Bardhyl Londo, poet në gen - Nga Sami Milloshi
- Published in Kulturë
Pak radhë për librin “Prill i hidhur” të poetit Bardhyl Londo
Bardhyl Londo është poet në gen. Kjo do të thotë se ai ka lindur i tillë. Nuk është nga ata që lodhen natë e ditë për t'u bërë poetë me “punë të palodhur”.
Libri i tij i fundit “Prilli i hidhur”, të cilin pata fatin ta marr me autografin e tij, është nga ato libra që njeriu ka dëshirë t'i shfletojë herë pas here për të shijuar bukurinë e dhimbjes njerëzore apo për të kuptuar se çfarë vlere të paçmueshme kanë ndjenjat e dashurisë për atdheun, gruan, natyrën dhe gjithçka që merr frymë nëpër peisazhet ku është lindur e burrëruar autori.
Bardhyl Londo është unik në poezinë moderne shqipe, jo vetëm sepse ka një strukturë krejt origjinale të opusit të tij poetik, por sepse mbi të gjitha ai shfaqet transparent dhe tokësor edhe në të ashtuquajturat tema te mëdha që lidhen me fatet e Atdheut dhe të Kombit Shqiptar. Kush e ka lexuar poezinë e tij “1913” nuk mund të mos gjejë tek ai thelbin e vërtetë të ndjenjës dhe të vetëdijes së Shqiptarit për një Shqipëri të lirë e të papërgjakur...
Londo ka meritën se me poezinë e tij e ka zhveshur historinë tonë nga aureola e miteve dhe e ka sjellë si frymë për të sotmen duke na e bërë po aq te dashur e tokësore si njerëzit e dashur që i duam e na duan.
Regjistri poetik i Londos është jashtezakonisht i gjërë. Sensibël ndaj fatit të njeriut, ai është po ashtu si një violinë e dridhshme kur sheh kodrat e Tiranes, kur takon shokët e babait te ndjerë, apo kur përballet me shuarjen e diellit në det...
Per London është krejt e natyrshme të kamzhikojë të keqen sociale. Por, po aq e natyrshme është t'i gëzohet dhe të shpalosë emocione për një rrugë të hijshme me aromë bliri në qytet.
Londo ka meritë të jashtezakonshme se gjithnjë ka qenë në zenitin e tij poetik kur ka dashur të shprehë dhimbjen për fatin e bashkeqytetarëve të tij. E ka bërë këtë në fillim të viteve 90-të. E përsërit edhe në këtë libër edhe më mjeshtërisht. Këtë e dëshmon më së miri edhe në këtë libër cikli “Qyteti në depression”.
Një Poet në gen nuk sforcohet kurrë ta gjejë shprehjen e vet poetike. Prandaj Londos i burojne metaforat si ujrat e kristalta të viseve përmetare nga vjen. Sinqeriteti i ndjenjës është i mahnitshëm dhe ka po atë bukuri dhe spontanitet që ka e qeshura e tij e befasishme. Unë rrallë kam hasur poetë si Londo, që jo vetëm fjala poetike, por edhe buzëqeshja dhe heshtja u ngjajnë poezive.
Dëshiroj ta falenderoj London publikisht për autografin në librin që më dhuroi në Tiranë. Dhe me këtë rast, po ashtu t'i them se kur të më djegë malli për Tiranën, do ta shfletoj përsëri e përsëri librin “Prilli i hidhur”.
E idhta e poetit në gen i ngjan çuditërisht mjaltit…
Së paku mua kështu më ngjan...
©Sami Milloshi












