Arte & Media

Përbindëshi, lëvizni o njerëz! - Nga Mehmet Elezi

Mehmet Elezi

Te kanali franko-gjerman ARTE pashë filmin Shesh (The Square). Vepër e regjisorit suedez Ruben Östlund. Fitues i Palmës së Artë 2017. Do të ndalem vetëm te një skenë.

Në një mbrëmje gala ftojnë një përbindësh. Fytyrë e shtat njeriu, duket thjesht një i metë. I zhveshur në mes e nalt, kërcen pupthi. Gjuha, në trajtë lehjesh me energji të zezë. Organizatori i porosit pjesëmarrësit mos tregoni interes për të, mos ia varni, mos i ktheni përgjigje. Lereni në lojën e vet.

Përbindëshi i afrohet herë njërit, herë tjetrit. Ngacmon, provokon, prek në mënyrë fyese. Askush nuk bëzan. I qepet një burri, e detyron me ikë nga tavolina për me i shpëtue dhunës. Askush nuk bëzan. Përbindëshi merr zemër, me një të kërcyer hip në tavolinën qendrore, shkel e përdhos gjithçka. Askush nuk bëzan. I afrohet një zonje të re, e prek në fytyrë e në gushë në mënyrë të papërshtatshme. Askush nuk bëzan. E ngjesh dhunshëm nën mjekrën e vet, ajo thërret me zë të mekur si kec, ndihmomëni. Askush nuk bëzan. Salla e kristaltë, burra e gra fisnikë me veshje gala, të tërë të ngrirë. Përbindëshi e mbërthen zonjën kafshërisht, e tërheq për flokësh zhag nëpër fundshtrojë, ajo ka flokë të gjatë, të dendur, të bukur, ai i hip përsipër kafshërisht, bëhet gati për veprimin e fundit të përdhunimit kafshëror, ndërsy të gjithëve. Askush nuk bëzan. Askush nuk merr frymë. Derisa një burrë i bardhë, diku midis shtatëdhjetë e tetëdhjetë vjeç, i turret përbindëshit me një grusht në kraharor. Salla më në fund zgjohet. Turren edhe të tjerë. S’ka më përbindësh.

Ku ishit, o njerëz? Përbindëshi nuk po i dhunonte vetëm ata që i prekte. Po ju dhunonte të gjithë ju, të gjithë ju. Po i përdhunonte fytyrat tuaja, zonjat tuaja të hijshme e të fisme që keni në krah, bukën tuaj, jetën tuaj, vdekjen tuaj. Gjithçka.

Ai, përbindëshi që e ftuat vetë!

Lëvizni o njerëz!

©Mehmet Elezi