Çfarë i tërhoqi vëmendjen violinistit të njohur?
Violinisti i shquar shqiptar, Florian Vlashi, i cili luan në orkestrën sinfonike të Galicias, Spanjë shkruan i impresionuar në Facebook:
Mbrëmë, gjatë koncertit me pianisten e mrekullueshme Khatia Buniatishvilli, më tërhoqi vëmendjen një djalë me këmishë të kaltër në rradhën e parë. Ishte rreth 25 vjeç dhe dëgjonte me një adhurim të rrallë solisten. Kolegia ime, që kish biseduar me të pak më parë, më tha se ai vinte nga Polonia vetëm për të dëgjuar Khatian.

Dhe Khatia e dinte. Pas koncertit të Çaikovskit ajo luajti si bis një Minuet nga Haendel me një delikatesë të kristaltë. Dukej se luante për të. Gishtat e saj përkëdhelnin heshtjen. Ai ishte i lumtur. Dhe i prekur. Një histori e bukur dashurie, mendova... Pas duartrokitjeve të gjata, kur u çuam për të dalë, hodha sytë nga rradha e parë. Atij i ish afruar shoqëruesja e sallës dhe po e ndihmonte të ulej në një karrige me rrota.
Nuk kishte këmbë.
E ndoqa me sy deri sa u zhduk mes turmës së spektatorëve.
Momente që na fal ky profesion.











