Arte & Media

A ka “njësi matëse” për artin dhe artistin? - Nga Klodi Stralla

Klodi Stralla

Historia e Artit njeh raste të shumta kur shkrimtarë, piktorë, skulptorë ose muzikantë, që kanë korrur lavdi, në gjallje të vet, në shërbim të oborrit të pushtetit, me kalimin e viteve i ka mbuluar pluhuri i harresës. Ka edhe nga ata që kanë vdekur të panjohur edhe prej bashkëkohësve të tyre dhe vetëm shumë vite më vonë është kuptuar dhe vlerësuar vepra e tyre. Pra, a ka “njësi matëse” për artin dhe artistin?

Sipas meje, artistët e mëdhenj lindin zakonisht në kohë krizash të mëdha. Nga njëra anë ata e pasqyrojnë krizën në gjithë larminë dhe dinamikën e saj, kurse, nga ana tjetër, forca kryesore lëvizëse e krijimtarisë së tyre bëhet dëshira e madhe për të gjetur një përgjigje qetësuese dhe nje rrugëzgjidhje për çështjet më të rëndësishme të jetës së popujve të tyre.

Artistët tanë, jetuan dhe po jetojnë në epokën e eksperimentit më të kobshëm social që, komunizmi dje dhe tranzicioni sot, bëri mbi shqiptarët (kriza), kurse forca lëvizëse e krijimtarisë të tyre nuk ishte dhe as është gjetja e përgjigjeve dhe rrugëzgjidhjeve për lehtësimin e dhimbjeve të popullit të tyre. Ata shërbyen dhe fatkeqësisht shërbejnë ende si opium qetësues e shpresë iluzore dhe, me këtë, i shërbejnë më tepër regjimit se popullit të vet, ndonëse të gjithë kërkojnë sa më shumë tituj, medalje apo pensione specialë.

Për mua, PËRJETËSIA - në çdo fushë qoftë dhe për këdo që e pretendon, kalon nga kjo “brimë e ngushtë e gjilpërës”.

©Klodi Stralla