Arte & Media

Facebook Boulevard  (Pj. 2) – Nga Arben Kallamata

Shëtitja në Facebook Boulevard duhet të ketë diçka më shumë se çmallja dhe shkëmbimi i përshëndetjeve. Përndryshe bëhet mërzitshëm. Edhe kur takohesh vërtet me miq për një kafe ke nevojë të shkëmbesh mendim për çka ndodh përreth, të marrësh e të japësh, të mësosh dhe të përcjellësh përvojë.

Facebook Boulevard gjen plot tema diskutimi, nganjëherë edhe stimuluese për trurin. Shkruhet për politikën (shqiptare e botërore), për luftrat dhe terrorizmin, të drejtat dhe të padrejtat e njeriut, filosofinë dhe fenë, historinë e të ardhmen, sportin, artin, ekonominë, ushqimin - për gjithçka që i intereson njeriut.

Por a jemi gjithmonë në gjendje të zhvillojmë biseda normale, të qeta, pa fyerje vetjake, përputhur me rregullat mirësjelljes dhe respektit për njëri-tjetrin? Kam përshtypjen se po bëhet përherë e më e vështirë të mbash një bashkëbisedim të qytetëruar, të shkëmbesh dy mendime të thjeshta të kundërta, pa marë ndonjë të sharë apo goditje. Në çdo cep të Facebook Boulevard do të gjesh njerëz të gatshëm që, me të dëgjuar një ide që nuk përputhjet me bindjet e tyre të hidhen në grykë e të fyejnë. Zhgënjimi më i madh është kur sheh që në këtë lojë futen edhe njerëz për mendimin e të cilëve ke respekt.

Përse ndodh kjo? Së pari, edhe në jetën e përditëshme ne nuk e kemi zhvilluar ende sa duhet kulturën e shkëmbimit të mendimeve. Këtu ndikon ndoshta prejardhja nga struktura shoqërore ku shprehja e mendimit dhe diskutimi i lirë kanë qënë tabu. Por as mënyra se si është ndërtuar Facebook nuk ndihmon për ruajtjen e rregullave të njerëzillëkut. Përdoruesit më së shumti ndihen të shkëputur fizikisht dhe, për pasojë, edhe emocionalisht nga bashkëbiseduesit. Kjo ndjesi iu krijon përshtypjen e gabuar se nuk është e domosdoshme të ndjekin të njëjtat rregulla mirësjelljeje apo qytetarie që do të kishin ndjekur po të ishin fizikisht përballë njëri-tjetrit.

Nga ana tjetër, në Facebook Boulevard ne vetë i lejojmë vetes të shëtisim dhe të shkëmbejmë fjalë me lloj-lloj njerëz të panjohur, të cilët për një arsye apo për një tjetër i kemi futur në listën e atyre që në anglisht quhen ‘friends’ dhe në shqip përkthehen si miq apo shokë, por që në realitet nuk janë të tillë. Madje nuk janë as të njohur të rastit. Shumë prej tyre nuk kanë as kulturë në përgjithësi, as kulturën e të shprehurit me shkrim dhe as shkollimin apo edukatën qytetare për të shkëmbyer mendime. Këta njerëz ose duhen shkolluar (gjë që është e vështirë në një klimë kur të gjithë mendojnë se i dinë të gjitha) ose duhen hequr nga lista. Le të shëtisin diku gjetkë.

Në këtë këndvështrim, marrëdhëniet midis njerëzve në Facebook Boulevard i ngjajnë më tepër marrëdhënieve të njerëzve që ngasin makina, se sa atyre që janë ballë për ballë me njëri-tjetrin. Kur janë në timon, brenda makinës së tyre, njerëzit priren të jenë shumë më të ashpër, më të pasjellshëm, më arrogantë me të tjerët përreth. Krejt ndryshe nga sa do të ishin në kushtet e një përballjeje të drejtpërdrejtë. Brenda makinës ata shajnë me të madhe, kërcënojnë, nuk hapin rrugë, fyejnë, pa pasur asnjë konsideratë se kush mund të jetë në makinën ose makinat përreth. Kur dalin nga makina dhe përballen me njerëzit që kanë sharë, e ndjejnë veten keq.  

Po sjell një shembull për ta ilustruar mendimin e mësipërm. Tre vetë ulen në një lokal. Përballë është një ndërtesë e re, e porsa ngritur, për të cilën fillojnë të diskutojnë. Biseda e tyre mund të marrë dy drejtime:

  1.    

A - Sa e bukur kjo ndërtesë. Ia ka ndryshuar pamjen gjithë lagjes.

B – Vërtet të duket e bukur? Mua s’më pëlqen fare gjithë ajo fasadë betoni. Më duket si bunker. Edhe dritaret janë shumë të vogla. Duket sikur të merr frymën.

C – Unë pajtohem me A. Kjo lagje ka pasur gjithmonë nevojë për diçka të re dhe të freskët, diçka moderne….

2.

A -  Sa e bukur kjo ndërtesë. Ia ka ndryshuar pamjen gjithë lagjes.

B – E ku merr vesh ti nga arkitektura? Ty të pëlqen sepse je gati t’i dalësh në mbrojtje çdo gjëje që ndërtojnë këta të korruptuarit që janë në pushtet. Po të kishe shije estetike ti do të dije të kombinoje ngjyrën e kravatës me të këmishës. Por edhe këmishën e ke të palarë.

C – Juve komunistëve nuk iu pëlqen asgjë që bëhet sot. Na hëngrët shpirtin për pesëdhjetë vjet, dhe tani vazhdoni me avazin tuaj. Ti flet kështu sepse edhe yt atë, edhe xhaxhai yt kanë qënë të lidhur me regjimin…

Pa dyshim biseda 1 ka më shumë të ngjarë të zhvillohet në një kafene të zakonshme qyteti, ndërsa biseda 2 është nga më të rëndomta në Facebook Boulevard. Pyetja është: A mund të arrijmë ta ruajmë frymën etike të bisedës 1 edhe në mjedisin ku zhvillohet biseda 2? Them se po, por duhet shumë përpjekje.

Dua të theksoj këtu se për mendimin tim ‘përpjekja’ s’duhet kurrsesi të synojë shmangien e debatit. Nuk është tema e debatit, nuk është debati në vetvete ai që na bën të shkelim rregullat e etikës, por është mungesa e kulturës në debat që nuk na le të shkëmbejmë si duhet idetë.

Unë kam qef të ngacmoj në facebook. Por kam qef të ngacmoj me përplasje idesh, me mendime të kundërta, veçanërisht kur e di që ato mund të ngjallin diskutim. Më pëlqen veçanërisht të gërricem me aksioma të pranuara masivisht si të padiskutueshme dhe dua t’i bëj bashkëbiseduesit të mendohen pak për të dhënë argumente për padiskutueshmërinë. Kur ngacmoj unë nuk kursej as miq, as të njohur, dhe as të panjohur. I trajtoj të gjithë njëlloj, pasi nuk ‘i bije në qafë‘ (të paktën jo me vetëdije) njeriut, bashkëbiseduesit, por idesë. Njeriu është i shenjtë dhe nuk duhet fyer kurrë, ndërsa idetë, ngjarjet dhe këndvështrimi për to, opinionet, figurat historike e politike, të vërteta dhe imagjinare nuk ka përse të kursehen.

Bazuar në këtë, mendoj se janë disa këshilla që mund të ndiqen për të ruajtur qytetarinë dhe mirësjelljen në një bashkëbisedim virtual.

  1. Mos ia thuaj kurrë tjetrit atë që s’do t’ia thoje po ta kishe përballë.
  2. Bashkëbiseduesi nuk duhen fyer, idetë nuk duhen kursyer.
  3. Nuk kursehen as figurat politike, publike, historike (imagjinare apo reale).
  4. Mos iu përgjigj sulmeve personale me sulme personale.
  5. Të pranosh gabimin dhe të kërkosh falje është forcë karakteri, jo dobësi.
  6. Mbaje mendjen e hapur për ta ndryshuar.
  7. Çdo gjë e shkruar është e diskutueshme.
  8. Mos diskuto me citime, por me argumenta.
  9. Të gjithë njerëzit janë të paditur (injorantë) për shumicën e gjërave.

 

Në pjesën e tretë (po qe se ia mbush mendjen vetes që ta shkruaj) do të përpiqem të shtjelloj më hollësisht disa prej tyre.