Kondo në Gaza! Zgjidhja e problemit të Lindjes së Mesme sipas stilit Trump - Nga Eric S. Margolis

Eric S. Margolis
The Great White Father në Uashington foli. Le të dëgjojnë dhe të binden vdekatarët e thjeshtë.
Gaza është kthyer në një “ahur”, tha Presidenti Trump, dhe duhet “pastruar”. 2.1 milionë mbetje njerëzore po e ndotin këtë pasuri potencialisht të lakmueshme buzë detit. “Mjafton ta pastrojmë krejtësisht”, tha Promotori i Madh.
Trump deklaroi se zgjidhja për këtë problem të ndërlikuar është zhvendosja e refugjatëve palestinezë në Egjiptin dhe Jordaninë fqinje. Voilà! Problemi u zgjidh!
Pse nuk e mendoi bota këtë më herët? Një problem i vogël: Egjipti ka 107.5 milionë banorë që jetojnë në një zonë pjellore me madhësinë e shtetit të vogël amerikan, Maryland. Egjipti i mbipopulluar është aq i ngjeshur, saqë njerëzit atje kanë filluar të jetojnë edhe pranë varrezave.
Egjipti nuk mund të ushqejë popullin e tij pa miliarda dollarë ndihmë amerikane, të shpërndarë përmes një rrjeti furnitorësh të korruptuar. Trump nuk tha asgjë për ish-kryetarin e korruptuar të Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, Robert Menendez, i cili për dekada mori ryshfete të mëdha nga qeveria egjiptiane - dhe ndoshta edhe nga vende të tjera si Ukraina dhe Izraeli.
Egjipti është një nga diktaturat më të egra në botë, por këtë pohim nuk do ta dëgjoni kurrë të përmendet nga mediat perëndimore të nënshtruara. Kajroja ka bashkëpunuar ngushtë me Izraelin për t’i mbajtur palestinezët të mbyllur në burgun e hapur të Gazës. Regjimi ushtarak egjiptian me të drejtë i druhej faktit se palestinezët mund të infektonin Egjiptin me ide për demokraci ose qeverisje islamike. Egjipti është shteti më i populluar arab. Sundimtarët ushtarakë të Kajros nuk duan palestinezë revolucionarë e problematikë.
E njëjta gjë vlen për regjimin mbretëror të Jordanisë. Ish-princi i saj, Hassan, u eliminua nga linja e trashëgimisë në fronin Hashemit sepse SHBA dhe Izraeli e konsideronin shumë pro-palestinez. Më i përshtatshmi dhe më i këndshmi Abdullah II u bë mbret.
Jordania e vogël, e krijuar në shkretëtirën arabe nga imperialistët britanikë pas Luftës së Parë Botërore, popullohet tashmë nga të paktën 60% palestineze dhe sundohet nga ushtria e fortë jordaneze. Jordania është një komb i mirëadministruar, por as ajo nuk mund të pranojë më shumë palestinezë. Fqinji Liban përballet me një problem të ngjashëm.
Të gjithë këta palestinezë të padëshiruar nuk erdhën nga hëna. Ata janë rezultat i pastrimit etnik që kreu Izraeli duke rrafshuar fshatrat arabe në atë hapësirë që tani quhet veriu i Izraelit. Gaza u shndërrua në një kamp të madh burgosjeje në natyrë për refugjatët palestinezë, refugjatë ekzistenca e të cilëve mohohej nga Izraeli.
Ja një ide! I dashur President Trump, pse të mos i zhvendosni këta 2.1 milionë refugjatë palestinezë në rezidencën tuaj Mar-a-Lago dhe zonat përreth? Përfshini në këtë zgjidhje edhe Tampën dhe Lauderdale. Pastaj mund t’i jepni dritën jeshile dhëndrit tuaj, Jared Kushner, për ta kthyer bregdetin e mrekullueshëm të Gazës - tani të pabanuar - në një Miami të ri. Është fare e thjeshtë.
Copyright Eric S. Margolis 2025