28 Prill 2023 - Maestro Bujar Llapaj, koncert në Tiranë me Orkestrën e RTSH

Artisti i mirënjohur shqiptaro-kanadez, dirigjenti Bujar Llapaj, javën e ardhshme do të performojë në Tiranë me Orkestrën Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar. Koncerti, afishja e të cilit u publikua edhe në rrjetet sociale, do të zhvillohet të premten 28 prill, ora 19:00, në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse të kryeqytetit.
“Rrugëtimi drejt trojeve shqiptare është destinacioni im më i preferuar sepse aty janë rrënjët, aty është gjaku im, aty janë miqtë, shokët mes të cilëve unë jam rritur dhe kam ngritur karrierën time si dirigjent. Kështu që ndihem mirë dhe i nderuar për këtë mundësi për të qenë pjesë e këtij sezoni të suksesshëm të orkestrës prestigjoze të RTSH-së, dhe falenderimi i parë shkon për drejtuesit e kësaj orkestre”, u shpreh dirigjenti i mirënjohur në një komunikim të drejtpërdrejtë me Flasshqip.ca. para nisjes drejt atdheut nga Aeroroporti Ndërkombëtar i Vancouver.
Në koncert do të interpretohen tri vepra shumë të njohura për publikun e muzikës klasike dhe ekspertët e fushës, Koncerti për piano dhe orkestër i kompozitorit shqiptar Çesk Zadeja, e para vepër shqiptare në këtë zhanër, Andante Spianato & Grande Polonaise Brillante Op. 22 për piano dhe orkestër e kompozitorit polak Frederik Shopen si dhe Simfonia Nr. 3 Op. 53 e kompozitorit finlandez Jan Sibelius.
Sipas Maestro Bujarit, eventi është një ngjarje e veçantë, sepse përkon edhe me 55 vjetorin e krijimit dhe interpretimit për herë të parë nga pianistja Nikoleta Nako dhe dirigjenti Roland Çene të Koncertit për piano dhe orkestër, me autor “Nderin e Kombit” Çesk Zadeja. Në këtë përvjetor kjo vepër madhore e repertorit shqiptar do të luhet nga pianistja virtuoze estoneze Irina Zahharenkova. Një tjetër e veçantë është edhe përfshirja në program e krijimeve të tre kompozitorëve që janë përfaqësuesit të tre shkollave kombëtare të kompozimit: Sibelius - Shopen - Zadeja. “Nuk quhet se ke vizituar Finlandën në se nuk ke parë monumentin dhe parkun Sibelius. Shopeni ka bust edhe në Tiranë, ndërsa Zadeja ynë “nderohet” me një pllakë të fshehur poshtë shtëpisë ku banonte”, është shprehur në fund të komunikimit Maestro, pa e fshehur dhe një ndjenjë keqardhje dhe ironie…

I diplomuar në Tiranë dhe Paris, një ndër dirigjentët më të shquar shqiptarë me karrierë ndërkombëtare, i vendosur prej vitesh në Vancouver të provincës kanadeze British Columbia, Maestro Bujar Llapaj ka qenë Drejtori Artistik i Teatrit Shqiptar të Operas dhe Baletit. Ai është themeluesi, dirigjenti dhe Drejtori Artistik i Orkestrës së Re Filarmonike. Gjithashtu, Maestro ka qene drejtues i Departamentit të Kantos dhe Dirigjimit në Akademinë e Arteve në Tiranë. Bujar Llapaj ka dirigjuar koncerte në Paris, Londër, Romë, Athinë, Tel-Aviv, Prishtinë, Shkup, etj. Nga viti 2007 ai është dirigjenti kryesor i West Coast Symphony Orchestra në Vancouver, ndërsa prej vitit 2021 edhe Drejtor Artistik dhe dirigjent i Ambleside Orchestra në North Vancouver.
© Flasshqip.ca











