Klubi 27 - Nga Arben Kallamata
Arben Kallamata
Klubi 27 është një listë muzikantësh (që shpesh përfshin edhe artistë, aktorë dhe figura të tjera të njohura) që kanë vdekur në moshën 27 vjeç. Lista filloi të tërheqë vëmendjen veçanërisht pas një serie vdekjesh të muzikantëve të njohur nga viti 1969 deri në 1971 (Brajën Xhons, Xhimi Hendriks, Xhenis Xhoplin dhe Xhimi Morrison) dhe vazhdon edhe sot të mbetet pjesë enigmatike e kulturës popullore. Dukuria kulturore e njohur si “Klubi 27” përfshin listën e artistëve të njohur që kanë vdekur në këtë moshë si rezultat i abuzimeve me alkoolin dhe drogën, dhunës, vrasjeve, vetëvrasjeve, apo aksidenteve. Kjo dukuri kulturore ka frymëzuar mitin urban sipas të cilit njerëzit e njohur kanë më shumë të ngjarë të vdesin në moshën 27 vjeçare, pretendim që është hedhur poshtë nga studimet statistikore dhe shkencore.
Ndër anëtarët më të shquar të Klubit 27, njëkohësisht edhe ndër të parët që lidhet me këtë koncept është Xhimi Morrison. Si ai, në këtë moshë kanë vdekur edhe Brajën Xhons, Xhimi Hendriks, Xhenis Xhoplin, etj. Megjithatë, sipas Çarls R. Kros, biograf i Xhimi Hendriks dhe Kurt Kobeinit, “do të duhej vetëvrasja e Kurt Kobeinit në 1994 që ideja e Klubit 27 të arrinte pikën më të lartë të saj”.
Kros është i bindur se “përhapja e idesë së Klubit” ka lidhje me një sërë faktorësh, si ndikimin në rritje të internetit, gazetarinë e përkushtuar ndaj sensacioneve për njerëzit e famshëm, si edhe interpretimet në media të disa deklaratave të nënës së Kobeinit Uendi Fradenburg Kobein. E cituar nga gazeta locale The Daily World e Aberdinit në shtetin e Uashingtonit, dhe më vonë e risjellë nga Associated Pres, ajo thotë: “Ja, iku për t’u bashkuar me atë klub idiot. I thashë të mos shkonte me atë klub idiot.”
Kurt Kobein vetë ishte shprehur: “Të jetosh deri 90 vjeç është vërtet egoizëm, nëse nuk ke ndonjë gjë të veçantë për t’i ofruar shoqërisë, si ka për shembull Uilliam Borous (shkrimtar). Unë për vete nuk dua të jetoj aq gjatë. Në një formë konservative unë e ndjej veten shumë më të lidhur me llojin e jetës që ka bërë Xhim Morrison, jetesë intensive e një poeti të rok’en’rollit”.
Shtatëmbëdhjetë vjet pas vdekjes së Kobeinit, në vitin 2011 vdiq në moshën 27 vjeç Emi Uainhaus, duke ndezur edhe një herë flakët e vëmendjes së medias për Klubin 27. Tre vjet më pare ndihmësi personal i Uainhaus kishte deklaruar për gazetarët se ajo (në atë kohë 25 vjeç) kishte frikë se do të vdiste 27 vjeç si Xhim Morrisoni, Brajën Xhonsi dhe Kurt Kobeini.
Wikipedia jep një listë me rreth 80 artistë të njour që kanë vdekur 27 vjeç.
© Arben Kallamata
Foto: Facebook page 27 Club