“Street art" - Nga Luan Rama
"Street Art" ose “Arti i rrugës”, ka hyrë në modë tani dhe është një rrymë arti e nisur që në vitet ‘70, por që ka ndjekësit e vet. Edhe në Paris gjen shprehjen e tij në mjediset urbane, grafiti në rrugë, në fasada pallatesh. Gjithkush është i lirë të krijojë madje dhe mbi asfaltin e rrugës. Nganjëherë habitesh me artin e tyre. Bansky ishte një gjetje e veçantë pasi ai trajtoi jo thjesht portrete apo imazhe, por kishte një optikë sociale, politike, një qëndrim filozofik dhe humanist.
Këto ditë në galeritë nëntokësore të Kishës së Madalenës në Paris është hapur dhe një ekspozitë e dy autorëve më parë të padëgjuar por që siç duket u imponuan me finesën e veprave të tyre, pikërisht në një kishë me emër ku nën tingujt e organos kam ndjekur meshat e disa artistëve të vdekur si dhe një meshë për mbretëreshën Geraldinë.
Ekspozita e tyre ka më së shumti portrete e ndonjë instalacion, tablo krijuar me copa kartoni, kompesato, të kombinuara njëra mbi tjetrën e më pas të ngjyrosura thjesht, por me një ndjesi të hollë arti. Nuk ka telajo në bojë vaji e teknika të tjera, jemi thjesht në “artin e rrugës”, i hapur për gjithë ata që dashurojnë artin.
Pra duket se veç artit elitar zhvillohet si në “underground” një art tjetër që meriton sidoqoftë emërtimin art. Dhe në këto përpjekje ndoshta ndonjë ditë, këta artistë mund të na shfaqen në artin e galerive të mëdha. Artistët e mëdhenj nuk janë lindur të tillë. Ata janë bërë dhe krijuar në sajë të ndjesisë, shijes, frymëzimeve artistike, punës dhe kulturës…
© Luan Rama