Arte & Media

Banaliteti ose asgjëja që cënon artin dhe jetën - Nga Vangjush Saro

Shoh çdo ditë e më shumë se si banaliteti dhe fjalët e pista përdoren pa kurfarë droje: në TV, në gazeta, në rrjete, në krijimtari e në politikë… Habitesh ndonjëherë, kur shikon që edhe disa vajza të showbiz-it, kaq elegante, kaq të hijshme, e lëshojnë gojën si të jenë rritur në ndonjë geto (!) Dëgjon diskutime, ndjek shfaqje, lexon krijime, ku banalja bën festë dhe… rreh të përcjellë ‘ide’, ‘mesazhe’, madje duke bërë përshesh zhanret; dhe kjo është kaq e trishtë…

Nga na erdhi kjo ‘modë’?

Ndonjëherë duan ta ngatërrojnë dukurinë me humorin, me groteskun, çka e bën edhe më acarues problemin. Disa të ashtuquajtura ‘Show’ ku aktorët më së shumti zgërdhihen vetë, pa i bërë dot për të qeshur spektatorët, ishin shembulli më i pacipë. (Por unë kam vënë re, me aq sa i kam ndjekur disa shfaqje, se aktorët nga Kosova, nuk e bënin humorin duke përdorur fjalë banale apo duke bërë gjeste banale.) Letërsia dhe arti i prirur për grotesk, nuk kanë të bëjnë fare me këtë marrëzi që quhet banalitet. “Don Kishoti i Mançës” i M. Servantesit, është një vepër e kësaj natyre, pavarësisht se si e kuptojnë e komentojnë ata që e kanë të kufizuar edukimin; është një nga kuotat më të larta letrare në shekuj; aty nuk gjen asnjëlloj banaliteti. Po ashtu te “Tartarini i Taraskonit” (A. Dode), “Tre vete në një barkë” (J. Jerome) dhe “Ushtari i mirë Shvejk” (J. Hashek). Vepra të tilla përcjellin humor e mënçuri, por asfare banalitet.

Nga na erdhi kjo ‘modë’?

Të vijmë në vlerat shqiptare: Komeditë e Çajupit, me të cilat ne ende krenohemi shumë pak, nuk kanë asgjë banale. Skicat e Migjenit dhe të N. Bulkës jo se jo. “Karnavalet e Korçës” e S. Çomorës gjithashtu. Një nga veprat që ka tejkaluar çdo pritshmëri suksesi, që nga shfaqja e para e këtej, komedia “Pallati 176” e A. Balashit, nuk ka asgjë banale, as edhe një rrokje. Në kinokomeditë më të njohura shqiptare, nga “Kapedani”, te “Zëvendësi i grave”, “Shkëlqim i përkohshëm” e “Zonja nga qyteti”, as që bëhet fjalë për banalitet. Proza e Q. Buxhelit, një nga kuotat më të larta në letërsinë shqiptare, nuk ka asnjë rresht në banalitet. Po ashtu tregimet e shkrimtarit T. Aliaj dhe fabulat e Gj. Kurtiqit, përfaqësues serioz i fabulistikës moderne shqiptare. Satirat e L. Lazes gjithashtu përcjellin përvoja e mençuri pa ia ‘varur torbën’ fare banalitetit.

Nga na erdhi kjo modë?

Ja ndonjë shpjegim: Në politikën shqiptare, sidomos pas vitit ‘97, hynë banditë, njerëz pa shkollë; ose edhe asi që… i ka parë shkolla. Ata filluan të grinden e të përfyten - me fjalë dhe me gjeste - në vendin që duhej të ishte më i shenjti (pas Shtëpisë dhe Kishës). Po ashtu mund të thuhet për gjithfarë ‘Show’ ku - pa mohuar disa arritje - ndjehet mungesa e letërsisë dhe e interpretimit profesional. Dukuria mund të shihet edhe në botën e huaj: filma, shfaqje, gjeste, ku disa fjalë të ndyta janë bërë si në vend të kafes e të përshëndetjes… Por mendoj se ne duhet të inspirohemi nga veprat e kryeveprat dhe jo nga ‘bërsitë’ e mbetjeve gjithfarë. Gjeste, fjalë apo krijime aso, asnjëherë nuk ndihmojnë për të zënë vend në atë që mund të klasifikohet si sukses.

Nga na erdhi kjo ‘modë’?

Është kaq e dhimbshme kur ajo që nuk e arrin dot, kthehet në të kundërtën e vet; kur atë që e mendon si rrugën më të lehtë për ‘sukses’ a shpagim, e gjen sakaq në pështyrjen më të parë; kur zgërdhihesh për vete, por assesi nuk e bind dot një publik a lexues të kultivuar. Uau, paska ca mendjepakët e ca klakerë atje tej! O burra, ta rrisim dozën… Dhe kështu, banalitetit bëhet me brirë; sulmon ku të mundet e kë të mundet dhe ka efektet e veta, nuk mund ta mohojmë. Megjithatë e më në fund, qasja në banalitet është instikt, është mungesë kontrolli ndaj vetes, është si të fshihesh a të fshehësh mungesën e talentit dhe të aftësive, është përcjellje kompleksesh; nuk ka të ardhme.

©Vangjush Saro

Në foto poshtë: Nga “Nata e dymbëdhjetë” (U. Shekspir) Teatri Kombëtar.