Histori

Kthimi dhe përzënia e babait nga atdheu - Rrëfen motra e Pal Melyshit

Fragment nga libri "Bota me nje sy"

Ishte Dhjetor 1989. Një e njohura ime që punonte në Postën Qëndrore të Tiranës, më erdhi në shtëpi me një zarf në dorë. Pasi pimë kafen, më tha:

-Marie, ty nuk të besohet se përse kam ardhur.

Ajo s’kish patur rast të vinte më parë.

-Shpresoj të kesh ardhur për të mirë , - i thashë.

Hapa zarfin që më zgjati. Lexoj në të telegramin që na kishte ardhur nga babai nga Amerika.

“U bana 90 vjeç. A mundëm me ardhë me vdekë në vendin tim? Baba juaj, Nikolla”.

Pas 45 vjetësh, i vdekur për të gjithë ne, Babai qe ngjallur përsëri.

U mendova shumë atë natë. Të nesërmen vendosa të shkoj në Presidiumin e Kuvendit Popullor, në degën e ligjeve, kryetare e së cilës ishte Liri Gjoliku, mikesha ime. Me vete mora edhe djalin, Kastriotin. Ju luta Lirisë të më nxirrte listën e emigrantëve politikë, që s’kishin të drejtë të ktheheshin në Shqipëri. Ajo më vështroi me vëmendje dhe më pyeti:

-Ç’kërkon të dish Marie?

I kërkova me insistim të gjente emrin e babait tonë, e të më thosh nëqoftëse ai do të ekzekutohej ose jo, po të kthehej në atdhe.

Ajo hapi listat , gjeti emrin e babait e tha:

-Jo, nuk ekzekutohet. Ai është i falur. Se nuk ka bërë krime.

U qetësova. Nxorra kopjen e telegramit të babait dhe ia dhashë ta lexonte. Ajo më tha të kem kujdes, edhe pse babai ynë figuronte në listën e të falurve. Lirisë i mora numrin e dekretit të faljes si edhe datën dhe shkova në postë për t‘i dhënë babait përgjigjen e vonuar.

“Babë, je i falur me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Eja kur të duash në Shqipëri. Më njofto mbërritjen në Rinas. Vajza, Maria”.

Kush mund të qëndronte indiferent para asaj thirrje të madhe që i bën babai fëmijës, pas 45 vjetësh i mërguar.

Në të vërtetë , unë këtë përgjigje ia bëra babait për ta qetësuar, por edhe për të qetësuar veten, se në fakt nuk besoja se ai do të vinte.

Pas disa ditësh ra zilja e telefonit nga Roma. Një zë shqiptari më pyeti:

-Maria, je?

-Po.

-Të flas nga ambasada jonë në Romë. A erdhi Nikolla?

-Jo, s’më ka njoftuar njeri.

-Do të ketë mbetur në Rinas, - tha shqiptari.

Lajmet që nga Rinasi u përhapën se në Tiranë ka mbërritur babai i Pal Melyshit. Organeve të Punëve të Brendshme u hynë ethet, edhe sepse ambasadori ynë në Romë i kishte dhënë vizën edhe sepse Nikolla ishte i falur, por edhe sepse ai tani ishte 90 vjeç. Hekuran Isai qysh të nesërmen e asaj dite më thirri mua dhe Lekën. Na priti rreth një tavoline të madhe, në distancë si për të më gjykuar që kisha bërë krim që kisha ftuar babain tim në shtëpinë time.

-Mirë me mua që po merreni, po me Lekën , ç’keni?- i thashë

-Me ty e kemi,- tha ai - Ky është një guxim i marrë që ke bërë ti shoqja Marie. Ne do të mbajmë qëndrim. Ai na e ka hedhur. Ambasadori ynë në Romë do të përgjigjet për këtë, etj, etj. paralajmërime e kërcënime si këto.

-Për ardhjen e babait tim në Shqipëri, nuk ka pse të mbajë askush përgjegjësi veç meje, thashë unë,- ju e keni fare kollaj: Shikoni ligjet në Presidium, shikoni edhe shkëmbimin e telegrameve se ç’thonë dhe e gjeni që fajtore jam vetëm unë. Pastaj, s’është problem. E përzini babanë 90 vjeçar dhe unë vetë shkoj përsëri në internim,- i thashë Ministrit të Brendshëm.

-Nikolla të kthehet nga ka ardhur, atje në Nju Jork, atje ku ka jetuar gjithë këto vite.

-Prit , shoku Ministër se kemi ca probleme për të sqaruar se nuk është politikë njerëzore kjo që thoni, as trimëri për fëmijët t’i thonë babait në atë moshë: ”Del nga shtëpia e merr rrugët e botës, sepse nuk të do qeveria shqiptare”.

U ngritëm dhe dolëm nga zyra e Ministrit të Brendshëm.

Një komuniste aktiviste, që kishim në bllok, më ndali kur po hyja në shtëpi.

-Dale, Marie, se do të them diçka.

-Çfarë… se po më dhemb koka. Vërtet po më dilte tym nga koka. Mu kujtua episodi i hershëm kur i premtova nanës se do të lidheshim me Palin. Ishim në internim dhe Lekën e kishim të sëmurë. S’kishim as për të blerë bukë e jo më ilaçe. Bëmë një përpjekje të dëshpëruar. Me mendjen time dhe na u duk se ramë në humnerë. Edhe tani përsëri me iniciativën time po helmoheshim.

-Ta dish se pallati ku banon ti, është me roje qosh më qosh.

Mu kujtua rrethimi i Kullës sonë, atë natë që kishin vendosur të na internonin.

Telefoni ynë kishte filluar të binte disa herë në ditë. Me të degjuar zilen, e merrnim me mend se kush ishte. “Kur do të iki plaku?” pyesnin. Ishin ata të Hekuran Isait dhe nga dega e vizave. Babai nuhaste çdo shqetësim timin, e një ditë për t’i dhënë fund kësaj gjendje më tha:

-Shkruaji një letër Ramiz Alisë, në emrin tim, se ai më njeh. Kemi qënë bashkë në luftë deri në Jugosllavi. Ai do të japë ndonjë orientim.

Përpilova një letër në emër të babait dhe e çova dorazi në Komitetin Qëndror të Partisë.

Sh. Ramiz nuk na dha përgjigje, por ja kishte përcjellë për kompetencë Ministrisë së Brendshme duke vënë këtë shënim: “Nikolla të kthehet në SHBA. Familja të mos të preket”.

Babai që ishte i mirënformuar për situatat në Shqipëri, më pyeti:

-Akoma nuk ka kthyer përgjigje Ramizi? Ai e ka vështirë me këtë byronë e re, edhe po të dojë të bëjë diçka të mirë, se s’e lë Hekurani.

Hekurani më thirri përsëri sëbashku me tim vella, Lekën.

Ai i binte fyellit në një brimë: Akoma s’ka ikur plaku?

-Kaq frikë keni xhanëm,nga një plak 90 vjeçar, që ka ardhur për të vdekur? Edhe kur ka qënë i ri nuk ka vrarë njeri. Për një javë vjen Viti i ri. Le ta kalojë me ne këtë ditë, pas dyzet e pesë vjetësh në mërgim, e pastaj do të kthehet vetë.

Im vëlla nuk fliste. E ndjeja veten fajtore ndaj tij. E kishin ndaluar tre ditë nga puna.

-Nuk është e drejtë që e keni ndaluar Lekën nga puna, ai s’është fajtor - fola prapë. Korigjojeni këtë veprim dhe më dënoni mua.

Ai thirri Zëvëndministrin:

-Ore, që nesër të fillojë punë ky Leka, duket çun i urtë.

Këtë fjalor kishte Hekuran Isai.

-Kurse ai plaku juj , duhet të niset se na ka sha neve si komunista. Po ti shoqja Marie, nuk e di se ç’kemi ne nëpër sirtare.

Kur u ktheva në shtëpi, isha e dërrmuar shpirtërisht. Babai më priste. Ai s’kishte nevojë të na pyeste. Dukej se ishte më i qartë se ne dhe sikur i parashikonte të gjitha.

-Sa t’u internojnë prapë, bij-o, unë më mirë po kthehem në Amerikë. Dhe u siguroj që edhe një herë do të vij, por me lejen e tjetërkuj.

Dy ditë më pas erdhën në shtëpi dy oficerë të tjerë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ata i kishte dërguar Hekurani të takoheshin me plakun, për të parë moshën dhe fizikun e tij. Ata pasi u takuan me të, u ulën në tavolinë dhe takuan gotat me babën.

-Këta nuk qënkan ushtarët e Hekuranit,- tha baba pasi ata u larguan.

-Marie ma ban gati valixhen se duhet të nisem për në Nju Jork. Unë erdha këtu si lajmëtar i lirisë e demokracisë.Për këtë jam i kënaqun.

E përcollëm deri brenda në Rinas. Pasi u ndamë i thamë të na njoftonte mbërritjen. Ai fshiu lotët dhe duke u mbështetur në shkop hyri në holl.

Babai, siç e mbanim mënd, - trupgjatë dhe elegant nuk ishte deformuar, nuk kishte as kurrizin të dalë, por mbi të gjitha kishte një memorje të saktë, saqë shtjelloi hollësisht të gjithë zinxhirin e ngjarjeve që kur nuk ishte arratisur ende. Ai tha shumë gjëra që ne nuk i dinim.Të gjitha i kisha regjistruar në magnetofon.

Babai pasi mbërriti në Nju Jork informoi të birin në Kanada dhe të vëllanë në Buffalo. Nga babai unë mësova për vëllain tim në Kanada, London-Ontario, Gjonin. Ai ishte shëndoshë e mirë, i martuar me një napolitane me origjinë shqiptare dhe kishte tre vajza të rritura.

Pergatiti per botim Albana Melyshi Lifschin, Shkurt, 2019

albanalifschin.tripod.com