Arte & Media

Një histori me gërmën H - Nga Artan Gjyzel Hasani

Artan Gjyzel Hasani

Në 18 shtator të vitit 1932 një oficer policie mori një telefonatë nga një alpinist amator në Los Angeles i cili tha që kishte gjetur pranë shenjës gjigande HOLLYWOOD këpucët e një femre, xhupin dhe portofolin e saj ku ishte ngjitur një letër vetëvrasjeje.

Pas një ore kërkimesh policia gjeti trupin e pajetë të një vajze bionde 23 vjeçare. Viktima pasi ishte ngjitur me një shkallë mbi shenjën gjigande, në gërmën H, kishte kërcyer poshtë nga 16 metra lartësi.

Në letrën e vetëvrasjes shkruheshin vetëm këto fjalë: “Kam frikë se jam njeri i keq. Më vjen keq për gjithçka. Nëse do e kisha bërë këtë shumë kohë më parë do të kisha ndjerë shumë më pak dhimbje. P.E.”

Brenda pak ditësh u zbulua identiteti i viktimës. Ishte aktorja Peg Entwistle.

Vetëvrasjet ishin në modë në Amerikën e atyre viteve e sidomos në Los Angeles. Ishin vitet e Depresionit të Madh. Por kujtimi i kësaj vetëvrasjeje vazhdon të ndjekë Hollywood-in si një mallkim edhe sot e kësaj dite.

Peg Entwistle ishte një vajzë provinciale dhe aktore e dështuar si në skenat e New York, ashtu edhe në ato të Los Angeles ku ajo luftoi me mish e shpirt për t’u bërë pjesë e skenës hollivudiane.

Më në fund ajo arriti të luante në filmin e saj të parë të rëndësishëm, por para shfaqjes kritikët u treguan shumë të ashper me aktrimin e saj dhe prenë nga filmi krejt 15 minutat ku Peg merrte pjesë. Gjithashtu i hoqën edhe kontratën e firmosur ato ditë dhe brenda javes iu mbyllen te gjitha dyert e studiove filmike dhe skenat e teatrove. E zhgënjyer dhe e dëshpëruar, lodhur mendërisht dhe e neveritur nga jeta Peg mori vendimin fatal për t’i dhënë fund jetës pikërisht duke u hedhur nga shenja HOLLYWOOD që jo vetëm simbolizonte ëndrrën e saj të madhe, por edhe refuzimin qe iu bë kësaj ëndrre.

Por a ishte vërtet një aktorë e dobët Peg Eintwistle?

Emigroi nga Anglia në Amerikë në vitin 1920, në moshën 12 vjeçare, pak kohë pasi kishte mbetur jetime nga të dy prindërit. Me ndihmën e xhaxhait të saj filloi të luante role të vogla në teatrot e Brodway dhe kërkoi të provonte fatin edhe në Hollywood.

Bashkëmoshtarja e saj, aktore e re në të njëjtën periudhë, e më vonë një nga divat më të famshme dhe ikonë legjendë e Hollywood, Bette Davis shprehej për të: “Ajo ishte arsyeja që unë ndoqa rrugën e filmit. E pashë në skenë gjatë një kinoprove dhe thashë me vete  “Dua të bëhem aktore dhe të luaj tamam si Peg Eintwistle”. Peg ishte e bukur dhe shumë bujare, dhe nuk i pëlqenin rolet shabllon të komedive që i ofroheshin, por kërkonte role sfiduese.”

Peg luajti me sukses në skenën e teatrit në dramën “Shpresat e Çmëndura” (The Mad Hopes) dhe partneri i saj ishte ai që konsiderohet aktori më i madh i të gjitha kohërave, Humphrey Bogart (i famshëm, ndër shumë të tjera, për rolin e tij te “Casablanca”). Thuhet që për një kohë të shkurtër midis tyre pati një lidhje të shkurtër sentimentale. Kritika e lavdëroi pa masë aktrimin e Peg dhe veçse pak javë më pas ajo humbi një rol filmik për filmin “Fatura e Divorcit” i cili iu dha një tjetre legjende të Hollywood, Katharine Hepburn, konsideruar aktorja më e madhe e të gjitha kohërave.

“Që të luaj çdo gjëndje emocionale të kërkuar mua më duhet të punoj fort, por deri në një pikë të caktuar. Nëse unë e arrij këtë pikë që në fjalitë në aktrim e sipër, vazhdimi i fjalëve dhe rreshtave kujdesen vetë për veten në mënyrën e duhur. Por nëse unë dështoj ta arrij këtë, do më duhet të rindërtoj balancën e fjalevë dhe fjalive dhe ngrehina e karakterit që po luaj rrëzohet dhe vdes. Më duket se po gënjej veten. Nuk e di nëse aktoret e tjera ndjehen po kështu, por mua më shqetëson vërtet një gjendje e tillë. Nëse diçka fillon keq në skenë ashtu do të mbarojë. Njësoj si në jetë”, i shkruante një shoqes së saj Peg Entwistle ne ditet kur akoma ëndërronte të bëhej yll i kinemase.

Por Peg u përfshi në një tjetër film “13 gra” me producent David O. Selznick dhe partnere dy yje të tjera të Hollywood, Myrna Loy dhe Irene Dunn. Ishte hera e parë që Peg do të luante një film. Roli i saj u konsiderua shumë i guximshëm për mentalitetin e viteve 30-të, pasi Peg luante rolin e një lezbikeje. Këtu nisi edhe tragjedia e saj e paraprire nga shkatërrimi i menjëhershëm i karrierës për shkak të rolit që guxoi të luante dhe fshirjes së pjesës së saj nga filmi.

Një nga arsyet që Hollywood nuk e ka harruar kurrë Peg Entwistle janë një sërë ngjarjesh që lidhen me fantazmat.

Disa njerëz pa njohje me njëri-tjetrin, kanë thënë se kanë parë në kodrën e famshme të Hollywood një grua me veshje të një epokë tjetër.

Historitë me fantazma filluan për të parën herë në vitin 1940 kur për shkaqe të padukshme germa H u rrëzua, ndërsa pjesa tjetër e fjalës nuk kishte pësuar asnjë ndryshim.

Në fillim të vitit 1990 një çift alpinistësh ishin befasuar nga përballja e papritur më një “grua bionde të hutuar, me veshje të viteve 30-të, e cila ishte zhdukur menjëherë.” Ajo që i bën bashkë të gjitha këto histori të kohëve të ndryshme, është një detaj: Në të gjithë rastet kur fantazma është larguar ka lënë pas një aromë, aromën e lule gardenjës, parfumi i preferuar i Peg.

Shumë vite më pas fama e Peg mori një drejtim tjetër: në 2014 një muzikal i titulluar “Natën e mirë Shtator” (Goodnight September) u luajt në skenat më të mëdha amerikane në kujtim të saj. Një dramatizim i javëve të fundit të jetës së Peg që u bë sukses komercial dhe kinematografik.

Gjithashtu në 2017, këngëtarja Lana Del Ray i bëri një homazh vdekjes së Peg në videon e këngës së saj “Lust for Life,” që tregon dy dashnorë që këndojnë dhe vallëzojnë mbi gërmën H.

Po ashtu, ndërsa në studio filmike të Hollywood po behen plane për një film autobiografik për të, në Netflix po shfaqet një show me titullin “Hollywood” ku gjenden edhe referenca nga vdekja e Peg.

Dhe si gjithnjë, forca më e madhe e natyrës -Ironia e Fatit- dëshmon forcën e vet: 80 e ca vjet pas vdekjes së saj tragjike Peg po pushton ekranet që iu mohuan sa ishte gjallë.