Kulturë

E para ishte biblioteka - Nga Artan Gjyzel Hasani

  • Published in Kulturë

Artan Gjyzel Hasani - Toronto

Mendoj se figurativisht Panairet e Librit jane versioni transgender i Bibliotekës.

Dhe prandaj aq të ndryshëm mes tyre në raport me të lexuarit si e vetmja njësi e natyrshme matëse e dijes.

Se në zanafillë e para ishte biblioteka, shumë shekuj më pas libraria dhe vite më pas saj u shpik panairi i librit.

Biblioteka ishte produkt i të shkruarit dhe prodhonte dije.

Libraria ishte produkt i printimit/shtypjes mekanike dhe mundësoi vitrinën e librit.

Panairi ishte produkt i tregëtisë dhe prodhonte parà.

Biblioteka daton qe nga shekulli 7 para Krishtit në oborrin mbretëror të sundimtarit asirian Ashurbanipal ne Nineve të Irakut të sotëm. Kishte mbi 30 mijë tableta druri dhe metali të ndara sipas fushës që trajtonin, art, poezi, histori, gjeografi, filozofi, mjekësi dhe art ushtarak. Ishte për përdorim elitar të oborrit mbreteror, mjekëve, dijetarëve dhe ushtarakëve.

Libraria më e vjetër në botë që funksionon akoma është Libraria Bertrand e Lisbonës, Portugali, që daton vitin 1732.

Por institucioni i shitblerjes së librit vjen që nga viti 300 para Krishtit. Shkruhet se Platoni pagoi shumën e madhe prej 100 minae (monedhë e Greqisë së Lashtë) për 3 vepra të vogla të Philolausit.

Në Romën Antike shtëpitë e të pasurve kishin bibliotekat personale që shërbenin edhe si librari ku vizitorët mund të blinin veprat e autorëve të preferuar.

Panairi i parë i Librit në histori daton në periudhën e shpikjes së shtypshkrimit nga Gutenberg, pra rreth vitit 1454 ne Frankfurt, i cili njihej si qëndra më e madhe bankare dhe tregëtare e Europës që në vitin 1150.

Thënë ndryshe, Biblioteka është konservuesja biologjike e Dijes, Libraria është hipotekimi i Dijes si pronë e paluajtëshme për cilindo që paguan dhe Panairi i Librit vendi ku dija e amballazhuar me varak llamburitës që imiton argjendin shitet si një produkt që marketingu e ka modifikuar gjenetikisht.

©Artan Gjyzel Hasani