10 arsye pse Davidi është mahnitës

- Nga: E shqipëroi Arben Kallamata
Një nga veprat më të përsosura të artit është gdhendur nga një bllok guri që s’e donte njeri.
Ja 10 arsye pse Davidi është mahnitës:
1. Figura madhështore është mbi pesë metra e lartë, gati sa një ndërtesë me dy kate. Është krijuar nga një bllok gjigand mermeri Carrera.
2. Blloku nga u gdhend kryevepra kishte qenë i dëmtuar. Puna për ta realizuar Davidin iu ishte dhënë dy skulptorëve të tjerë përpara se ta merrte përsipër Mikelanxhelo, por asnjëri nuk pranoi të punonte me një gur me cilësi aq të dobët.
3. Forma e Davidit iu përshtat kufizimeve të gurit. Ai vjen i imët dhe kokën e mban pak anash - sepse blloku ishte aq i ngushtë sa nuk mund të krijohej koka në pozicion drejt. Edhe poza contraposto (d.m.th. me peshën e rënduar në njërën këmbë) ka qenë e detyruar nga një vrimë në mermer midis këmbëve.
4. Mikelanxhelo ishte 26 vjeç kur e filloi projektin dhe 28 kur e mbaroi. Megjithatë, në atë kohë ai ishte një ndër skulptorët më në zë, pasi kur ishte jo më shumë se 24 vjeç kishte krijuar “Pieta”, me të cilën e la Romën gojëhapur.
5. Fillimisht skulptura ishte planifikuar të vihej në majë të çatisë të Katedrales së Firences. Kur mbaroi doli aq e bukur dhe aq e madhe saqë ndërruan mendjen dhe hoqën dorë nga ideja për ta ngritur lart. Prandaj e ekspozuan në Palazzo della Signoria.
6. Studimet e kohëve të fundit kanë arritur në përfundimin se skulptura është e përsosur nga ana anatomike, me përjashtim të mungesës së një muskuli shumë të vogël në kurriz. Mikelanxheloja, që ka qenë tepër i vëmendshëm në studimin e anatomisë, ishte i vetëdijshëm për mangësinë. Më vonë ai shkruan se kishte qenë i detyruar nga një defekt i mermerit.
7. Vena e qafës së Davidid duket e ënjtur, krejt e natyrshme për dikë që është në gjendje frike dhe emocioni (siç mund të ketë qenë ai djalosh që rriste dele). Duket qartë se Mikelanxhelo e ka ditur që kjo ishte një veçori e sistemit të qarkullimit të gjakut, megjithëse shkenca mjekësore nuk ka asnjë dokument që të vërtetojë se një gjë e tillë u zbulua të paktën edhe për 124 vjet më pas.
8. Nga ana stilistikore Davidi solli një risi. Interpretimet e tjera të Davidid, si për shembull ato të Donatelos apo Verokos, e kanë kapur atë triumfues mbi Goliatin e vrarë. Ndërsa këtu ai paraqitet në prag të betejës, me vështrimin e fiksuar dhe me vetullat e mbledhura në një çast përqëndrimi.
9. Davidi përfaqëson formën dhe përmasat ideale të mashkullit, një nga temat më të përhapura në skulpturën klasike greke. Megjithatë, punimi i Mikelanxhelos është më i natyrshëm dhe buron nga një shkallë të kuptuari të anatomisë që i tejkalon grekët. Davidi është edhe përfaqësim i bukur i ideales, edhe çuditërisht i gjallë - një nga arritjet më përcaktuese të Rilindjes Italiane.
10. Sot Davidin e vizitojnë rreth 1.5 milion njerëz në vit. Prej 150 vjetësh ai “banon” në Galleria dell’Accademia në Firence, ku e futën brenda për ta mbrojtur nga elementët e natyrës.
Nuk është aspak për t’u habitur që Davidi admirohej edhe nga artisti dhe historiani i madh i Rilindjes Xhorxho Visari: “Nuk mund të mohohet se, me t’u përfunduar vepra ua rrëmbeu vendin e parë të gjithë statujave të tjera, greke dhe latine; asnjë vepër arti nuk mund të krahasohet me të në çfarëdo pikëpamje, me kaq saktësi përmasash, bukuri dhe përsosmëri e ka krijuar atë Mikelanxheloja.”
Burimi: History of Art Group
Foto: Arben Kallamata