Arte & Media

Lindja e shtypit të lirë amerikan - Nga Albana Lifschin

Historia e luftës për shtypin e lirë amerikan është e lidhur me emrin e gazetarit Xhon Piter Zenger (John Peter Zenger), nga Nju Jorku

Në dhjetëvjeçarin midis viteve 30-40 të shekullit të 18, Nju Jorkun e qeveriste guvernatori Uilliam Kozbi (William Cosby), një njeri i korruptuar dhe hakmarrës. Xhon Zenger, djalosh atë kohë, filloi të botonte gazetën e tij të përjavshme, ku shkruante për padrejtësitë që bëheshin nga ana e administratës mbi kurriz të popullsisë së qytetit.

Guvernatori, siç mund të merret me mend, u egërsua shumë nga guximi i gazetarit botues. Ai urdhëroi arrestimin e tij. Kjo ndodhi në 1734. Guvernatori Kosbi e akuzonte gazetarin për mungesë besnikërie ndaj qeverisë dhe se kishte botuar akuza fallco kundër vetë guvernatorit.

Xhon Pitër Zenger u burgos. Ditët e para në burg i kaloi në izolim dhe s'e lanë të fliste me askënd. Gazeta e tij “New York Weekly Journal” nuk doli. Më pas iu lejua të komunikonte vetëm me të shoqen, nëpërmjet një “dritareje” fare të vockël në derën e burgut. Në këto takime, ai filloi ta mësonte të shoqen se si të shtypte gazetën dhe ç'të shkruante në të.

Gazeta doli sërish. Në kryeartikull u bëhej e ditur njerëzve se botuesi i gazetës ishte arrestuar dhe publikoheshin akuzat që i bëheshin. Miqtë e tij, kur e morën vesh këtë lajm, u shqetësuan. Zunë të mendonin si ta ndihmonin, por të gjitha rrugët ishin të mbyllura. Të gjithë avokatëve, që morën përsipër çështjen e tij, iu hoq e drejta e ushtrimit të profesionit në shtetin e Nju Jorkut.

Muajt kalonin njëri pas tjetrit.  Botuesi dhe gazetari Xhon Piter Zenger vazhdonte të ishte pas hekurave të burgut. Për t'u marrë me çështjen Zenger u ngarkua një avokat që ishte mik me guvernatorin. Kjo do të thoshte që Pitër Zengeri ishte i humbur. Nuk dukej më asnjë shpresë për shpëtimin e tij. Ndërkohë që, për çudinë e të gjithëve, gazeta e tij “New York Weekly Journal” vazhdonte të dilte çdo javë, duke vazhduar të fliste kundër guvernatorit e bëmave të tij.

Ditën e gjyqit, përpara ndërtesës së gjykatës ishte mbledhur një masë e madhe njerëzish, e cila sa vinte e rritej. Njerëzit e kuptonin se nëse gjykata do ta shpallte fajtor gazetarin, askush s'do guxonte më të hapte gojën kundër padrejtësive të qeverisë.

Gjyqtari dhe trupi gjykues zunë vendet. Piter Zenger u soll në sallë për t'u gjykuar. Njerëzit brënda rrinin me zemër të ngrirë. Atë moment të pashpresë, për habinë e të gjithëve, në sallë hyri një burrë flokëbardhë. Ishte Endrju Hamilton (Andrew Hamilton), avokati më i shquar i Amerikës në atë kohë, që kishte ardhur nga Filadelfia për të mbrojtur gazetarin. Ai ishte mik i Benxhamin Frenklinit dhe Uilliam Penit. Hamiltoni vërtetoi se të gjitha ato që kishte shkruar Xhon Piter Zengeri për guvernatorin ishin të vërteta. Deklaroi para gjyqit, se të botosh të vërtetën nuk është krim. Në një çast të fjalimit të tij iu drejtua jurisë me këto fjalë: “Çështja para gjykatës dhe juve zotërinj të jurisë nuk është një çështje e vogël dhe private, nuk është as çështja e një botuesi të varfër dhe as vetëm e Nju Jorkut. Jo! Pasojat e gjykimit të saj do të ndikojnë tek çdo njeri i lirë që jeton nën qeverisjen britanike, këtu në Amerikë. Është një çështje shumë e rëndësishme, është çështja e Lirisë”.

Hamiltoni theksoi se vendimi i atij gjyqi historik do të vuloste një herë e përgjithmonë lirinë e fjalës ose shtypjen e saj.

Gazetari Xhon Piter Zenger u shpall i pafajshëm dhe u lirua nga burgu. Guvernatori Kosbi, fare pak kohë pas gjyqit, vdiq nga një atak në zemër. Xhon Piter Zenger vazhdoi të botonte gazetën e tij, duke mbrojtur të vërtetën deri në fund të jetës se tij.

Sot, nëse ju bie rasti të dëgjoni shprehjen: “Ai është avokat Filadelfie”, do të thotë që personi në fjalë është avokat i zoti, shprehje që ka mbetur në kujtim të Endrju Hamiltonit.

(Nga libri i autores “Udhëtim në Historinë e Amerikës”, botuar në 2003 dhe ribotuar në 2006 dhe në vitin 2010, nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës.)