Natë e këndshme dimri në Brooklyn - Nga Arenc Leka
Ngjizje përpunimesh muzikore remineshenca të tre periudhave të ndryshme nga një trio Funk Jazz: Ervin Dhimo & Elektrik Market - Steve Hunt (Keys), Ervin Dhimo (Bass), Jovol Bell (Drums).
Natë e këndshme dimri në Brooklyn, New York. Njerëzit mezi ç’presin të shohin aktivitete koncertore për të mos u mbyllur nga të ftohtit brenda në shtëpi.
Fati e desh të shkoj për të parë koncertin e trios “Elektrik Market” tek Shape Shifter Lab. Dija shumë pak për të, por mësova shumë.
Qysh në sound check kuptova se ky band ka seriozitet. Kishte diçka ndryshe nga zhanret e muzikore qe kisha dëgjuar.
Funk Jazz, ngjizje përpunimesh muzikore reminishencë e tre periudhave të ndryshme të një trioje që ka vite që bashkepunon në Boston Masachusets.
Munda të bisedoj me të tre muzikantët për pjesët që interpretuan. Dëgjova se si fillim, Ervin Dhimo në bashkëpunim me Steve Hunt dhe më vonë Jovol Bell formuan “Elektrik Market”, një power-trio që hulumton tre gjenerata muzikore, duke përfshirë elemente muzikore të viteve ’60, ’70 dhe ’80.
Duke vazhduar më pas me Albumin e tyre “Attractio” nga viti 2018, ku përfshihen kompozime të mirëfillta me një duet piano, me titullin “Portrait of a Painter”. Ky bashkëpunim është disi i veçantë për të gjithë ata që janë të interesuar të thellohen në zhanre eklektike muzikore elektronike.
Padyshim që performaca e trios “Elektrik Market” e elektrizoi sallën me momentet kulmore nga Albumi “Attraction” ku spikasnin dy pjese të kompozuara nga Ervin Dhimo. Pjesë të dedikuara vajzes së madhe Drita Grace, të tilla si “Dafina’s Journey” dhe “Tirana’s Sunrise”. Ky është një rrëfim artistik që lidh dy gjyshet shqiptare dhe amerikane me përkushtimin dhe dashurinë ndaj muzikës.
“Tirana’s Sunrise” qysh ne fillim pikturon muzikalisht lindjen e diellit dhe rritet artistikisht. Teknikisht të tre janë muzikantë superiorë në performancën e tyre. Interpretimi i tyre të zgjon në kohë dhe të bën të ndihesh pjesë e muzikës ritmike duke u rritur organikisht drejt nje shpërthimi kozmik. E vështirë për t’u arritur nga çdo band. Perfundimi i pjeses me Basin (Ervinin) që arriti kulmin muzikor të çon ndërmend përshkrimet kozmike të filmave fantastiko-shkencorë.
Shpresoj që performanca e Ervinit me band-in e tij në New York te jetë më e shpeshtë. Komuniteti artdashës kërkon gjithmonë ide dhe interpretime të reja. Tashmë, Ervini sjell një frymë të re në botën e muzikës me një singël të ri që është lançuar më 1 janar 2024. Ky kompozim Jazz-Fusion reflekton zhvillimet e fundit dhe përvojat e tij artistike. Gjithashtu nënvizon arritjen e tij muzikore artistikisht të stabilizuar.
Nëse Dee Dee Bridgewater do dëgjonte këte band do të ishte e para të thoshte “I want them all”. I dua të tre për vete!
© Arenc Leka