Z. Rubin, Himara nuk është minoritare e Beleri është me të shkuar kriminale! - Nga Milaim Nela
- Published in Bota Shqiptare
Ajo që mu duk shumë shqetësuese dje në shkrimin e Michael Rubin, ish-zyrtar i Pentagonit, ishte fakti se ai kur përmend Yuri Kim dhe veprimtarinë e saj në Shqipëri, e përmend atë vetëm për ndërhyrjet e mundshme të saj, sipas tij, tek çeshtja Beleri dhe minoriteti grek.
Michael Rubin nuk thotë asnjë fjalë rreth ndërhyrjeve brutale të Kim në shkatërrimin e opozitës shqiptare dhe sidomos në përpjekjet e saj për nxerrjen me çdo kusht nga politika të Sali Berishës.
Z. Rubin si ish-zyrtar i Pentagonit duhet të ketë informacione të detajuara për Himarën, që nuk është as zonë minoritare e as nuk ka minoritarë në të.
Po ashtu z. Rubin duhet ta dijë që Fredi Beleri është një individ me të kaluar të zezë kriminale, i dënuar në të shkuarën nga gjykatat shqiptare për fyerje të simboleve kombëtare shqiptare, dënim ky i validuar edhe nga gjykatat europiane.
Michael Rubin duke punuar në Pentagon duhet të ketë marrë informacione nga CIA që Fredi Beleri po ashtu është arrestuar nga autoritetet greke për pjesëmarrje në aktivitete terroriste në Shqipëri.
Duke mos paragjykuar padrejtësitë juridike që mund t’i jenë bërë Belerit në zgjedhjet lokale të Himarës, theksoj se Fredi Beleri nuk duhet të ishte lejuar të kandidonte në Himarë bash për këtë të shkuar të zezë dhe po ashtu zgjedhja e tij si eurodeputet nga Greqia është njollë e zezë si për Greqinë, ashtu edhe për Parlamentin Europian.
Z. Rubin po ashtu duhet ta dijë që Fredi Beleri ishte kandidat i opozitës së bashkuar në zgjedhjet lokale por nuk është përfaqesues i Partise Demokratike të cilën Yuri Kim deshi ta shkatërrojë për llogari të Edi Ramës.
Përmendja e Yuri Kim vetëm për llogari të interesave greke në Shqipëri e jo për rolin real që ajo luajti në Shqiperi duke anashkaluar opozitën reale shqiptare është shenjë jo e mirë për shqiptarët.
Të shpresojmë që administrata e re të jetë e qartë e ta ndajë engjëllin nga djalli.
Amerika dhe administrata e re nuk duhet të bëhen avokatë të individëve me të shkuar kriminale apo interesave shoviniste të politikës greke në Shqipëri.
Unë shpresoj që kjo të mos ndodhë.
Për fund shpresoj që media dhe opozita shqiptare të mos eksitohen nga shkrime të tilla por t’i interpretojnë drejt dhe t’i vendosin pikat mbi i.
Media mbi të gjitha ka dhe duhet të ketë interesin publik shqiptar e opozita përtej interesave elektorale e të pushtetit nuk guxon të neglizhojë interesin kombëtar.
© Milaim Nela