Serbia si mësim - Nga Xhevdet Nasufi
Edhe euforia e ndryshimit të qeverisë në Maqedoninë e Veriut duket se po kalon në rrjedhë me standardin e të kaluarës, në raport me sistemin dhe institucionet, në raport me shqiptarët. Por me shqiptarët dhe për shqiptarët kjo nuk po ndodh vetëm në Maqedoninë e Veriut. Shqipëria është shembull i padëshiruar për këtë. Kjo, sepse kur individi në politikë e ngre veten mbi sistemin dhe demokracinë, kur individi flet dhe vepron në emër të sistemit dhe institucionit për interesa jopublike, kur demagogjia shitet si sukses dhe konformizmi qytetar bëhet standard, shteti dhe populli në atë vend as nuk është shtet demokratik dhe funksional, as populli nuk është i lumtur dhe i buzëqeshur. Në vende të tilla zakonisht mbretëron logjika, pas meje u bëftë qameti.
Dikush me ndjesi dhe sens intelektuali në Serbi, inspirues edhe për ngjarjet mas-pok atje (blokadat studentore, greva masive), Maqedoninë e Veriut e quajti vend i komplikuar. Shprehje inspiruese, e duhur dhe e pa-alternativë. Kjo duhet t’i shqetësojë studentët për të nesermen, qytetarët për të sotmen, intelektualët për vlerat e zhvleftësuara, shqiptarët për të drejtat e ndrydhura.
Nëse shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri qeverisen në disa mandate pa e objektivizue interesin etnik të tyre, logjika politike është e qartë: Është e pandershme të njejtët qeveritarë të pretendojnë riqeverisje për të njejtin objektiv, para se edhe ta mallkojnë orientalizmin e tyre politik. Kjo qartë i referohet moszbatimit të denjë të Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoninë e Veriut, i referohet ngecjes së Shqipërisë, në rrafshin ekonomik, në rrafshin demokratik, në rrafshin e integrimit në BE. Edhe pse në bisht të Ballkanit dhe shteteve tjera të ish-Jugosllavisë, Maqedonia e Veriut, por edhe Shqipëria gjenerojnë mjaft ngjashmëri me Serbinë e Vuçiçit e zënë në ideologjinë makabër të Millosheviçit në raport me shqiptarët, por edhe demokracinë e akumuluar në një individ. Orientalizmi politik në Maqedoninë e Veriut duket se i ka lëshuar thellë rrënjët e të keqes në shoqëri dhe sistem, por edhe në vetë institucionet e vendit.
Rrjedhimisht, Maqedonia e Veriut, Shqipëria e Serbia, sot janë në oborrin e Evropës së Bashkuar, në vend që të ishin në dhomën e saj (shikoni vendet tjera të bllokut lindor). Në këtë katrahurë, shqiptarët janë më të goditurit, sepse jetojnë të ndarë në shtete të ndryshme në njëren anë, por janë edhe tradicionalish si dhe historikisht më proevropianët, në anën tjetër. Këtë frymë politike e stimuloi fuqishëm Partia e luftës që kishte edhe sektorin e integrimeve në qeverisje në disa mandate, por e rrezikoi të njejtën sikur edhe çështjen shqiptare që po problematizohet sot në masë dhe cilësi. Të mos ushqejmë iluzione, kjo frymë e trashëguar, ndoshta sot është edhe më e rëndë dhe më e thelluar në frymëmarrjen etnike të shqiptarëve, por të shpresojmë në premtimet e shqiptarëve të rinj pushtetarë.
Amerika dhe amerikanët si shembull i demokracisë funksionale mandatin e presidentit e kanë kufizuar në dy mandate. Sepse, çdo funksion i ripërsëritur më shumë se dy herë fillon të kalojë në autoritarizëm, andaj edhe liderët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut deri dje, Serbisë që moti kundërmojnë autoritarizëm. Por si u katandisem ne shqiptarët që edhe në demokraci dhe pluralizëm politik të krijojmë mbretër në qeverisje?
Sigurisht, nëse e kufizojmë mandatin, bile ate të liderit partiak, nëse funksionon mendësia racionale siç duhet, nëse interesi i përgjithshëm dhe individual distancohen ndjeshëm, atëherë kjijohet bazamenti i shoqërisë dhe shtetit të shëndetshëm, të globalizuar dhe integruar në demokracitë funksionale dhe në shtetet e zhvilluara.
Sidoqoftë, tundjet e mëdha studentore dhe gjithpopullore në Serbi kundër sistemit të vjetëruar janë sfidë e madhe edhe për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, sepse qoftë Gërdeci, 21 janari, apo korrupsioni galopant në të tre shtetet, qoftë autobusët (tragjedi komunikacioni) apo spitali modular në Tetovë, por edhe tkurrjet e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, nuk dallojnë nga tragjedia në stacionin hekurudhor të Novi Sadit. Pra, sensi i qeverisjes, funksionimi i sistemit dhe institucioneve, barazia mes shqiptarëve dhe maqedonasve duhet të marri rrugëtimin e përmbushjes, gjithmonë në referim të paqes dhe destimulimit të pasigurisë.
© Xhevdet Nasufi