Paqe dhe Shpresë në Muzeun e Luftës - Nga Jeta Dedja
Fitues i çmimit "Established Artist Award" nga Arts Nova Scotia, artisti prej Kosovës dhe me banim në Halifax, Zeqirja Rexhepi u paraqit dje para publikut artdashës dhe vizitores speciale nga Kosova, zv.kryeministres dhe ministres së Punëve të Jashtme Donika Gërvalla, me disa prej punimeve të tij, në kuadër të Javës së Kulturës së Kosovës në Kanada, organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Ottawa.
Rreth 22 punime miks media dhe akrilik, të përmasave 90 x 60 cm e më shumë ishin sistemuar në hollin qëndror të Muzeut të Luftës duke krijuar një hark të lehtë ku vizitorët mund të lëviznin lirshëm e kundronin me kërshëri veprat e autorit.
Tema mbizotëruese ishte lufta dhe efektet e saj tek të mbijetuarit, të sjella përmes figurave konkrete historike si Adem Jashari ashtu edhe simboleve si flauti apo violina. Por si në çdo luftë, ka nota shprese dhe përpjekjeje për paqe, të cilat perceptoheshin menjëherë tek tablotë e Zeqirja Rexhepit.
Karakteristike për artistin është ndërthurja e pikturës me muzikën. Jo rrallëherë gjen në telajot e Zeqirja Rexhepit tinguj të thyer në mes, melodi të lëna përgjysëm, këngë të ndërprera, detaje këto që i shërbejnë autorit për të përcjellë barbarinë e ushtrisë së ish-Jugosllavisë për të shfarosur një popull, dhe nga ana tjetër loja me ngjyrat dhe tiparet e portreteve të njohura historike përcillet nga autori si një përgjigje qëndrese heroike në mbrojtje të identitetit kombëtar dhe fitore.
Si një bashkëshort dhe baba i katër vajzave, artisti nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj influencës femërore në punimet e tij artistike. Flautistja e bukur përçon një kompleksitet ndjenjash si ato të mallit, të humbjes, të shpresës, të besimit, të jetës që ndikohen në shprehjen e tyre prej rregullave e normave, vijave të rregullta, strukturave e formave të cilat autori i sjell gjeometrikisht bukur.
Kjo pikturë nuk është për t’u shitur-po them në këtë fotografi, njëlloj siç bashkëshortja e piktorit më tha mua teksa po e kundroja në ekspozitë.
A vërtet, po pse?- e pyes. Sepse e dua fort -më thotë Bedrije Rexhepi, por nuk do çuditesha sikur Zeqa ta ketë shitur një ditë, - shton ajo duke qeshur.
I formuar artistikisht në Prishtinë, Shkup dhe Zvicër, Zeqirja Rexhepi spikat si një artist me intuitë dhe rendiment të lartë artistik. Ai njihet në Halifax si piktori që merr përsipër dhe përfundon në kohë rekord dhe me cilësi, murale dhe vepra të tjera kolosale. Puna i është shpërblyer dhe vazhdon t’i shpërblehet mirë, por Zeqja njihet edhe për zemërgjerësinë e tij si në rastin e dhurimit të disa veprave për kishën e St. Patrick.
Artisti Zeqirja Rexhepi ka arritur me sukses të ndërtojë emrin e tij larg atdheut dhe të pasurojë fondin e trashëgimisë kulturore në Kosovë ashtu edhe në Kanada. Në të dy vendet vlerësohet dhe i atribuohet mirënjohje për rolin që artisti luan në vendosjen dhe forcimin e urave të bashkëpunimit artistik Kosovë-Kanada duke shërbyer si një Ambasador Kombi i shkëlqyer.
©JetaDedja-Kryeredaktore Flasshqip.ca
Fotot: Flasshqip.ca