Histori

Intervista e Faik Konicës në NBC Radio-Nju Jork, më 8 Prill '39

Ilir Ikonomi, gazetari i njohur shqiptar i “Voice of America”, përmes profilit të tij në Facebook ka bërë publike për herë të parë një intervistë të Faik Konicës, dhënë në prill të 1939-ës, në kohën kur Shqipëria u pushtua nga Italia. Intervista është zhvilluar në gjuhën angleze dhe gjithë biseda është e titruar në shqip. 

Ja çfarë shkruan Ikonomi:

“Po ju paraqes një material zanor të pa publikuar ndonjëherë. Është intervista e Faik Konicës, ministrit fuqiplotë të Shqipërisë në Uashington dhënë radios amerikane NBC më 8 prill 1939, një ditë pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia.

Kanë kaluar 80 vjet nga ajo ditë. Pushtimi italian ishte një goditje e rëndë për ministrin Konica dhe për të tjerë që i besuan miqësisë së shtirur të Benito Musolinit. Në intervistë, Konica e quan agresionin e Italisë kundër Shqipërisë së pambrojtur “një thikë pas shpine”.

Intervistuesi quhet Hilmar Baukhage, komentator i njohur i asaj kohe. Disa orë përpara bisedës në radio, Baukhage e kishte vizituar Konicën në apartamentin e tij në Hotelin Mayflower të Uashingtonit, duke shprehur habi për librat e shumtë që rrethonin ministrin erudit të Shqipërisë.

Ky është i vetmi zë i Konicës që njohim deri më sot. Intervistën po e bëj publike të plotë me lejen e radios NBC në Nju Jork”.