Arte & Media

Ibrahim Kodra, ‘primitivi’ i një civilizimi të ri - Nga Alfred Papuçiu

Para 30 vitesh, në shtator të vitit 1989 në Gjenevë, në kohën kur unë drejtoja Misionin shqiptar pranë Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, erdhi mjeshtri i madh, Ibrahim Kodra, ashtu siç ishte ai, fisnik, modest, komunikues. Biseda jonë zgjati shumë. Fliste me mall dhe pasion për Shqipërinë, për mëmëdheun nga ish larguar prej kohësh dhe që donte të linte një gjurmë të punës së tij të madhe gjatë viteve të kaluara në emigracion.

Më paraqiti me modesti disa nga pikturat e tij që janë shpërndarë në të gjithë botën, midis muzeve të ndryshme, galerive dhe koleksioneve private tek të njohurit e tij. “Shqipëria fantastike”, “Përbërja e vitit 1951”, “Muzikantët”, “Lufta për pushtet”, “Lufta për paqen”; këto janë vetëm disa nga 6000 veprat e famshme që mbajnë firmën e Ibrahim Kodrës. Ato zbukurojnë dhomat e Vatikanit dhe Dhomës së Deputetëve apo ndodhen në galeri publike, muze dhe koleksione private në Itali, Zvicër, Danimarkë, Gjermani, Japoni, Angli, Francë, SHBA, Rusi, Australi, Brazil, Argjentinë, Greqi, Shqipëri, Jugosllavi, Kosovë, Iran etj.

Kodra, “primitivi i një civilizimi të ri”, kështu e cilësoi poeti i madh francez, Paul Eluard, mjeshtrin Ibrahim Kodra në 1946 në faqet e “Unité”. Ibrahim Kodra me modesti më tregoi se në 1948 mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Paqes, ku pati mundësinë të takohej personalisht me Pablo Picasso, takim që e shtyu drejt lëvizjes së tij artistike, jo vetëm si dishepulli i tij, por me individualitetin artistik. Pasi pa një pikturë nga Kodra, Picasso i shkëlqyeshëm thirri me entuziazëm: “Shoku im piktor shqiptar, një pikturë origjinale, madje edhe firma jote duket si një vizatim si veprat e tua!”. Piktori i madh Ibrahim Kodra më tregonte pambarim gjithçka kishte kaluar gjatë jetës së tij dhe pengun që një pjesë të jetës së tij e kishte kaluar jashtë Atdheut, prej nga mbante mend trevat e tij gjatë moshës së adoleshencës, gjyshin dhe nënën e tij për të cilën kishte akoma mall, Ishmin dhe gjithçka të bukur që i kishte lënë përshtypje. U shpreh se donte të prehej pikërisht atje ku kishte ardhur në jetë.

Ibrahim Kodra lindi në 22 prill 1918 në fshatin Ishëm (Durrës). Në moshën 3 vjeç, mbeti jetim dhe u rrit nga gjyshi i tij. Ai studioi në Shkollën e Mesme Teknike “Harry Fultz” në Tiranë dhe njëkohësisht u fut në një klasë pikture në shkollën e parë të vizatimeve nën drejtimin e skulptorit Odhise Paskali (Artist i Popullit). Në vitin 1938, falë një burse, ai realizoi ëndrrën e tij për të shkuar në Milano dhe për t’u regjistruar në Akademinë e Arteve të Bukura në Brera, ku mjeshtrit e tij të parë të pikturës ishin Carrà, Carpi dhe Funi, ndërsa në skulpturë, Francesco Messina. U përfshi në lëvizjet artistike të pasluftës, një periudhë që korrespondonte me epokën e surrealizmit, ekspresionizmit, kubizmit dhe futurizmit. Ibrahim Kodra, brenda këtyre formave të artit, realizoi rrugën e tij të veçantë që u quajt “primitivi i një civilizimi të ri”.

Pa dyshim, Kodra ishte një nga më të dalluarit nga një brez piktorësh të viteve 1960-1970. Në vitin 1947, ai u takua me Paul Eluard dhe më 1948 me të famshmin Pablo Picasso. Në vitin 1953, ai mori pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Universitetit të Parisit dhe vazhdoi të ekspozojë veprat e tij në të gjithë botën. Kodra ka ekspozuar me Picasso, Chagal, Roualt, Dufy, Matisse dhe Modigliani në Ekspozitën Ndërkombëtare të Venecias. Punimet e tij gjenden në shumë antologji të artistit në muze të ndryshëm në Europë, Amerikë dhe në panaire të artit ndërkombëtar. Për më shumë se 30 vjet, ai jetoi në Milano, ku vdiq në 7 shkurt 2006.

Piktori që kishte miqësi me artistët më të mëdhenj të epokës, nuk e harroi asnjëherë origjinën shqiptare. Nëna e tij dhe Shqipëria ishin gjërat më të shtrenjta për të. Vizatimet e para për nënën i ruajti gjatë gjithë jetës. Ndërsa flamurin shqiptar e mbajti me vete edhe në shtratin e spitalit ku mbylli sytë. Më 10 shkurt 2006, u organizuan homazhe në Teatrin e Operës dhe Baletit të Tiranës, përpara se të merrte rrugën për në vendlindjen e tij, ku u varros. Trupi i piktorit prehet paqësisht para derës së kalasë antike në Ishëm. Shtëpia e tij në Milano u bë “Muzeu Ibrahim Kodra”, ku artistë, talente të reja dhe artdashës shkojnë të admirojnë veprat e tij.

Kodra është konsideruar si piktori më i rëndësishëm shqiptar i njohur ndërkombëtarisht. Në librin “Kujtime”, të shkruar nga Ibrahim Kodra, thuhet: “Ishte marsi i vitit 1984 dhe ekspozita ime “Fantastikja në art” bëri shumë bujë, sepse gazetarët shkruanin se Kodra qëndron midis Da Vinçit dhe Mikelanxhelos”. Kaq mjafton për të zbuluar ngjashmëritë. Efekti i “V”- së, formuar në pikturën “Darka e fundit” të Da Vinçit, midis Krishtit dhe Maria Madalenës është një mesazh. Nëse Dan Braun, autori amerikan i romanit “Kodi i Da Vinçit” do të njihte dhe Ibrahim Kodrën, ndoshta do të gjente një hapësirë më të madhe për të zgjeruar idetë e tij.

E bëra këtë digresion për të treguar se nëse në të kaluarën, figura e artistit të madh është anashkaluar te ne, sot ai kujtohet me respekt. Në vitin 1996, u vleresua me titullin “Nderi i Kombit”. Ai ka një koleksion të pasur çmimesh, ku mund të evidentojmë: Medalja e Artë e Akademisë Franceze, Qytetar Nderi në shumë qytete të Italisë, çmimi “Ambrogini i Artë” nga Bashkia e Milanos. Një punë të mirë në këtë drejtim për njohjen e veprës së tij, bën fondacioni zviceran “Ibrahim Kodra”. Ky fondacion u themelua në Lugano për të transmetuar mesazhin e artit të artistit europian Ibrahim Kodra, si një instrument për paqen dhe kulturën, si një fije e përbashkët që lidh popuj të ndryshëm. Zonja Maria Pacolli, presidentja e këtij fondacioni me prestigj, tepër komunikuese, fisnike, modeste, por e angazhuar më së miri me këtë projekt, thekson se në bashkëpunim me institucione në Shqipëri, Kosovë, Itali dhe të tjerë, “Fondacioni mbështet dhe zhvillon projekte kulturore, sociale dhe edukative, duke promovuar shkëmbimin kulturor midis Zvicrës dhe vendeve të ndryshme të botës”. Falë bujarisë së donatorëve të tij, fondacioni mbështet projekte të reja kulturo-arsimore. Një prej tyre është dhe Projekti WopArt 2019 me temën “Arti dhe liria” që u prezantua nga fondacioni zviceran “Ibrahim Kodra”.

“Çdo fëmijë është një artist, por problemi është se si të mbetemi të tillë edhe kur të rritemi”, tha Pablo Picasso. Po çfarë është liria? Çfarë është arti? Çfarë është liria e shprehjes?

Fondacioni u bëri këto pyetje nxënësve të shkollës së Artit Pamor “Adem Kastrati” në Gjilan, Kosovë – brezit të ri të kësaj toke të vuajtur, e cila po rilind nga pasojat e rënda të së kaluarës.

Liria e shprehjes artistike është e lindur në çdo qenie njerëzore. Pra, përgjigjet më të bukura të pyetjeve që shtruam ne vetë, janë imazhet e artistëve të rinj, mënyra e tyre

pozitive për të parë botën duke respektuar të tjerët dhe veten.

Maria Pacolli, presidente e fondacionit “Ibrahim Kodra”, pohon rëndësinë që ka për të rinjtë shprehja lirshëm e prirjes së tyre artistike, sepse “një person, duke u rritur, duhet ta shohë botën më të bukur dhe më të lirë. Dhe për këtë arsye, fondacioni zviceran “Kodra” është i përkushtuar të ndihmojë duke ndërtuar me brezat e rinj, një shoqëri më njerëzore, ku kultura është e domosdoshme për qytetërimin tonë, ashtu siç ëndërroi mjeshtri Kodra dhe i cili e shprehu këtë koncept në veprën e tij metafizike “Qyteti i ri’”.

Fondacioni mbështet projekte kulturore-arsimore në bashkëpunim me institucione të ndryshme ndërkombëtare. Një nga projektet e fundit “Urbanistika e Re dhe Kultura e Bashkëjetesës në Kosovë”/“Bashkëjetesa natyrore dhe kulturore në Kosovë” u paraqit gjatë Bienales së Arkitekturës në Venecia në 2018, u ekspozua në Parlamentin Europian në Strasburg në 2019 dhe pastaj preku vendet e tjera.

Gjatë këtij Panairi WopArt është ekspozuar punimi “Nënë Tereza e Kalkutës – Little Great Mother” nga Mjeshtri Ibrahim Kodra. Aty janë paraqitur edhe litografitë e veprave të Ibrahim Kodrës “Lugano Fantastica”, një tablo plot ngjyra dhe dritë që na ndriçon të gjithëve, dhe “Città Nuova”, në një seri të kufizuar prej 25 kopjesh artistike, të realizuara me rastin e WopArt.