Arte & Media

I ngjashmi i Van Gogh - Nga Luan Rama

Luan Rama

Veprat, aktet dhe jetët e artistëve të mëdhenj mbeten referenca të mëdha, që na befasojnë gjithnjë, duke gjetur në to diçka të re, simbolike, më domethënëse e njëkohësisht tronditëse. Vepra dhe jeta e Van Gogh apo e një Gauguin, Rembrandt, Caravaggio, El Greco etj., është gjithnjë mjaft frymëzues në ditët tona. Ndër vite, gjatë shekullit XX, për ta janë krijuar një sërë libra, filma, dramatizime, spektakle etj., ku artistë të sotëm i kanë parë ata nga këndëvështrimi i tyre origjinal.

Para pak ditësh pata rastin të shoh një film amerikan “At Eternity’s Gate”, me William Dafoe në rolin e Van Gogh, xhiruar në Francë, ku piktori i madh krijoi veprën e tij të jashtëzakonshme dhe vdiq në fund të shekullit XIX. Ky film, realizuar nga amerikani Julien Schnabel, si në asnjë vepër tjetër mbi këtë piktor gjenial, na jep tronditjen e madhe ekzistenciale të këtij piktorit që në të gjallë të tij shiti veç dy-tre piktura dhe që nuk u kuptua nga shoqëria ku jetonte, e ku më vonë, arti i tij u konsiderua si vepra e një gjeniu. Jo më kot Antonin Artaud e cilësoi piktorin hollandez “Organist i natyrës, qiellit…”

Më bëri përshtypje që në këtë vepër, në qendër ishte drama shpirtërore dhe trallisja e këtij piktori të dehur me të bukurën, siç e shikonte ai dhe si e përfytyronte në telajon e tij. Kjo dramë dhe mendimet e tij artistike dhe filozofike, mbështetur në letrat e tij dërguar të vëllait, Teo, ishin thelbi i këtij filmi vërtet tronditës, ku për herë të parë shohim një Van Gogh të mishëruar në mënyrë të përsosur, çka bëri që aktori Dafoe të kurorëzohej me çmimin Oscar në vitin 2019.

Regjisori i këtij filmi nuk jepet shumë të deshifrojë veprën e tij por ai ndalon në disa nga momentet më të vështira të jetës dhe artit të artistit, duke u përqëndruar në fytyrën e tij, aty ku përjetohet drama, bukuria tronditëse e tragjike. Kështu, Dafoe bëhet një i ngjashëm me artistin dhe kjo ngjashmëri vjen nga mënyra se si ai interpreton, si përjeton të bukurën, si dehet me natyrën, erën, kodrinat dhe lirinë e tij dhe kur kjo liri i cënohet ai tralliset, vuan, revoltohet.

Figura e Van Gogh në këtë film është vërtet tronditës siç e shkruan dhe Artaud: “Van Gogh nuk vdiq nga deliri mental, por ai ishte viktimë e shoqërisë”. Ai është tronditës kur nga Parisi shkon në Arles dhe ku marrëdhëniet me Gauguin bëhen dramatike; është tronditës kur e mbyllin në çmendinën e Saint Remy dhe në bisedat filozofike me priftin e kësaj çmendine; është tronditës në vizionet e tij, pra një përjetim që nuk e kemi gjetur në filmat e shumtë të realizuar mbi jetën e tij, duke filluar nga vitet ’50 me Kirk Douglas etj., apo filmat e mëvonshëm “Vincent et Théo Van Gogh”, “La vie passioné de Van Gogh”, “Van Gogh”, etj.

Ndryshe nga filmat e tjerë, këtu kemi artistin që arrin të zbulojë thelbin e të bukurës, njerëzore, magjinë e ngjyrave të forta, artistin që dehet me tokën, zogjtë dhe erën, artistin që shtrihet dhe hedh dheun mbi fytyrë për të shijuar aromën e tokës; shohim jetën e tij të përvuajtur, të varfër, të vetmuar e në braktisje nga gëzimet e një jete. Gëzimi i tij i vetëm janë tablotë e tij, krijimi. Fundi i jetës së tij është ndryshe nga idea e vetvrasjes që kemi patur për të. Eshtë thjeshtë një grindje me dy të rinj të fshatit të cilët e plagosin, çka përbën një pistë të re për fundin e jetës së artistit, i cili nuk do të tregojë për vrasjen e tij.

Sidoqoftë imazhet e vdekjes së tij janë tronditëse… është trupi i tij i xhveshur dhe i shtrirë si një Jezu Krisht, janë duart e tij dhe të Téo-s që shtrëngohen për herë të fundit, duart e vëllait që asnjëherë nuk e braktisi, është dhimbja e madhe e një bohemi në kërkim të së bukurës së botës. Dhe akoma më tronditës fundi: trupi i tij i shtrirë në arkivol në sallonin e bujtinës ku kishte marrë dhomën me qera. Eshtë i rrethuar nga pikturat. Dhe ja, ne shohim aristokratët e borgjezët e rinj të cilët nuk shprehin dhimbjen ndaj artistit të vdekur dhe të zbuluar në arkivol, por interesohen rreth tablove, ku secili kërkon të marrë diçka nga veprat e piktorit.

Kjo ndodhte buzë lumit Oise, ku ai pikturonte, në Auvers-sur-Oise, në bujtinën e varfër të atij fshati provincial që u bë i famshëm nga tablotë e tij. Van Gogh, mbeti përsëri i vetmuar, me duart mbledhur, në vetminë e vdekjes. Dhe vetëm bota e shekullit XX do të zbulonte madhështinë e veprës së tij dhe ekzistencën tragjike të piktorit. Artisti vdiq dhe vepra e tij jetoi duke hyrë në legjendë. Arti i tij i madh do të jetonte përtej kohës.

©Luan Rama