Arte & Media

Diana dhe Fatmir Miziri: Dy jetë në art - Nga Merita Toçila

Nga: Dr. Merita Toçila

Nga monografia “Kostumografia në Art”

Në art nuk janë të paktë shembujt kur dy bashkëshortë të jenë përkushtuar me devotshmëri maksimale në një fushë. Edhe bota i ka të njohur çiftin emblematik në shkencë Mari e Pier Kyri. Në Shqipëri kemi raste të kësaj natyre përkushtimi ku bashkohet jeta dhe pasioni për artin e ndër ta mund të flasim për Diana e Fatmir Mizirin. Rasti i çiftit Miziri është i njohur prej meje para se të filloja studimet universitare për artin dhe falë ndihmës dhe mbështetjes së profesor Mizirit dhe bashkëshortes së tij e pata më të lehtë mundësinë e hyrjes në akademi, po jam e bindur se ata kanë inspiruar e motivuar dhe studentë të tjerë po aq. E ndjej të nevojshme, nga respekti i madh që ruaj për këta dy njerëz të mrekullueshëm të shpreh  mirënjohjen e thellë për ndikimin që kanë patur në jetën time e që më hapën udhën drejt artit. Mirëpritja dhe disponibiliteti për të transmetuar njohuritë rreth koncepteve bashkëkohore, mjeshtërisë e teknikave që zotëronin në lidhje me artin e veçanërisht me artin e aplikuar shprehte dëshirën e një artisti me përvojë për të vijuar vazhdimësinë në historinë e tekstilit me gjeneratën tjetër. Dhe kjo është cilësi e lartë e një Artisti.

***

Gjithë repertori i krijimtarisë së tyre me tekstilin, zotërimi i përvojës tradicionale e teknikave të shumta e transplantuar në vepra, lë të kuptohet se si pjesë e rëndësishme e jetës njerëzore, tekstili ka ecur bashkë me zhvillimin e shoqërisë dhe asnjëherë nuk ka reshtur së përmirësuari pamjen dhe funksionet e tij. Manipulimi me formën dëshmon aftësinë që ka tekstili të përshtatet dhe të marrë trajta të larmishme pasi vetë pjesa substanciale e tij, filli dhe fibrat, janë elementet bazë që ndihmojnë në organizimin dhe dekorimin e strukturës, duke marrë edhe funksione estetike e simbolike. Ai është materiali dydimensional që ka aftësinë të bëhet tre dimensional kur mbulon, mbron, zbukuron objekt apo njeri. Procesi i ekzekutimit me teknika e mjete të thjeshta, zhvillon modele të reja për transferimin e dijeve për brezat dhe nxit në eksplorimin e mundësive të artit tekstil dhe më tej.

Ata përdorin në nivele të ndryshme interpretative ide të mediumit të pikturës a skulpturës duke shfrytëzuar teknikat tradicionale të zejeve. Në krijimtarinë e tyre mund të takojmë pothuaj të gjitha teknikat e lëvruara prej mjeshtrave artizanë, të cilat vijnë në dimensione të mëdha në subjekte me ngacmim nga e kaluara. Veprat vijnë ndonjëherë vetëm si narrativë e teknikës që risillet në vëmendje si një formë e pavlerësuar arti deri më sot, duke eksploruar mundësitë e pafundme që ofron materiali si tek “Azhur”. Në kuadrin në pëlhurë në ngjyrë blu, aplikohet një lloj punimi i veçantë i huazuar nga artizanati, nëpërmjet heqjes së fijeve nga pëlhura. Por kur situata e re grafike në tekstilin e përfunduar me transparencën, loja me format, tonalitetet e dritëhijeve që krijon vetë materiali, e bën të duket akoma më bukur punimin në të. Në pamje të parë duket si një ushtrim aftësish në eksplorimin e teksturës e estetikën e krijimit, por, sa më shumë ta shohësh, aq më tepër zbulon butësinë, poezinë dhe intimitetin e botës së ndërtuar nga Miziri.

Në vepra të tjera motivet paraqiten si metaforë për të treguar se nuk është vetëm mediumi i pikturës për të realizuar një pikturë, por piktura mund të transferohet lehtësisht në mundësitë e pafundme që të ofron tekstili. Përmes teknikës së qëndisjes, thurjes, prerjes, thekëve, modelimit dhe kombinimit të ngjyrave në një situatë grafike të koncentruar realizohen kompozime abstrakte, natyra të qeta, subjekte të jetës së përditshme. Imagjinata e Dianës me tekstilin përmes veprimit artistik në të me aplikimin e planeve gjeometrike apo formave delikate vëllimore po të së njëjtës lëndë mbi sipërfaqe për ta pasuruar teksturën e cohës me një sërë procesesh si thurja, qepja, manipulimi i pëlhurës, montimi, prerja, zbukurimi e bën të duket dekorativ e funksional, por edhe piktorik, skulpturor, konceptual etj. Prandaj kompozimet me ngjyra, forma dhe tekstura nga imazhet naive e të abstraguara deri te volumet me peshën e fijeve që dalin nga (dhe) jashtë kuadratit dhe gjatësinë e thurjes shfaqur gati si perde që rrjedhin nëpër mur ka sjellë një vepër me nivel të spikatur artistik në kompozimet e saj. Te “Natyrë e qetë me gështenja” fija në ngjyrë të kuqe, gri apo e zezë arrin të sendërtojë formën dhe vëllimin e një fruti mbi një fushë neutrale, të bëjë diferencimin midis planeve, sipërfaqen e një mbulese, raportet midis objekteve etj.

Fatmir Miziri me të njëjtat teknika shfrytëzon figurat dhe ornamentet e qëndisura në kostumet tradicionale apo objektet etnografike, duke krijuar narracione të vjetra në kontekste të reja imagjinative. Tabloja të cilën e titullon “Vallëzim” është një nga prurjet më të bukura në abstragimin e motiveve folklorike në teknikën e qëndisjes. Përmes punimit me mbushje dhe ildi, sikur të ishte duke pikturuar me penel në një kompozim me dy ngjyra të traditës, të zezë dhe të kuqërremtë mbi një tekstil të bardhë sjell me një grafikë të pastër figurat burrërore në kërcim epik. Asimetria, kompozimi në diagonal, linjat dyngjyrëshe, thjeshtëzimi grafik i humanoidit, shton vlerësimin për veprën, duke marrë në konsideratë konstatimin e Andromaqi Gjergjit se “figura e njeriut shfaqet rrallë në tekstilet tradicionale shqiptare dhe vetëm në më të vjetrat”. Edhe pse janë të thjeshtëzuara, linjat grafike të projektuara dyfish për të përcjellë dinamikën e lëvizjeve të valleve, përcaktojnë qartë formën konike të mëngoreve të kostumit të burrave dhe tirqet në përshtatje të anatomisë trupore. Përtej imazhit të drejtpërdrejtë, ato përcjellin një kuptim më të thellë ose evokojnë emocione specifike tek shikuesi.

Asosiacioni i sendeve-artefakte (një pafte, pjesë stolish, fill të leshtë të prodhimeve artizanale) që artisti i huazon nga etnografia, kostumologjia, historia, mitologjia apo dhe përvoja të afërta në një metaforë vizuale të mirëmenduar që shpie në një kompozim impresionues përmes elementeve të përzgjedhur fiton kuptim simbolik. Sendërgjimi i një trupi gruaje, përmes një bashkësie e elementesh etnografike të zgjidhur me inteligjencë në raporte linjash e formash, ku konfigurimi i përftuar ngjan me një kukull fëmijësh, me një nuse me veshjen ceremoniale në ditën e dasmës së saj, apo me një totem, e transformon arkaiken në një lloj figure mitike. Abstragimi mbi imazhin e vjetër të Epitafit të Gllavenicës, tek “Nonsens-Epitaf”, risjellja dhe rimodelimi i artefaktit nga e kaluara në një jastëk-epitaf të së sotmes, vendosja e simbolit në një situatë nderimi si për heronjtë e shquar (pas grabitjes nga Muzeu Historik) provokon fuqishëm emocionet e publikut në bashkëkohësi për absurditetin e realitetit dhe bjerrjen e vlerave në shoqëri.

Qëndrimi ndaj materialeve të trashëguara si të dhëna konstante  antropologjike dhe mënyra e manipulimit a interpretimit vizual me to i ka bërë artistë bashkëkohore si Diana e Fatmir Miziri që me krijimtarinë e tyre të ndikojnë te publiku i gjerë në të menduarit ndryshe për vlerat e mjeshtrave e mjeshtërive artizanale, të cilët mbartin edhe sot vlera të shumëfishta. Puna dhe pasioni e tyre ka krijuar një trashëgimi të çmuar të artit tekstil që mund të ndikojë në stilin artistik e të frymëzojë artistë të tjerë drejt gjetjes së formave të reja të shprehjes dhe artikulimit të gjuhës artistike në nivele sipërore.

© Merita Toçila