Arte & Media

Televizionet po përmbyten nga fjalët e gjuhëve të huaja - Sejdin Cekani

Zelli i disa televizioneve (kombëtare madje) për t’i emërtuar programet me fjalë të anglishtes është bërë vërtet i bezdisshëm. Për shikuesit mbetet e pashpjegueshme përse drejtuesit e këtyre televizioneve iu ruhen dhe iu druhen fjalëve shqipe, a thua se ato janë të pazonjat për të shprehur e shpjeguar kuptimin apo përmbajtjen e titujve të emisioneve. Kohë më parë, siç dihet, këtë e nisi “Top Channel”-i me tituj të tillë, si: Top Story, Top Talk, Inside Story, Wake Up, Shqipëria Live, StarTop, Exclusive, etj.

Kohëve të fundit, një tjetër televizioni, “ABC News Albania”, duket se është futur në një lloj “gare” me “Top Channel”-in për t’i përjashtuar tërësisht fjalët shqipe nga titujt e emisioneve dhe për t’i zëvendësuar ato me fjalë të anglishtes. Po renditim vetëm disa prej tyre: ABC Live, Tirana Live, Balkan Update, Sport Center, News Line, Special Report, etj.

Ndërkaq, kjo lloj “mode” ka infektuar edhe disa televizione të tjera, me emërtime si: Open, Real Story, Chic, By Pass, Zip, Minute to win, I love my country, Next, Quiz, A Show, Fake off…

Pavarësisht manive apo dëshirës për t’u dukur “modernë” të pronarëve dhe drejtuesve të këtyre televizioneve, duam të besojmë se përdorimi i fjalës shqipe është i detyrueshëm për këto lloj mediash. Mbi të gjithë, këtë duhet ta kërkojë edhe AMA, si autoriteti më i lartë mbikëqyrës dhe rregullator.

© Sejdin Cekani