“The Dissident”, një film tronditës - Nga Enver Robelli

Enver Robelli - Zvicër
Më 2 tetor 2018 gazetari saudit Xhamal Kashogi hyri në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll për të marrë një dokument, i cili i duhej për t’u martuar me një aktiviste turke të të drejtave të njeriut.
Një ditë më parë nga Riadi, kryeqyteti i Arabisë Saudite, kishin ardhur në Stamboll disa vrasës, mes tyre një ekspert i forenzikës. Ata zunë pritë në Konsullatë. Kur Kashogi u fut në Konsullatë, vrasësit thanë: “Po vjen kurbani”. 7 minuta pas hyrjes në Konsullatë Kashogi dha shpirt. Vrasësit e morën një sharrë për eshtra, ia copëtuan trupin dhe ia dogjën kufomën. Kështu mori fund jeta e një gazetari disident.
“The Dissident” (Disidenti) - kështu quhet filmi dokumentar i regjisorit amerikan Bryan Fogel mbi vrasjen e Xhamal Kashogit. Ai ishte një gazetar i njohur në Arabinë Saudite. Fillimisht shteti e lejonte të kritikojë nga pak, por kur Kashogi filloi të kërkojë demokraci në vendin e tij, ai e kaloi vijën e kuqe. Duke e parë rrezikun që i kanosej, ai emigroi në Amerikë dhe filloi të shkruajë kolumne për “Washington Post”.
Bryan Fogel e ka dokumentuar vrasjen e Kashogit minutë pas minute, sepse shërbimi sekret turk ia dha atij protokollet e përgjimit të Konsullatës Saudite. Njëri nga miqtë e Kashogit në film thotë: “Të kesh një mendim në Arabinë Saudite është problem. Të kesh një mendim para një publiku të gjerë është krim”.
Nga Amerika Kashogi u shndërrua në disident dhe nga Princi i Kurorës Mohamed Bin Salman shihej si armik i Arabisë Saudite. Ndjekësit e Kashogit e zbuluan vendndodhjen e tij përmes një softueri izraelit, përmes të cilit ata më vonë depërtuan edhe në telefonin mobil të Jeff Bezos, pronar i Amazonit dhe i Washington Post.
Urdhërdhënës i vrasjes, sipas të gjitha analizave të shërbimit sekret amerikan CIA, ishte Princi i Kurorës Mohamed Bin Salman. Por ai s’ka arsye të frikësohet. Ka shumë para. Me këto para blen armë në Perëndim. Dhe Perëndimi mbyll sytë. E drejta e të fortit fiton. Ndjekësit e quajtën Kashogin “bërllok të historisë”. Jeta e tij ishte shpallur e pavlefshme. E ai ishte vetëm një gazetar që angazhohej për të vërtetën. Dhe për mijëra njerëz që dergjen në burgjet e Arabisë Saudite.
©Enver Robelli