"I mendermethënshmi realizëm socialist" - Nga Alfons Zeneli

Në filmin e Kinostudios Shqipëria e Re me titull "Historiani dhe kameleonët" ngjarjet zhvillohen në kohën e mbretërisë. Mbreti është injorant, analfabet, budalla, i lig. Të gjithë të pasurit dhe shtresa e mesme janë injorantë, analfabetë, të trashë, të ligj. Historiani i huaj i ftuar është i shkurtër, i dobët, i shëmtuar, me parkinson, prostat dhe sigurisht kokrra e idiotit. Kurse karrocierët, samarxhinjtë, kallajxhinjtë, barinjtë, rrobalarësit etj., janë gjithmonë të zgjuar, të pashëm dhe e kalojnë jetën duke vënë në lojë mbretin, klasën e të pasurve dhe të huajt.
Po të shikosh dhe komedinë "Prefekti", na shpaloset e njëjta pamje groteske. Qazim Mulleti është injorant, kokëtrashë i lindur, gjysmëanalfabet, i lig, i korruptuar, batakçi. Hajria po e po. Hajria nuk e di si mbahet telefoni, megjithëse e ka një të tillë dhe falë Qazimit ka shëtitur e ka parë botë. Kurse shërbëtorja lëverelarëse e cila vjen nga shtresat e varfëra, është superinteligjente dhe e kalon jetën në idil të plotë duke tallur menderen me borgjezët e fëlliqur.
Ballistët megjithëse rrinë gjithë kohës duke ngrënë pula, bagëti e duke pirë janë gjithmonë të dobët, me dhëmbë të rënë, të shkurtër dhe frikacakë. Pa dyshim, si gjithmonë injorantë. Kurse partizanët megjithëse nuk hanë as pinë as..., prap se prap janë të gjatë, të shëndetshëm, të pashëm dhe me inteligjencë superiore. Po kështu dhe diversantët, agjentët, kulakët. Kurse fshatarët ajka e trurit. Në kampin e fshatarëve që punonin 10 orë në ditë për 20 lek dhe të punëtorëve me turne të tmerrshëm mbretëron hareja, lumturia, bollëku. Gatuajnë ushqimin me vajguri mu në vendin ku jashtëqisin. Jeta si pemë Krishtlindje.
Kjo skemë është emëruesi absolut i përbashkët i të gjithë filmave të Kinostudios. Nuk po them as t'i ndalojnë as mos t'i ndalojnë. Por a është normale t'i serviret publikut një gënjeshtër kaq e madhe dhe kriminale?
Me kujtohet fraza lapidare e prof. Zekeria Canajt: "I mendermethënshmi realizëm socialist".
©Alfons Zeneli