Presidenti Wilson, Shqipëria dhe Konferenca e Paqes së Parisit në revistën ‘Yll’i Mëngjezit’ - Nga Bertina Salliu
Abstrakt
Me anë të këtij artikulli dëshirojmë të paraqesim një tablo analitike të tre komponentëve kryesorë që trajtohen specifikisht në revistën “Yll’i Mëngjezit”: Presidentin Wilson, Shqipërinë dhe Konferencën e Paqes së Parisit. Përzgjedhja e kësaj teme nuk është e rastësishme, pasi jemi pikërisht në një kohë që na dikton realizimin e një punimi të tillë: 100-vjetori i Konferencës së Paqes së Parisit. Çështja shqiptare u trajtua në këtë konferencë në kuadër të Çështjes së Adriatikut dhe pati një mbështetje dhe interes të veçantë nga ana e Presidentit Wilson për Shqipërinë. Një delegacion i veçantë shqiptar u dërgua si përfaqësues në këtë konferencë. Në këtë mënyrë dëshirojmë që të theksojmë dhe ripohojmë që edhe pse një shtet i vogël në dukje, Shqipëria arriti të përfaqësohej në këtë konferencë dhe të parashtrohej çështja e saj edhe pse në kuadër të problematikave të tjera të përgjithshme që u prezantuan në konferencë. Në revistën “Yll’i Mëngjezit” të cilën e kemi marrë në shqyrtim, i kushtohet një rëndësi e veçantë kësaj konference dhe Shqipërisë. Gjithashtu, një vëmendje i kushtohet edhe figurës së Presidentit Wilson për kontributin e tij në konferencë dhe interesin e shfaqur për çështjen shqiptare. Këtyre tematikave i kushtohet një hapësirë e veçantë në të tri vëllimet e revistës. Studimi i kësaj reviste është me shumë vlerë për të kuptuar raportin e shqiptarëve me amerikanët, sidomos vlerësimin e tyre për figurën e Wilsonit nga komuniteti përfaqësues i shqiptarëve që jetonin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
(Sevasti Qiriazi)
“Unë jam shqiptare. Ky përbën faktin më të rëndësishëm të jetës sime, madje më të rëndësishëm se edhe familja, pasi të qenët e ndërgjegjshme për të më krijoi ndjesinë e gjallë të asaj që duhet të bëj: të ngrij popullin tim drejt shkollimit dhe pavarësisë.”
Sevasti Qiriazi
Para se të paraqesim pikëpamjet rreth këtyre komponentëve në revistën “Yll’i Mëngjezit” është e rëndësishme që të bëjmë një parantezë për të kuptuar rolin e tyre dhe kontekstin historik. Presidenti Wilson ishte një shtetar dhe akademik amerikan që lindi në Virginia të SHBA-së më 28 dhjetor 1856.
Në vitet 1913-1921 ushtroi detyrën si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjatë kohës së qeverimit të tij si president mori pjesë në shumë organizime të rëndësishme shtetërore ndër të cilat edhe Konferenca e Paqes së Parisit. Fundi i Luftës së Parë Botërore më 11 nëntor 1918 kërkonte një bashkërendim të veprimeve dhe zgjidhje të problematikave të dala pas Luftës së Madhe. Pikërisht në këtë kohë të nevojshme Presidenti Wilson që udhëtoi më 14 dhjetor 1918 drejt Europës, pra në Paris ku u mbajt edhe konferenca, u bë një figurë e rëndësishme me anë të programit të tij që ka hyrë në histori me emërtimin 14 Pikëshi i Woodrow Wilson për popujt që kishin qenë pjesë e luftës. Pikëpamja e Wilsonit ishte e qartë: arritja e paqes ishte po aq e rëndësishme sa dhe fitimi i luftës. Asnjë president tjetër amerikan nuk kishte udhëtuar kurrë më parë drejt Europës gjatë kohës që ai mbante postin zyrtar.
Rrjedhimisht mund të themi se ai ishte i pari që e merrte një iniciativë të tillë. Nga ana tjetër, Shqipëria në këtë periudhë historike të marrë në shqyrtim (fund i Luftës së Madhe dhe Konferenca e Paqes në Paris) ishte një komb që kishte pësuar dëme nga zhvillimet e Luftës së Madhe dhe për më tepër kishte shumë pak vite që ishte krijuar si shtet dhe kishte hasur shumë vështirësi. Në këto rrethana Shqipëria do të dërgonte një delegacion përfaqësimi në Konferencën e Paqes në Paris për parashtrimin e kërkesave. Një pikë e rëndësishme në këtë konferencë ishte parashtrimi i çështjes për shtetet e vogla ndër të cilat përfshihej edhe çështja shqiptare. Kjo çështje u trajtua në kuadër të çështjes së Adriatikut.
Konferenca e Paqes së Parisit u mbajt në Paris më 18 janar 1919 dhe në të morën pjesë një numër i madh diplomatësh të kryesuar nga Presidenti Wilson që prezantoi programin e tij dhe alternativat për zgjidhjen e çështjeve në territoret strategjike që kishin mosmarrëveshje për kufijtë. “Yll’i Mëngjezit” është periodiku i përdyjavshëm që botoi gjatë kohës që qëndroi në Amerikë Parashqevi Qiriazi, nga viti 1917 deri në vitin 1920. Në numrin 9 të volumit të tretë (Janar 1919), në deklaratën e pronësisë së revistës shkruhet se Parashqevi Qiriazi ishte “botuesi, menaxheri dhe pronari i periodikut.” Periodiku i ishte “kushtuar ndriçimit dhe lartësimit të popullit shqiptar.” Parashqevia ishte delegate në Konferencën e Paqes në Paris. Revista doli në tri vite, u botuan 36 numra, në 3 volume. “Ylli” nuk u botua më kur Parashqevia u kthye në Shqipëri. Numri i fundit është i Shtatorit të vitit 1920.
Gjatë një studimi të revistës në fjalë vërejmë që në vëllimin e parë të saj paraqitet i botuar telegrami që editorja e revistës, Parashqevi Qiriazi i dërgon Presidentit Wilson në shenjë mirënjohjeje dhe falenderimi. Në këtë telegram të 30 janarit të vitit 1917, ajo shpreh falenderimet ndaj Wilsonit për përpjekjet e tij për të ndihmuar kombet e vogla. Konkretisht Presidenti ishte shprehur në Senatin amerikan në mbrojtje të shteteve të vogla nga goditjet e shteteve të fuqishme. Parashqevi Qiriazi i shpreh falenderimet në emër të shqiptarëve që jetonin në Amerikë në atë kohë dhe si përfaqësuese e tyre në këto territore. Vlerësimin për deklaratën e Presidentit e argumenton me faktin se Shqipëria ishte një nga shtetet më të vogla të Ballkanit dhe kombi më i vjetër i Europës.
Këtij telegrami Presidenti Wilson iu përgjigj me një telegram tjetër më 31 janar 1917. Ai i shprehu një mirënjohje të thellë Parashqevi Qiriazit për kurajon e marrë për t’i shkruar telegramin duke lënë të nënkuptohej që edhe të tjerë i kishin shkruar për këtë fakt. Wilson argumentonte në telegram se fjalimi që kishte mbajtur më 22 janar në Senatin e Shteteve të Bashkuara ishte një fjalim që kishte dalë nga zemra e tij me shpresën që do t’i shërbente të gjithë botës. Revista “Yll’i Mëngjezit” paraqet një biografi të detajuar të Presidentit Wilson. Një vëmendje të rëndësishme në këtë biografi i kushtohet cilësive të tij dhe nderimit të shqiptarëve ndaj presidentëve të SHBA. “Shqipëtarët kanë nderuar çdo President të Shtetevet të Bashkuara, po emri i Presidentit Wilson mbush sot zemrën e çdo shqipëtari me një ndjenjë mirënjojtjeje të veçantë për çapin që mori të mpronjë të drejtat e kombevet të vogla.”
Në këtë revistë ilustrohet me episode nga fjalimi i Wilsonit ku theksohet çështja e paqes dhe drejtësisë midis kombeve. Për një paqe të qëndrueshme duhet të mos njohin një ndryshim midis kombeve të mëdha dhe të vogla, midis atyre që janë të fuqishëm dhe atyre që janë të dobët. Pra sipas Wilson, drejtësia duhet të ketë themel fuqinë e bashkuar të kombeve dhe jo fuqinë e veçantë të tyre.
Çështja shqiptare vazhdoi të trajtohej gjerësisht dhe me një vëmendje të veçantë edhe në numrat e tjerë të revistës që dolën. Një rast specifik ishte edhe publikimi i 31 korrikut të vitit 1917 kur u publikuan lajme të këqija për shqiptarët. Kjo për arsye se në këtë kohë përmendet copëtimi i Shqipërisë së Jugut ku sipas buletinit zyrtar Franca, Anglia dhe Italia do të tërhiqnin ushtritë e tyre nga Thesalia dhe Epiri, ndërsa ushtritë italiane do të mbanin vetëm trekëndëshin në territoret e Sarandës dhe kufirin e Epirit.
Italia dhe Greqia do të vendosnin bashkë për qeverimin e këtyre territoreve. Në këtë publikim të revistës dallohet qartë një fakt i rëndësishëm lidhur me çështjen e kufijve të Shqipërisë së asaj kohe. Mes vendimeve të Konferencës së Paqes në Paris janë trajtuar jo vetëm çështje që i përkasin viseve të Greqisë së Vjetër, jo vetëm çështje që i përkasin Thesalisë, çështje që i përkasin viseve të shkëputura nga Shqipëria që me vendimet e Konferencës së Londrës iu dhanë Greqisë (Janina, Çamëria etj.), por edhe çështje që ndodhen brenda kufirit të Shqipërisë të ravijëzuar që me Konferencën e Ambasadorëve në Londër (8). Sipas revistës, vendimet e Konferencës së Parisit janë të përkohshme dhe për këtë arsye u pranuan nga Italia dhe që të mos i sillte ngatërrime veprimit ushtarak të bashkëaleatëve kundër armiqve.
Një vend të rëndësishëm në botimin e revistës zë edhe memorandumi që Kristo Dako dhe Mihal Grameno ia kanë dërguar Presidentit Wilson më 20 korrik 1918. Në këtë kohë Dako dhe Grameno jetonin në Amerikë. Sipas të dhënave historike ata kanë zhvilluar një lëvizje patriotike aktive duke përfaqësuar shqiptarët e Amerikës pa anashkaluar këtu edhe kontributin e Parashqevi Qiriazit që i bashkangjitej veprimtarisë së tyre. Të dy këto figura morën pjesë në Konferencën e Paqes në Paris, ku sipas Universitetit Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi “Kristo Dako ka zhvilluar edhe dy takime me Presidentin Wilson ku ka shprehur edhe shqetësimin mbi çështjen kombëtare shqiptare”.
Për këtë nuk kemi një bazë të sigurt të të dhënave, por mbetet për t’u hulumtuar në vazhdim. Memorandumi që ata i dërgojnë Presidentit amerikan gjendet i botuar në shqip dhe në anglisht në revistën “Yll’i Mëngjezit”. Me një lexim të thjeshtë të këtij memorandumi kuptohet qartë mirënjohja e shprehur ndaj Shteteve të Bashkuara dhe nismës së Presidentit për të mbrojtur kombet e vogla. Në një analizë më të detajuar mund të themi se ky memorandum nis me një kronologji të shkurtër të historisë së shqiptarëve duke filluar me lashtësinë, me ilirët, luftërat në të cilat morën pjesë, më tej me figurat shqiptare që kanë dhënë kontribut me luftimet e tyre dhe vazhdon deri tek çështja e pavarësisë së Shqipërisë.
(Mihal Grameno dhe Kristo Dako)
Në këto kushte mund të themi se nuk është një pikënisje e rastësishme kjo hyrje e memorandumit të formuluar nga Dako dhe Grameno, por një ritheksim i faktit se pavarësisht situatave të vështira, sundimeve të huaja dhe uzurpimeve që shqiptarët kanë përjetuar, ata arritën që të ruajnë në njëfarë mënyre elementin kombëtar të gjuhës së tyre dhe pjesërisht territorin që ka ardhur gjithmonë në tkurrje. Një shembull i qartë që përmendet në memorandum është rasti i invazionit osman në hapësirën shqiptare ku pavarësisht vështirësive që shqiptarët përjetuan, arritën përsëri të ruanin një element thelbësor të kombit, gjuhën.
Dako dhe Grameno këmbëngulin në këtë memorandum se duke qenë se shqiptarët kanë kaluar peripeci të tilla që kanë rrezikuar tërësinë territoriale, edhe këtë herë do të mund t’ia dalin. Por në këtë rast ka njëfarë shprese te Shtetet e Bashkuara, pasi në memorandum emërtohen si “të drejta dhe liridashëse” që kërkojnë triumfin e parimit të kombësisë. Dako dhe Grameno parashtrojnë hapur kërkesën dhe të drejtën e Shqipërisë për pavarësi politike, ekonomike dhe territoriale. “Këto kërkesa të këtij kombi jetim si Shqipëria munt t’i mpronjë Amerika e drejtë dhe liridashëse që shqiptarëtë të munt të gëzojnë të drejtën për të çvilluar të lirë qytetërimin e tyre me një racë dhe gjuhë të vetme”.
Këto zhvillime që përshkruhen në revistë kanë pasur një impakt të rëndësishëm për kohën dhe situatën në të cilën gjendej Shqipëria. Me anë të këtyre botimeve të kohës mund të themi se çështja shqiptare u parashtrua më së miri dhe mund ta konsiderojmë si një arritje që një shtet i vogël si Shqipëria mori pjesë, pra u përfaqësua në Konferencën e Paqes. Një rol të rëndësishëm përsa i përket përfaqësimit ka luajtur grupi i shqiptarëve që jetonin në Amerikë dhe Federata “Vatra” me shumë shqiptarë që bënë përpjekje për ndryshim.
(Parashqevi Qiriazi)
Një meritë i takon Presidentit Wilson për mbështjetjen që tregoi ndaj kombeve të vogla në programin e tij. Revista “Yll’i Mëngjezit” mbajti gjallë frymën atdhedashëse për një komb shqiptar të pavarur dhe me tiparet e tij sidomos ndër shqiptarët që jetonin jashtë atdheut të tyre. Kjo revistë ishte me karakter të përgjithshëm, pasi në të mplekseshin shumë fusha të ndryshme dhe kjo vërehej nga natyra e shkrimeve. Në këtë aspekt themi se në këtë periodik çështja e Shqipërisë dhe Konferencës së Paqes zuri një vend të rëndësishëm. Rëndësia e trajtesës gjerësisht në këto shkrime mendojmë që ndikoi pozitivisht duke e bërë të njohur çështjen shqiptare në arenën ndërkombëtare dhe për më tepër pjesëmarrja në këtë konferencë solli një ripohim të statusit dhe kufijve të Shqipërisë në atë kohë.
Duke filluar me editoren e revistës në fjalë dhe shkruesit në këtë revistë, mund të themi se dëshmohet qartë vizioni i tyre për përparimin e këtij kombi të vogël në dukje, por shumë të pasur dhe të rëndësishëm në brendësi. Përpjekjet e këtij grupimi shqiptarësh në Amerikë ndihmuan në ndërmjetësim me anë të telegrameve apo kërkesave të ndryshme tek udhëheqja amerikane. Me anë të këtyre përpjekjeve figurat si Kristo Dako dhe Mihal Grameno arritën që të merrnin pjesë në Konferencë për mbështetje dhe përfaqësim të shqiptarëve të Amerikës.
Bibliografia
Dako, Kristo & Grameno, Mihal. “Memorandum dërguar Presidentit Wilson.” Yll’i Mëngjezit. vëllimi III. 20 Korrik 1918.
Dako, Kristo. “Vendimet e Konferencës së Parisit.” Yll’i Mëngjezit. vëllimi II. 31 Korrik 1917.
Macmillan, Margaret. Paris 1919, Gjashtë muaj që ndryshuan botën. Përkthyen F. Xharri & M. Shini. Tiranë: Plejad, 2006.
Milo, Paskal. Politika e jashtme e Shqipërisë 1912-1939. Tiranë: Toena, 2013.
Qiriazi, Parashqevi. “Nënshtypje të Konferencës së Paqes,” Yll’i Mëngjezit. vëllimi III. Shkurt 1919.
Qiriazi, Parashqevi. “Telegram drejtuar Presidentit Wilson.” Yll’i Mëngjezit. vëllimi I. 15 Shkurt 1917.
Revista Yll’i Mëngjezit. Vëllimi I, II & III.
Toska, Teuta. “Pasqyra e lëndës së botuar te Yll’i Mëngjezit.” 15 nëntor 2016. Instituti për Studime Shqiptare dhe Protestante.
Wilson, Woodrow. “Përgjigje e telegramit të Parashqevi Qiriazit.” Yll’i Mëngjezit. vëllimi I. 31 Janar 1917.
Burimi: Revista kulturore ALBANON