Arte & Media

Miq të çmuar që i njohim dhe i humbasim udhëtimeve - Nga Albana Lifschin

Albana Lifschin - SHBA

Zakonisht nuk i mbajmë mend bashkëudhëtarët e rastit në avionë. Megjithatë, në 25 udhëtime gjatë dy dekadave në Evropë e në atdhe, në kujtesën time ka mbetur një zonjë nga India, Mohini Jagdish Bazaz.

Kush ishte Mohini Bazaz?

Avioni ynë ndodhej ende në runway në aeroportin e Munihut. Ajo lëshoi çantën e saj në karrigen pranë meje, por nuk u ul. Lëvizte nëpërmes radhëve me një sy hulumtues. Me të parë stjuardesën filloi bisedën me të. Qe nje e folur e shpejtë e me një ton të pakënaqur. Insistonte të ndërronte vend sepse kishte nevojë për dy karrige bashkë.

-Kam bërë udhëtim të gjatë që nga India, zonjushe, dhe kam edhe 10 orë udhëtim deri në NYC. Për kë i keni rezervuar ato dy vendet në fund? Pse të mos shkoj unë aty? Apo keni preferenca për njerëzit? Këtu jemi të gjithë të barabartë.

U ul në vend e indinjuar. Me insistimin e saj në fillim m’u duk si grindavece, por pastaj e guximshme. Më tregoi se ishte gazetare nga India. Po shkonte në NYC për një konferencë kolegësh.

-Unë kam udhëtuar shumë, në të gjitha kontinentet, spjegoi.

Pastaj më pyeti se nga ç'vend isha.

-Nuk besoj që të keni ardhur në vendin tim.

Më duket se në fillim të viteve '90, të gjithë përgjigjeshim njëlloj, me një farë ngurimi. Nuk na besohej se të huajt e njihnin atdheun tonë. Kaq dekada të mbyllur ndaj botës.

Ajo u kthye e tëra nga unë dhe priti.

-Unë jam nga Albania. Tani vonë kemi filluar të udhëtojmë nëpër botë. Dhe... jemi larg me Indinë.

-Edhe afër, - tha ajo, dhe në një moment më hutoi.

-Sepse ne kemi një grua të madhe të përbashkët që ka kombësinë tuaj, por shtetësinë tonë, Mother Tereza…

U hap një temë interesante për të dyja. I thashë se gjithnjë më kishte habitur fakti që Nënë Tereza kujdesej për leprozët dhe sëmundja nuk e kishte prekur atë.

-E liga ka frikë nga shenjtorët, - tha ajo me një ton afirmues. Atë kohë Nënë Tereza nuk ishte bërë ende shenjtore, madje as nuk ishte folur për shenjtërinë e saj, por mënyra se si e tha Mohini, mua mu duk se ajo ishte pikërisht ashtu. Një shenjt. Udhëtimi i gjatë na miqësoi. Kur zbritëm në aeroportin Kenedi shkëmbyem adresat dhe kur po ndaheshim tek më zgjati dorën, u kujtua për diçka. Hoqi unazën e saj nga gishti dhe ma zgjati mua. Ishte një unazë me gurë të gjelbër rubini. Kjo qe fare e papritur. Ajo u përpoq të ma vendoste unazën në gishtin përkatës, por gishtërinjtë e Mohinit ishin më të hollë se të mitë dhe rrethi i unazës përfundoi në gishtin e vogël

* * *

Ishte fillimi i viteve '90. Muaj e vite kaluan dhe unë isha zhytur në rutinën e punës së përditshme për mbijetesë në Nju Jorkun e madh, ku ishte e vështirë të gjeje kohë edhe për një kafe me miqtë për shkak të distancave të mëdha dhe mungesës së kohës. Për Krishtlindje hodha një kartolinë urimi në kutinë e postës që kishim buzë rrugës. Mohini më ktheu përgjigje menjëherë. Më shkruante për udhëtimet që kishte bërë, për takimet me miq e kolegë në Evropë, për planet e ardhshme të udhëtimeve ku përfshihej edhe NYC, ku banonte një mikesha e saj. Letrën e mbyllte me ftesën: "Albana, come to Delhi and stay with me. I will look after you”. Madje më thosh se mund të vija bashkë me tim bir, vetëm duhet të evitoja dy muajt e verës kur ajo priste miq nga Evropa. Shkonte edhe më tej, duke më dhënë adresën e Indramit, në Mahhattan në 4-th avenue. Ajo do të më informonte për vendet e bukura që ka India. Për një moment Mohini m'u duk sikur qe shqiptare. Ne ishim kaq mikpritës dhe entuziastë për miqtë. E ruajtja atë kartolinë dhe adresën e saj. E vendosa brenda folderit tim tek xhepi me germën M”.

Sot, pas dy dekadash e sjell puna që unë e lexoj sërish. Kur mbarova, provova një ndjenjë boshllëku. Si e kisha harruar kaq vite?

-Pol, i thashë tim shoqi, - duke mbajtur në dorë kartolinën-letër të Mohinit, po sikur të bëjmë një udhëtim në Indi? I tregova si isha njohur me të dhe i zgjata letrën.

-Nuk jam e sigurtë nëse do ta njoh pas kaq kohësh, fola si me vete duke u ndjerë fajtore për këtë heshtje të gjatë. A nuk humbasim kur heshtim?

E kërkova në internet gazetën e saj “Delhi Diary” për të marrë informacion për të dhe mësova se bashkëudhëtarja ime Mohini Bazaz paska qenë kryeredaktore e gazetës që nga viti 1948. Gërmova edhe më, dhe mësova që emri i gazetares Mohini Bazaz është sinonim për revistën “Delhi Diary”. Kur thua "Mohini Bazaz" nënkupton "Delhi Diary" dhe e kundërta. Revista është krijesa e saj. Fillimisht si kryeredaktore (1948) dhe më pas si pronare e saj, (1969) ajo i dha revistës një portret të ri, të larmishëm, shumëngjyrësh duke e shndërruar në enciklopedi për vendasit dhe sidomos për të huajt të cilët vizitonin Indinë duke u frymëzuar nga “Ditari i Delhit”. Kolegët e respektojnë Mohinin si një botuese energjike e pasionante e mrekullisë së përjavshme të Delhit, (revista dilte çdo të premte) si një personalitet i fuqishëm në fushën e saj, e njohur brenda dhe jashtë Indisë. Për 40 vjet rrjesht pasuria e larmia e temave, ideve, ishte reflektim i udhëtimeve të saj brenda e jashtë Indisë duke njohur botën me atdheun e saj. Ajo vizitoi Britaninë e Madhe, Francën, Italinë, Egjyptin, Meksikën, Japoninë, Indonezinë, Singaporin, Australinë, Zelandën e Re, Rusinë, Kinën, Taivanin, Vietnamin, Israelin, Turqinë, etj. Pena dhe vepra saj u bë e njohur në shumë e shumë vende. Për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në fushën e gazetarisë turistike, në 2011 Mohini Bazaz u nderua me “Lifetime Achievement Award” për revistën e saj, - më popullorja për qytetarët e Delhit, që nga viti 1969”.

Duke llogaritur vitet mendova që Mohini tani duhet të ishte në pension. Kishte moshën e nënës sime.

U gëzova kur gjeta një adresë të gazetës së saj në Facebook dhe dërgova një mesazh. Ditët kalonin dhe kur po më mbushej mendja se duhej të qe ndonjë adresë që nuk përdorej, më erdhi një përgjigje e shkurtër.” Hi Albana, regret to tell you that Mohini has left the earth for a heavenly abode and we don't have her with us anymore".

Mohini s’ishte më. Kolegët, lexuesit që e admironin dhe revista që ajo krijoi, e humbën zonjen e madhe Mohini Bazaz, në 28 Korrik 2016.

Isha 6 muaj e vonuar.

©Albana Lifschin