Arte & Media

Një e shtunë me Vincent Van Gogh në Hamilton - Nga Plarent Islami

Plarent Islami - Burlington ON

Të shtunën e kaluar, Maria dhe unë vajtëm të ndiqnim një shfaqje të titulluar “Përtej Van Gogh-ut”; një eksperiencë imazhesh tre-dimensionale të krijuar nga regjizori Mathieu St-Arnaud dhe ekipi i tij nga Montréali.

Unë vajta në shfaqje me njohuritë e mija tepër modeste mbi artin e Van Gogh-ut dhe me admirimin për ngjyrat që ka përdorur në veprat e tij dhe dola nga shfaqja me ndjenjën e dashurisë për Vincent-in, njeriun që qëndron pas legjendës.

Për afërsisht një orë u ndjeva më i lumtur dhe i gëzuar sesa në shumicën e momenteve të jetës së përditëshme.

Vincent më kujtoi se ka bukuri dhe gëzim në çdo detaj të natyrës. Nëpërmjet portreteve më kujtoi se ka mirësi tek çdo njeri, mjafton të shikosh thellë në sytë e njerëzve, edhe kur fytyra e tyre nuk është shumë e hijshme.

Vincent më tregoi si të dalloj rrjedhjen e kohës edhe në qiellin plot yje që duket sikur nuk lëviz; si të dalloj jetën që gjallon në një fushë të gjërë me lule; si ta gjej mrekullinë në thjeshtësinë e çdo objekti të rëndomtë.

Arti i Van Gogh-ut më bëri të kuptoj se jeta mund të jetë e mbushur me vështirësi, por pa to nuk do të përjetonim eksperienca që na bëjnë të të kuptojmë njerëzit rreth nesh dhe të na dhimbsen kur fati tregohet i ashpër me ta.

Kolona zanore e shfaqjes, e zgjedhur mjeshtërisht, më ndihmoi të zhytesha i tëri në veprën e Van Gogh, por mbi të gjitha ishte futja e thënieve të të vëllait Theo, kudo rreth imazheve, që më dha këndvështrimin më të mirë nga i cili duhet parë jeta. Një terapi e nevojshme sidomos në ditët e sotme mbushur me mosbesim, konfuzion dhe përpjekje të marra për të gjetur të meta kudo dhe tek kushdo.

©Plarent Islami

Fotot: Ben Nelms/CBC