Arte & Media

Një histori e pazakontë e dy njerëzve të jashtëzakonshëm - Nga Artan Gjyzel Hasani

Artan Gjyzel Hasani - Toronto

Nuk është fotoshop i epokës internetore. Është një foto origjinale, një mbivendosje aksidentale e dy pozave të njëpasnjëshme në filmin e aparatit fotografik.

Po çfarë i bën të veçanta fotot nudo të Merilyn Monroes përtej hireve të saj natyrale?

Historia që po ju sjell fillon në vitin 1949 kur Norma Jeane Baker (qe më pas do të quhej Marilyn Monroe) ishte akoma një aktore e panjohur që luftonte me jetën dhe që për ca para më shumë pranoi të fotografohej nudo për një kalendar. Fotografi ishte Tom Kelley dhe Marylin u pagua 50 dollarë për fotot që u botuan në vitin 1951 nën emrin Mona Monroe.

Në vitin 1953 një djalosh i panjohur, që ashtu si Marilyn sapo kishte hyrë në rrugën e gazetarisë, vendosi të hapte një revistë me të cilën do të ndryshonte tërë botën. Ai quhej Hugh Hefner dhe revista e tij “Playboy”.  Deri në atë kohë kishte punuar për revistën e famshme “Esquire”, por ishte larguar nga ajo pasi nuk i kishin aprovuar një rritje rroge prej 5 dollarësh.

Ndërsa kishte përgatitur numrin e parë të revistës, Hefner po kërkonte foto nudo për ilustrimet dhe kopertinën. Rastësia e çoi në dyert e një redaksie që prodhonte kalendarë me pin up-s girls. Kur i vunë përpara fotot e Marilyn, që ndërkohë kishte filluar të bëhej e fanshme, ai vendosi ta blinte tërë filmin për 500 dollarë. Kur lau në laborator filmin fotoja e parë ishte fotoja e çuditshme e mbivendosjes së dy imazheve. Në fillim mendoi ta vinte atë foto në kopertinë, por më vonë ndërroi mendje. Ajo foto mbeti për shumë vite në kasafortën e tij e pabotuar.

Numri i parë i "Playboy" theu rekordin e shitjeve me 55 mijë kopje brenda natës së parë, duke shënuar kështu fillimin e mbarë te rrugëtimit të asaj që më vonë me 60 milionë kopje të shitura çdo vit, u quajt “Perandoria e Playboy” me një pasuri që sot llogaritet rreth 3 miliardë dollarë.

Marilyn nuk reagoi për publikimin e fotove pa marrë pëlqimin e saj. Nga ana ligjore Hefner ishte në rregull, pasi kishte blerë filmin nga ata që e zotëronin ligjërisht, por moralisht Hefner ndjeu një detyrim të pashlyer ndaj Marilyn Monroe, një brengë të heshtur që do e shoqëronte gjatë gjithë udhës së tij të suksesit. Kishin qenë fotot e saj që brenda natës e kthyen nga një të panjohur në një nga ikonat e ardhshme të mediave dhe showbiz-it botëror.

Në vitin 1992 Hefner bëri një lëvizje që kapi në befasi gjithkënd. Bleu për 75 mijë dollare vendin bosh të varrit ngjitur me atë të Marilyn. “Me Marilyn edhe në përjetësi!”, iu përgjigj pyetjes së gazetarëve.

Marilyn Monroe vdiq në vitin 1962 në moshen 36 vjeçare. Hugh Hefner vdiq në vitin 2017 në moshën 91 vjeçare.

Prehen të qetë krah për krah në varrezat e Westwood Memorial Park në Los Angeles.

Nuk ishin takuar kurrë në jetë.

©Artan Gjyzel Hasani