Arte & Media

Dita ndërkombëtare e RADIOS - Nga Alfons Zeneli

 Alfons Zeneli

Kam punuar në mediat e shkruara dhe ato janë një stad shumë i rëndësishëm profesional. Kam punuar edhe ne televizione. Është padyshim mrekulli. TV të bën të të njohin njerëzit dhe të ekspozon para gjykimit të tyre. Të kalit përgjegjësinë, ta bën cipen më të ndjeshme (nëse ke).

Për shumë vite kam drejtuar dy radio: Radio Kontakt ku dhe kam bërë mbi 1000 orë transmetimi live dhe Radio Tiranën. Radio Kontakt ishte më shumë se media. E themeluar nga të ndjerët Agron Bala dhe Riza Rusi ajo u bë si një vendfalje eterike dhe pikë pelegrignazhi shpirtëror për dhjetëra mijëra dëgjues. Pata fatin e lum të kem një staf elitar të jashtëzakonshëm: Vjollca Vokshi, Reis Çiço, Veli Rada, Flamur Gashi, Desada Meta, Ilva Tare, Patrik Sadikaj, Elona Meço, Tomorr Avdia etj.  Brenda vetes time mburrem përditë me kujtimin, lavdinë dhe historinë unike të saj.

Radio Tirana është pa asnjë dyshim ikona e përjetshme e botës së mediave shqiptare. E themeluar nga mbreti Zog më 28 Nëntor të vitit 1938, kjo radio është shpirti mediatik shqiptar. Shkëlqimi i saj është aq i madh sa që nuk mundem dot kurrë ta kem guximin për të tentuar përshkrimin e saj me fjalë. Fat e nder që punova me njerëzit e mrekullueshem dhe profesionistët e saj famëmëdhenj.

Sot është dita ndërkombëtare e RADIOS.

Para shumë viteve, në kohën kur dëgjonim Hit Parade-n fshehurazi, u bë e famshme dhe një këngë me titull "Video kill the radio star". Por që atehere kane kaluar dekada dhe RADIO po mbijeton. Ja ku po flasim sot për RADION si institucion të cilin nuk e vrau dot teknologjia. Dhe a e dini pse? Sepse shpirti i njeriut do të ketë nevojë të pashpjegueshme dhe të përjetshme për të dëgjuar ZË. Se zëri është prej fryme dhe fryma është prej Zoti. Kjo është mistika dhe magjia e RADIOS.

Gezuar!

©Alfons Zeneli