rrallë i vetmi burim rrëfimtar.

Të dhënat genetike dëshmojnë se romët (ciganët) e kanë origjinën nga India. Kjo është e vetmja gjë e sigurtë që dihet rreth tyre.

Deri më sot nuk ka asnjë provë, fakt apo dokument të shkruar apo gojor që të provojë arsyet pse kjo popullatë u shpërnda nëpër Europë (historia nuk njeh asnjë emigrim popullate që përkon me kohën kur romët u shfaqën në Europë). Po ashtu mënyra e tyre unike e jetesës ka ngritur pikëpyetje në mungesë të një reference të mëparshme.  Po ashtu edhe prirja e tyre e natyrshme për këngën, vallëzimin dhe veglat muzikore mbetet e pashpjeguar nga studiuesit.

Sidoqoftë një histori shumë e largët në kohë mund të kënaqë kureshtjen, jo vetëm tonën, por mbase edhe të brezave të ardhshëm. Një histori që vjen nga Shahnameh - Libri i Mbretërve - një poemë shumë e gjatë epike (100 mijë vargje) e shkruar nga poeti persian Firdusi për Sulltan Mahmudin e Gaznit diku mes viteve 977 dhe 1010. Konsiderohet si poema kombëtare e Iranit.

Në këtë poemë epike diku thuhet se Mbreti i Persisë, Bahram Gor, gjatë fundit të jetës së tij (vitet 421-439) mësoi se të varfërit e mbretërisë së tij nuk mund të ndiqnin shfaqjet muzikore pasi nuk kishin para për të paguar biletën. Kështu ai i kërkoi mbretit të Indisë t’i dërgonte atij 10 mijë luris, muzikantë që i binin llautës. (jo lahuta, por një vegël muzikore e ngjashme me një mandolinë të madhe) Kur muzikantët arritën, mbreti Bahram i dha secilit një lopë, një gomar dhe një thes grurë, në mënyrë që ata të jetonin me bujqësi dhe të luanin muzikë falas për të varfërit e mbretërisë.

Por muzikantët i hengrën lopët. Hëngrën dhe grurin që duhej ta mbillnin dhe kështu, pas një viti ata u shfaqën para mbretit përsian të dobësuar e të uritur.

Kur mbreti mësoi që ata kishin thyer premtimin që i kishin bërë atij, urdhëroi që ata të largohen nga mbretëria e tij hipur mbi gomerët e mbetur dhe me veglat muzikore në dorë.

Duke patur frikën e ndëshkimit, ata nuk u kthyen në Indi, por rrugëtuan drejt Veriut të Persisë për të arritur më pas në Europën danubiane. Dhe mbajtën përjetësisht vetëm zemrën e premtimit të dikurshëm ndaj sulltanit: të luanin muzikë falas rrugëve të botës.

©Artan Gjyzel Hasani