Blog

Jozefi, lëvizja në Kanada dhe Diaspora - Nga Endrit Mullisi

Kur lexon kapitullin 45 të Zanafillës, momentin kur Jozefi, tashmë kryeministër në Egjipt nën një emër tjetër, u zbulon vëllezërve identitetin e tij të vërtetë, është e pamundur të mos reflektosh mbi konceptin e diasporës. Historia e Jozefit nuk është thjesht një rrëfim biblik, por një shembull frymëzues për ata që gjenden larg atdheut.

Jozefi kishte ëndrra. Por pikërisht për shkak të ëndrrave të tij, vëllezërit e tij, të mbushur me zili dhe me plane që nuk përkonin me vizionin e Jozefit, vendosën ta largonin. Ata e shitën si skllav, duke menduar se po i jepnin fund ëndrrave të tij. Megjithatë, Zoti ishte me Jozefin. Ai kaloi kohë të vështira, duke u përpjekur të bënte të mirën në rrethana të pafavorshme. Edhe në skllavëri, dora e Perëndisë ishte mbi të, duke i dhënë favor në sytë e atyre që e punësonin, derisa erdhi dita kur u ngrit si drejtues në Egjipt, nën vetë faraonin.

Deklarata e Jozefit ndaj vëllezërve të tij është thellësisht prekëse dhe plot mençuri hyjnore. Ai u thotë: “Nuk ishit ju ata që më shitët si skllav, por Perëndia, që më çoi përpara jush për t’u përgatitur për të keqen që do të vinte dhe për t’ju shpëtuar”. (Zanafilla 45:5-8). Kjo perspektivë e Jozefit na sfidon të shohim dorën e Zotit në gjithçka, madje edhe në ato situata që fillimisht duken si disfata.

Në komunitetet me të cilët shoqërohem, kur flitet për dërgimin e dikujt në një vend tjetër, zakonisht shoqërohet me lutje, konfirmim dhe bekim nga drejtuesit shpirtërorë. Por 16 vite më parë, kur vendosëm të zhvendoseshim në Kanada, kjo nuk ishte një lëvizje e planifikuar me pompozitet. Nuk kishte as lajmërime e as festime. Largimi ynë ishte i paqartë si për mua ashtu edhe për të tjerët. E megjithatë, duke reflektuar tani, mund të them me bindje se kam parë dorën e Zotit gjatë këtij udhëtimi.

Gjersa kam ëndërruar themelimin e kishës shqiptare në diasporë, kam ndier që Zoti ka përgatitur rrugën. Kam parë se si të tjerë kanë ardhur, i janë bashkuar vizionit dhe kanë kontribuar për një kishë të domosdoshme për komunitetin shqiptar në Kanada. Nuk e di sa shqiptarë do të vijnë më tej, por shpresoj që përmes punës së kishës, ata që kanë ardhur për një jetë më të mirë në tokë, të gjejnë jetën e përjetshme.

Nëse, mik apo mikeshe, je në një situatë ku ndihesh sikur je dërguar në një vend që nuk e kishe planifikuar, mos u mërzit. Sigurohu që të ndjekësh Zotin dhe të mbështetesh tek Ai, sepse gjithçka kthehet për të mirë për ata që e duan Zotin dhe kërkojnë vullnetin e Tij. (Romakëve 8:28)

© Endrit Mullisi