Kulturë

Libra pa moshë

  • Published in Kulturë

  Nga Moikom Zeqo

Pse është një libër i ri? Në rrafshin kohor? Nuk është kronologjia një strukturë tepër shtrënguese? Kush e përcakton kohëlindjen e një libri? Vetë libri?

Çdo botim është një formë e dukshmërisë. Nëse sytë tanë nuk arrijnë të shohin gjithçka, përse qenka kaq absolute dukshmëria? Sa kometa enden në kozmos që ne nuk do t’i shohim kurrë?

Nëse nuk i shohim kjo nuk do të thotë se ato nuk ekzistojnë. Të gjithë shkrimtarët vdesin me libra të padukshëm, që i marrin me vete. Prej tyre mbeten librat e dukshëm, por kjo nuk do të thotë se librat e padukshëm nuk kanë ekzistuar kurrë. Vetë koncepti i librit është si njësi e matematikës.

Pra, ne nuk i shpëtojmë filozofisë pitagorike të numërimit. Jeta e njeriut është më tepër e përcaktuar nga harresa. Është e pamundur t’i kujtojmë të gjitha. Sa takime dhe sa biseda kemi bërë para 10 vjetësh, ose para 30 vjetësh dhe që tashmë janë zbardhur në amshim. Dukshmëria nuk i sendërtoi dot.

Po kjo nuk do të thotë se ato nuk kanë qenë dhe nuk do të thotë se ato nuk do të jenë. Rebelimi ndaj absolutes është luftë ndaj padukshmërisë. Ky është dhe motivi i shfytyrimit të Krishtit mbi malin Tabor, (Tomor ?) tronditje kjo kolosale dhe e pakufishme për tërë teologjitë e botës.

Çdo njeri, qoftë ai që beson, qoftë dhe ateist nopran është një qenie teologjike, sepse arsyeton për ekzistencën, ose jo të Zotit. Në të gjitha këto arsyetime të skajshme ne nuk e dimë se ku janë librat tanë të fshehur.

Duket sikur ne i lexojmë librat, në të vërtetë janë librat që na lexojnë ne. Ato janë qenie hibride, herëherë të frikshme, por dhe të mrekullueshme prej letre dhe prej shpirti, me atributin e dyfishtë të dukshmërisë dhe të padukshmërisë.

Nëse një libër e botojmë në një datë të caktuar kjo është si të veshësh një kostum të ri dhe gjoja të lindësh në çast edhe si trup. Kuptohet, që trupi është shumë më i vjetër se çdo kostum i ri, më i kryehershëm, më i patjetërsueshëm.

Bota nuk ka libra të rinj. Ka vetëm libra pa moshë. Kjo është e vërteta. Nëse nuk e besoni  kjo gjë s’lidhet më me mua.