Arte & Media

Kokonat (Cuties), filmi kontroversial i Netflix - Nga Atena Bishka

Atena Bishka - Toronto

Te filmi i ri i Netflix-it, Cuties (Mignonnes), i skenaristes dhe regjisores senegalezo-franceze, Maïmouna Doucouré, më shpuri zhurma mediatike dhe vorbulla kontroversiale që ka shkaktuar. Një përzjerje kritikash e lavdërimesh më bënë kureshtare dhe ia caktova vetes për ta parë me vemendje deri në fund. Përveç kësaj, pashë në YouTube edhe një koment të shkurtër shpjegues të Maïmouna Doucuré, për ta patur kontekstin sa më të qartë. Di që në Rotten Tomatoes vlerësimi është i lartë (89%). Po ashtu edhe në Netflix, gjykuar nga numri i yjeve të kuq. Është fitues i çmimit “World Cinema Dramatic Competition” të Sundance Film Festival për regji dhe i nominuar për dy çmime nga Berlin International Film Festival.

Filmi ka në qendër një vajzë senegaleze 11 vjeç, a diçka më shumë, Aminata, të cilën e thërrasin në mënyrë të perëndimorizuar, Amy.  Ajo jeton me të ëmën, një vëlla si ndonja 6-7 vjeç dhe një vëlla a motër tjetër, ndoshta motak, në rrethinat e Parisit (që ngjajnë si çdo rrethinë a geto tjetër e pabukur dhe e pafytyrë, që mund ta ndeshësh kudo tjetër në botë). Në këtë moshë të brishtë e tranzitore në prag të adoleshencës, Amy përpëlitet e ndrydhur mes dy kulturash ekstreme. Nga njera anë bota shtypëse nën thundrën e një kulture senegaleze islamike, nga ana tjetër kultura tunduese seksualizuese perëndimore, e cila priret t’i zërë peng vajzat duke i objektifikuar në një moshë që vjen e bëhet gjithnjë e më e njomë.

Maïmouna Doucouré

Qysh në fillim kuptojmë se jeta në familje e bën këtë fëmijë të ndjeshme e perceptuese të vuaj. Asaj i dhemb të vërejë sesa e pafuqishme është nëna e saj kokëulur karshi normave të kulturës prej nga vjen të fortifikuara me tirani islamike, në një kohë që babai ndodhet në Senegal për të gjetur e sjellë gruan e tij të dytë. Jemi përpara përgatitjeve të fisit për kremtimin e një dasme të dytë për babain e Amy-it. Një dhomë në apartamentin e vogël shndërrohet në dhomë gjumi zbukurar enkas për çiftin e ri. Ky ngjan si një parashtrim kureshtje-cytës i një konteksti të mbushur me probleme, tension e dilemma që kërkojnë zgjidhje. Megjithatë, edhe pse shpresoja që filmi të më merrte në një udhëtim artistik që t’ia vlente, unë mezi e çova deri në fund, dhe vetëm e vetëm ngaqë ia kisha vënë vetes për detyrë. Nëse duhet të vë në dukje diçka që më la mbresë të mirë, ishte aktrimi dhe mimika shprehëse e Fathia Youssouf në rolin e Amy-it.

Dy janë problemet kryesore që pata me filmin: së pari është qëllimi.  Qëllimi i filmit është të të bëjë të mendosh në mënyrë kritike si ndaj ndrydhjes mizogjene e tiranisë islame ndaj grave, ashtu edhe ndaj kulturës së hiper-seksualitetit të femrave në botën perëndimore. Të dyja janë skaje njësoj të kritikueshme. Këtu duket se mëshon skenari.  Problemi është se gjatë gjithë filmit, unë s’isha e qartë se çfarë saktësisht donte të thoshte e gjithë ajo që pashë, duke patur frikë se ishte fjala për viktimizim të femrës që e gjente emancipimin dhe fuqizimin (empowerment) përmes çlirimit seksual dhe promiskuitetit. Mbase, zor të ketë autor të dojë të kumtojë këtë, mirëpo shtjellimi i narrativës në film, ndoshta padashje, këtë më bëri të mendoj. Mirëpo, më erdhi në ndihmë intervista sqaruese e skenaristes dhe regjizores Doucuré, e cila për fat të mirë ishte kundër dy ekstremeve që përmenda më lart. Dhe unë u ndjeva disi më mirë. Mirëpo, nëse ka edhe shikues të tjerë si unë, që duhet të marrin vesh si qëndrojnë punët me ndihmën e skanaristes e regjisores, atëhere kjo s’do të ishte gjë e mirë për filmin vetë. Një film i mirë duhet të qëndrojë vetë në këmbë e të komunikojë drejtpërdrejt me shikuesin pa nevojë ndërmjetësi. 

Pavarësisht se autorja Doucuré shprehet se është kundër hiper-seksualitetit, ka aq shumë hiper-seksualitet fëmijësh (përsëris, vajzat në këtë film janë të moshës 11-12 vjeçare) në filmin e saj, saqë gati abuzohet. Amy bashkohet me një grup prej 3-4 vajzash të racave e kombësive të ndryshme (të gjitha me gjasë nga familje të varfra, emigrante e me halle). Interesi e preokupacioni i këtyre vajzave është të përgatiten për gara performancash koreografike të muzikës pop e rap të ditës. Të gjitha performojnë duke u veshur e duke u sjellë si vajza të rritura, agresive e super-provokuese seksualisht. Duan t’ia kalojnë një grupi tjetër vajzash, po aq agresive dhe të seksualizuara. Kjo lloj performance merr edhe pjesën kryesore të filmit duke përbërë thelbin shokues dhe kontroversial të filmit. Të bën të mendosh se është manipulim i përdorur si karrem për shikueshmëri vojeriste. Dhe si e tillë është një qasje e tepruar dhe artificiale - kripë e hedhur pa masë e pa rrudhje dore në gjellë.

Që të jemi të qartë, s’jam kundra që shikuesi të ketë lëkurë të trashë e të mos ofendohet lehtë nga imazheria dhe vrazhdësia e mesazheve. Përkundrazi, lypset të mos tutet prej temave të mëdha, problemeve të vështira e të dhimbshme dhe qasjeve të guximshme e kreative, sado të sikletshme e të rënda të jenë për sytë, mendjen e zemrën. Jeta e tillë është. Sot më shumë se kurrë. Por në këtë rast hiper-seksualiteti ngjan si qëllim në vetvete (përfshirë këtu edhe fotografimin që heroina i bën vulvës së vet me celular, të cilën si gjest për të shprehur revoltë e rebelim e shpërndan në rrjet - sa e nevojshme ishte një gjë e tillë?) Përveç kësaj, sa e moralshme dhe sa e drejtë është të përdoren në këtë mënyrë aktoret minorene? Ndërkaq, s’po futem fare në ujrat e vajzave të jetës reale që imitojnë ose aspirojnë të imitojnë jetën fiksionale të ekranit, as te pasojat që lidhen me futjen në lojë të predatorëve dhe manjakëve seksualë.

Ka edhe një problem tjetër kyç, që për mendimin tim është akoma edhe më serioz. Në fakt, sikur ky problem i dytë të ish zgjidhur më mirë, problemi i mësipërm edhe mund të justifikohej deri diku. Fundja jetojmë në një botë ku mosha e komercializimit dhe objektifikimit femëror, përmes mediave, rrejteve sociale, talent shows dhe beauty pageants vjen e bëhet gjithnjë e më e vogël - a ka mbetur ende ndokush që të habitet me këtë? Për shembull, në Shqipëri komercializimi dhe objektifikimi i fëmijëve ndodh deri në programe televizive popullore të tipit “Në Kurthin e Peter Pan-it”, ku vogëlushët parashkollorë mësohen të imitojnë të rriturit e të recitojnë si papagaj pyetje vulgare prej të rriturish vulgarë. Një djalë i vogël në këtë spektakël e pyeste Çiljeten nëse kish në plan t’i zvogëlonte a zmadhonte sërish gjinjtë. Po, pse, pyetje prej fëmije është kjo? Çiljeta, moderatorja, audienca e padukshme, pra publiku, gajasej gjithë shend. Pra, kjo është bota ku jetojmë e s’na bën përshtypje!

Të vij tani te problemi i dytë që përmenda: Tamam atëhere kur filmit i afrohet fundi dhe ndjen se po dështon keq, një Deus Ex Machina i dyfishtë, ose mrekullia vetë, ndodh krejt papritur për ta shpëtuar filmin me një fund “të moralshëm”, a quaje po të duash një farë “happy ending”, edhe pse jo përfundimtar. Parpritur, Amy, mu në mes të performancës së fundit të mbushur cit me gjeste erotike që imitojnë aktin seksual dhe prekje të fundbarkut (pasi grupi arrin të fitojë fazën përzgjedhëse të garës) sikur nis të kuptojë se kjo s’ish rrugë e mbarë për të. Duke vënë re vështrimet mosaprovuese prej shikuesve çfarëdo në shesh (që mu dukën të paktë e kryesisht ca nëna të ngeshme me fëmijë, që hera-herës të sikletosura ua zinin këtyre sytë për t’i mbrojtur nga imazheria pornografike, ose merrnin të largoheshin) e duke sjellë ndër mend të ëmën me lot në sy në shtëpi, ajo befas e lë përgjysëm vallëzimin, atë vallëzim që kish bërë çmos ta bënte realitet duke luajtur rol protagonisteje, madje mënd edhe duke mbytur njërën nga vajzat që e hedh në lumë, dhe niset për në shtëpi. Një racionalitet, ky i paparë!

Si ka mundësi të vetë-zgjohet kështu sa hap e mbyll sytë, pa asnjë proces gradual? Pa asnjë ndihmë e orientim prej ndonjë më të madhi të kujdeshëm e të dhimbsur (nëna e Amy-it ashtu e kredhur në pafuqishmërinë, varfërinë dhe dëshpërimin e vet, as që e ka idenë se si e kalon kohën vajza e saj e çfarë bën me shoqet)? Pa asnjë influencë prej, kushedi, ndonjë miku a mikeshe të mençur? Pa asnjë shenjë se rruga e kthesës kish nisur në të vërtetë në shpirtin e saj, përmes dyshimit dhe vrarjes së mendjes për të kuptuar se ku po gabonte e çfarë mund të bënte për të dalë nga ajo gjeratore e rrezikshme ku mund të humbiste veten? Jo, asgjë nga këto. Madje as feja islame, për të cilën Amy as që kish pikë interesi, s’mund të ushtronte ndonjë rol makar frenues e sadpoak të përkoshëm. Me një fjalë s’kish asnjë forcë pozitive a influencuese në jetën e Amy-t. Mu duk se më kish marrë gjumi për nja dy orë të mira mu në mes të ndjekjes së filmit dhe kur u zgjova pashë se punët papritur ishin rregulluar prej vetiu për bukuri. Amy në mes të asaj zbrazëtie morale a hendeku plot llucë ku po kridhej symbyllazi thellë e më thellë, pavarësisht mungesës së përvojës e papjekurisë - natyrisht të justifikueshme - të moshës, thjesht arriti të zgjohej si prej një ëndre të keqe duke u vetë-ngritur sakaq e duke hyrë në shtegun e drejtë. Si është e mundur? Vërtet të jetë kthimi në shtegun e mbarë kaq i thjeshtë, a thua se u godit në kokë prej ndonjë shigjete perëndie që e ftilloi dhe e solli në vete? Po, pse, kështu ndodhka në jetën reale me para-adoleshentët gati delinkuentë? Kush është gati ta gëllitisë këtë?

Fathia Youssouf

Ka edhe më. Jo vetëm, Amy, por edhe e ëma e Amy-it, e cila gjatë gjithë kohës shfaqet me lot në sy, e topitur dhe e pikëlluar, ndjekëse e bindur dhe e platitur e rregullave të fesë dhe komandave të familjarëve me rang më të lartë hierakik, që i diktonin si të sillej e çfarë të bënte, befas del nga gjendja e paralizës dhe fiton një luciditet për ta patur zili. Deri tani ajo shfaqet si një grua për të cilën ndjen dhimbsuri, por që s’është në gjendje të ofrojë një model mendimi e veprimi për t’u ndjekur prej së bijës. Mirëpo e përqafon të bijën pa një pa dy (paçka se aty pak më parë sapo ishin grindur duke e thirrur “kurvë”) dhe e miraton kërkesën e saj për të mos marrë pjesë në dasmën e të atit me gruan e dytë, pa i bërë syri tërr. Nënë-bijë shfaqen në harmoni e mirëkuptim të plotë. Të dyja duket se bëjnë një kërcim transhendental magjik të njëkohshëm! Amy flak tutje si fustanin e caktuar për ceremoninë e dasmës së babait (pra kulturën senegaleze dhe Isamin) ashtu edhe kostumin e ngushtë apo më mirë të themi rrobat e banjës provokative të vallëzimit (anën e errët të kulturës pritëse e të shthurur perëndimore). Lëshon flokët, heq makijazhin prej geishe, vishet me jeans e bluzë normale, kthehet në fëmijë ashtu siç duhet të jetë, dhe shkon të luaj litarthi me moshatarët e vet në rrugë (të cilët e pranojnë pa një pa dy).

Ah, sa bukur, sa bukur! Amy mori gjithë atë shteg teposhtë për në ferr, mirëpo po aq kollaj, po ajo vetë, e gjen rrugën shpejt-e-shpejt lart për të dalë në dritë e për t’u hedhur e luajtur e lumtur në litar. Sikur punët të ishin vërtet kaq të thjeshta! Mirëpo s’janë. Rruga për në ferr, thonë është e thjeshtë, por rruga për të dalë jashtë është e zorshme, në mos po e pamundur.

©Atena Bishka