Heshtje e turpshme në Ditën ndërkombëtare të librit për fëmijë e të rinj - Nga Vangjush Saro
- Published in Kulturë
Pamflet
U hedh një sy gazetave, programeve të TV, portaleve llafeshumë dhe nuk shikon jo asnjë aktivitet, por… asnjë radhë. Asgjë në kujtim të kolosëve të Letërsisë Botërore, krijimtaria e të cilëve tërhoqi të gjitha moshat dhe brezat: Andersen, Mark Tuen, Edmond De Amiçis, Karlo Goldoni, Çarls Dikens, Astrid Lindgren, Ferenc Molnar, etj. Asgjë edhe për talentet tanë të këtij zhanri: Bedri Dedja, Odhise Grillo, Skënder Hasko, Tasim Gjokutaj, Petraq Zoto, Shkëlzen Zalla, etj. Ishte dita të hidhet një vështrim mbi arritjet e kësaj letërsie, më parë dhe në dekadat e fundit: Adelina Mamaqi, Gaqo Bushaka, Xhevat Beqaraj, Viktor Canosinaj, Xhahid Bushati, Fatmir Terziu, Fatmir Gjestila, Astrit Bishqemi, Pandeli Koçi, Riza Braholli Mborja, Edlira Rama, Hysen Kobellari, Tatjana Kurtiqi, Sokol Jakova, etj.
Po kush ta bëjë këtë shërbim? Ata që hoqën letërsinë dhe bisedat letrare nga programet shkollore? Apo gazetat dhe TV-të e blera nga klanet e politika dhe që nuk duan shkrime, por vetëm pushkë ose zdërhallje? Mbase krijuesit zëshuar të këtij zhanri, që janë mbyllur prej kohësh në kasollet e tyre? Ata që shkruan libra me personazhe të cilët, e shumta, “shkojnë në shkollë me vonesë”… dhe që një herë, një herë të vetme, s’u panë të thonë një fjalë për arritjet e këtij zhanri a për kolegët e tyre? Shkrimtarët që nuk i shikon qoftë edhe një herë në shtyp të ngrenë zërin për ato programe shkolle ku letërsia u masakrua, për ato biblioteka që u shembën se duheshin ndërtuar pallate, për ato shtëpi rinie e të fëmijëve që u është harruar emri?
Nëse hyjmë mandej në atë çfarë ndodh kur shfleton librat shkollorë me gabime e rrëshkitje pa fund, çfarë bëhet nëpër korridoret, klasat dhe baret e celularet… shkoi në rimë, por le të tjerat, nuk kemi as vullnetin për t’i parë gjërat në sy.
© Vangjush Saro











