Magjiku Zija Çela - Nga Sami Milloshi
- Published in Kulturë
Sami Milloshi - Boston, SHBA
Pak rradhë për librin me tregime "Thika pa gjak"
Pasi kam lexuar nobelistin Abdylrazak Gurnah me "Admiring Silence" dhe tregimet e reja të Haruki Murakamit "First person singular", kam marrë të lexoj Zija Çelën me "Thika pa gjak".
Në faqe të parë Zijai ka shkruar një autograf për mua, a thua se ka hapur gjoksin dhe ka shtruar zemrën e tij. Por kjo është për një herë tjetër...
Me këtë libër, pa as më të voglin dyshim, Zija Çela e dëshmon veten ndër korifenjtë e prozës shqipe dhe, për mendimin tim, e rradhit veten krahas majave të letërsisë botërore. Nuk i përmenda rastësisht Gurnah dhe Murakamin.
E di që kam një dozë dashamirësie të hershme ndaj prozës se Zijait. Por kjo, mendoj se nuk më pengon t'ia shpalos vlerat.
Së pari,e mbi të gjitha, tregimet e Zija Çelës janë një aromë Shqiperie në çdo ind. Nuk janë fotografi, nuk janë skaner, nuk jane radiografi e indeve. Janë vetë indet njerëzore shqiptare të krijuara me mund prej mjeshtrit të fjalës.
Lexuesi e kupton se kur mbaron se lexuari nje tregim të Zija Çelës ka ndjerë së rrahuri dy zemra në një të vetme: zemrën e autorit dhe zemrën e njeriut që frymon në prozë. Mjafton të kujtosh tregimin fantastik "Miss luga" për të ndjerë ashtu siç ndjen shkrimtari për fatkeqin që edhe të ngopë stomakun me bukë e ka endërr.
Unë e quaj magjike prozën e Çelës jo aq për nivelin e fantazisë dhe të metaforës që e përshkon, sado që edhe këto i ka në një simbiozë tepër harmonioze. E quaj magjik sepse në gjithë regjistrin e vet emocional: dramë, humor, sarkazmë, etj. gjithëherë sublimon diçka hyjnore që rreket ta fshijë të keqen dhe përpiqet si ajo lulja nën dëborë ta çajë koren e akullit dhe ta nxjerrë kryet e së mirës...Tregimet "Trofeu", "Shuplaka e motrës", "Banka e ankesave" janë disa prej titujve, por jo të vetmit që do ta dëshmonin këtë që sapo shkrova.
Unë mendoj se magjikja në prozën e Zija Çelës nuk qendron në trillet e rrëfimit, porse ajo është palcë e rrëfimit, diçka që i jep temperaturën, ngjyrën, dritën dhe hijen e fjalës, gjithçka që të rrëmben e të mban pezull siç ndodh me një dashuri njerëzore. Është si të thuash një "Raw food" krejt i natyrshëm që tretet në vetëdijen estetike të lexuesit, butësisht pa shtruar kurrfarë pyetjeje banale për mesazhin që përcjell. Sepse, Zija Çela as që ka ndërmend një mesazh kur rrëfen. Për të, sipas meje, më e rëndësishmja është të zbrazë llavën e vullkanit prej shpirtit të tij, se sa të modelojë mesazhe, qofshin këto edhe "jashtezakonisht të dobishëm" për lexuesin.
Me fjalë të tjera, lexues të ndryshëm janë krejt komodë t'u bëjnë lexime krejt të ndryshme të njejtëve tregime. Është merita e Çelës edhe kjo...
Por nuk dua të keqkuptohem: tregimet e Zija Çelës, megjithëse kanë një palcë universale, ato janë në të njejtën kohë tatuja e Shqiperisë së sotme. Tregimet emblematike "Koha e qenve", "Tregëtarët e tymit", "I dyshuari i Samantës" apo "Zonja e verbër" (sa për të përmendur disa) janë kryekëput pikturë e gjallë shumëngjyreshe e shoqërisë shqiptare në postdiktaturë. Në këtë vështrim jam i mendimit se Zija Çela, (jo vetëm me këtë vëllim me tregime, por edhe me gjithë korpusin e romaneve të tij), i ka dalë borxhit më shumë se kushdo tjetër shkrimtar shqiptar ta gdhendë monumentin e kaosit të tranzicionit shqiptar. I përket kritikës letrare të ndalet imtësisht në detaje...
"Thika pa gjak" sikurse e thotë edhe titulli metaforik është ndërkaq një simfoni Vivaldi, ku shfaqen të "katër stinët" e gjuhës shqipe me intonacionet më të mrekullueshme të saj. Mjeshtër i fjalës, Zija Çela na shetit me frazën tij elegante gjithkund, me të gjitha mjetet moderne të udhëtimit, aty ku burojnë emocionet. Shpesh herë madje edhe me ciklin e tij të Horoskopit, që si një cikël prozash poetike na fton për shpresë dhe mirësi.
Dhe për t'i mbyllur këto pak rradhë, dëshiroj të theksoj se një prej veçorive më dalluese të prozave të Zija Çelës është se lexuesi dhe shkrimtari janë në një hierarki horizontale, krejt të barbarte me njeri-tjetrin, ndërsjellshëm të dobishëm për njeri-tjetrin, ashtu siç janë rrënjët e pemëve dhe dheu.
Zija Çela i bën lexuesit një transfuzion gjaku falas me "Thika pa gjak". Lexojeni miq dhe, shpresoj të më jepni të drejtë!
©Sami Milloshi












