Histori

Si ishte në pamje Ali Pasha Tepelena

Nga: Dorian Koçi

Periudha e fundit të shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit XIX, fillon me interesimin e Fuqive të Mëdha për rajonin e Ballkanit dhe korrespondon, përveç pranisë diplomatike dhe ushtarake të Francës, Rusisë dhe Anglisë në këto territore, edhe me një rritje të numrit të udhëtarëve të huaj, kryesisht anglezë dhe francezë, që vizitojnë Pashallëkun e Janinës. Në fillim të shekullit të XIX udhëtimi tradicional i “Grand Tour-it” pësoi një ndryshim themelor.

Një mori udhëtarësh dhe studiuesish, herë si qytetarë të thjeshtë, herë si eksploratorë e herë si të dërguar të qeverive të tyre, do përshkonin territorin e Epirit dhe Greqisë për të njohur nga afër vendet ku kishte lindur kultura e lashtë që i kish magjepsur duke nxitur një proces të gjerë kulturor që u materializua me prodhimin e një literature të pasur udhëtimesh që ringjalli nga pluhuri i harresës Ballkanin.

Në të njëjtën kohë, kjo periudhë korrespondoi me fillimin e një ere të re që pat nisur në Evropë pas shpërthimit të Revolucionit Francez, era e nacionalizmit, gjë që u konkretizua në fillimet e përpjekjeve të popujve të Ballkanit për të formuar shtetet e tyre kombëtare.

I përmendim të dyja këto procese, literaturën e udhëtimit evropiane për Ballkanin dhe fillimin e shkrimit të historisë nga shkollat ballkanike të etnive që u kthyen në kombe, sepse janë dy momente të rëndësishme që kanë lënë gjurmë në sendërtimin e historisë politike të Ballkanit. I pari, nëpërmjet mesazheve orientaliste e portretizoi Ali Pashë Tepelenën, si despot oriental, gjakpirës e të pabesë, cinik e epshor duke e parë si një shtypës dhe një zotërues të territoreve që ata do të dëshironin të shikonin të projektuar “Heladhën” e teksteve të tyre shkollore, ndërsa i dyti e cilësoi si gjaksor e të pamërshishëm për t’i dhënë jetë miteve kombëtarë. E megjithatë, mes teksteve të kësaj letërsie udhëtimi ende jo të studiuar mirë në Shqipëri, gjejmë edhe pasazhe që na rrëfejnë sesi ishte në paraqitje Ali Pasha Tepelena. Sëbashku me disa nga portretet e gravurat e piktorëve evropianë, ato përbëjnë dëshmitë e rëndësishme të paraqitjes fizike dhe të karakterit të Ali Pashë Tepelenës.

“Në pamje Aliu ishte shumë i hijshëm. Kishte erën e sinqeritetit dhe ndershmërisë dhe një buzëqeshje shprehëse të hareshme. Kishte ball të bukur, sy të gjerë dhe të kthjellët, që i përshkruajnë si të gjallë dhe tërheqës. Hundë në trajtë të bukur dhe lëkurë të pastër. Goja dhe nofulla e tij tashmë fshiheshin pas mjekrës. Mbi të gjitha, karakteristike ishte gjallëria e reagimeve të tij, ndërrimi i shpejtë i shprehjeve dhe e qeshura e tij e thellë, pak drakoide në ashpërsinë e saj. Ishte fjalëembël, i logjikshëm dhe impresionues.”

“Aliu i priti në këmbë. Dukej i shkurtër dhe i shëndoshë me një shprehje të këndshme. Në kokën e tij formohej me mbështjellje të shumta të vogla prej museline të artë, një çallmë e lartë dhe në rripin e mesit kishte një shpatë të gjatë me diamante në dorezën e saj.”

“Fytyra e Aliut ishte shumë e këndshme, sytë bojëqielli dhe tëm “shpejta” dhe mjekra e tij e gjatë dhe e bardhë”.

“Aty, tek divani rrinte ulur Aliu mbi një lëkurë luani. Mbante feste të kuqe me shirita të arta, dhe aty këtu llamburitnin diamante të vyera. Një nargjile qëndronte në krahun e tij. E përkulte kokën me fisnikëri. Mjekra e tij, tanimë e bardhë krejt, i jepte një butësi si ajo e mirësisë së Babagjyshit të Vitit të Ri. Shprehja e tij ishte e sinqertë, impresionuese dhe zëri i ëmbël. Dukej shumë i mirë... Qeshi gjithë thjeshtësi, mënyrat e tij ishin kaq të qeta dhe atërore dhe aq ndjellëse në pamjen e mirësisë së tij dhe të sinqeritetit të përsosur... (Nga libri i Uilliam Pllomar “Diamanti i Janinës, Ali Pashai 1741- 1822”, Botimet “DODONA”, Athinë 2004, fq 85, 216, 217).

Burimi: doriankoci.blogspot.com